Paketa e re fiskale, ndryshimet dhe efektet e taksave të reja

19 Nëntor 2015, 14:00Ekonomia TEMA

Ligji i parë fiskal që ndryshon është ai i akcizës, i cili rrit taksat për prodhuesit vendas të birrës dhe i ul ato për birrën e importit. Sipas draftit për birrën e vendit, akciza rritet nga 360 lekë për hektolitër, që është tani, në 400 lekë për hektolitër. Në të njëtën kohë, për birrën e importit, akciza ulet nga 710 lekë për hektolitër në 600 lekë.

Taksa e dytë që rritet është ajo që vendoset mbi primin e sigurimeve. Aktualisht, mbi çdo policë sigurimi ka një taksë prej 3% e çmimit bruto. Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, qeveria propozon që kjo taksë të bëhet 10%.

Ndërkohë, për herë të parë, vitin e ardhshëm do të futen në taksim edhe trojet, taksat e të cilave do të variojnë nga 1400 lekë për hektarë në zonat e thella të vendit, deri në 5600 lekë në bashkitë e kategorisë së parë si Tirana apo Durrësi.

Një tjetër taksë që rritet është ajo e kontributeve që paguhen nga të vetëpunësuarit e profesioneve të lira, të cilat nga 1 janari do të llogariten mbi pagën maksimale dhe jo si tani që llogariten mbi dyfishin e pagës minimale. Kjo masë prek avokatët, mjekët noterët, kontabilistët dhe stomatologët e vetëpunësuar. Sipas Ministrisë, aktualisht sistemi i kontributeve për këto profesione është i deformuar, pasi një mjek që punon në biznesin e tij si i punësuar paguan tre herë më pak sesa një mjek që është i punësuar në një biznes privat ose në shtet. Me ndryshimet e reja që hyjnë në fuqi nga 1 janari, kontributi për profesionet e lira rritet deri në 3 herë, nga 6500 lekë aktualisht, në 22 mijë lekë vitin tjetër.

Veç kësaj, një tjetër taksë me efekt pozitiv në buxhet është ajo e fjetjes në hotel, e cila nga viti tjetër do të jetë 140 lekë për çdo natë. Po kështu, pritet që në 2016-n të ndryshojë edhe renta mbi mineralet jometalike, e cila nga përqindje mbi çmimin do të bëhet fikse.

Veç këtyre, nga 1 janari qeveria ka propozuar edhe një taksë të re prej 21 mijë lekësh në vit që do të vendoset mbi makinat me fuqi motorike më të madhe se 3 mijë kubikë. Këto janë taksat që rriten.

Por, paralelisht qeveria ka propozuar dhe një masë, e cila lehtëson një numër të madh biznesesh. Kjo është heqja e taksës për bizneset me xhiro deri në 5 milionë lekë dhe ulja e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për bizneset me xhiro nga 5 në 8 milionë lekë. Një masë kjo që prek rreth 100 mijë ndërmarrje.

Në total, ndryshimet e propozuara e rrisin presionin fiskal në ekonomi. Ndonëse heqja e taksës për biznesin e vogël e lehtëson atë me 1.3 miliardë lekë në vit, ndryshimet e taksave të tjera e rrisin barrën me 3.1 miliardë lekë shtesë. Kjo do të thotë se rritja neto e barrës fiskale për vitin e ardhshëm do të jetë afro 1.8 miliardë lekë, që gjithsesi mbetet gati e papërfillshme./ TCH

5 komente në “Paketa e re fiskale, ndryshimet dhe efektet e taksave të reja”

  1. Eni says:

    Per Here te pare tatimet do behen shkak per mbyllje aktiviteti. Rritja e sigurimeve per profesionet e lira eshte tmerr, sulm mbi shtresen e nesme intelektuale, rritje 3 here

  2. iric carcani says:

    Profesionet e lira duhet te kishin edhe nje takse 100.000 lek te reja cdo muaj se fitojne pa fund.Ilutem qeverise ta vendose.

  3. Rozafa @ yahoo.com says:

    Taksa per profesionet e lira ashte jo vetem skandaloze por per me favorizue ato qi kane monopolin e aktiviteteve ne dukje te lira, taksa per sigurimet shoqenore mbi page max.ashte grabitje me dhune e ligjbersit,sepse kur ashte e kontrollume xhiroja,fitimi i stomatologut,avokatit,mjekut kontributi s´mund me ken taksativ,sepse punonjesit buxhetor nuk i llogarriten fitimi nga klientat….
    dhe se Sig.Shoqenore qe kane per detyre te kthejne mbrapsht detyrimet e pagume te perkthyera ne pension …..po na kenaqin me pension pleshtash…..ma.mire me ken, i siguru ne privat…..

  4. Ono says:

    Carcan kontributet jane mbi pagen. Profesionet kane te ardhura. Nuk kane page. Kur smer vesh mos fol, injorant fiskal. Me mire shto tatimin dhe je ne rregull

  5. liku - Kush me shan per debat nuk ia mban. says:

    Po pse more cfare kujtuat ju , si do ta mbushte arken qeveria pasi deklaroi heqjen e taksave te bizneseve deri ne 50 milione leke xhiro ?

    Keshtu e ka kjo pune. Hiqja taksat njerit e futja tjetrit.
    Ose hiq nje takes te dukshme dhe fut nje te padukshme.

    Si se kuptuat ndonjehere o popull , cdo qeveri e cdo krahu vetem per te ta futur e ka mendjen.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje