Misioni i vështirë i Franc Vranickit (5)

10 Dhjetor 2015, 18:30Dossier TEMA
Misioni i vështirë i Franc Vranickit (5)

Nga Fred Abrahams

 

Me pamjen e një burri truplidhur e të pashëm, pesëdhjetenëntë vjeç në atë kohë, Franz Vranitzky ishte një ish-kryetar shteti i respektuar. Si kancelar i Austrisë nga viti 1985 deri në fillim të 1997-s, ai e kishte mbajtur detyrën më gjatë se çdo udhëheqës tjetër në Evropë pas Helmut Kohl-it të Gjermanisë. Meqenëse ishte larguar nga posti vetëm para pak kohësh, ai po kërkonte mënyra të reja për t’i gjetur punë vetes. Kur kryetari i OSBE-së, ministri i jashtëm i Danimarkës Niels Helveg Petersen, e pyeti nëse do të shkonte në Shqipëri si emisar i OSBE-së, Vranitzky pranoi.

Pas një jave, ndërsa forcat e qeverisë shqiptare po përgatisnin sulmin e tyre ndaj Gjirokastrës, Vranitzky i hipi një aeroplani të Austrian Airlines në Vjenë dhe zbriti pas dy orësh në Tiranë, vend ku nuk kishte qenë kurrë. Bashkë me të ishin njëmbëdhjetë zyrtarë të OSBE-së dhe disa politikanë, duke përfshirë kongresmenin amerikan Elliot Engel, kryetar i grupit shqiptar në kongres,të cilin Berisha nuk ishte pranuar ta takonte para disa muajsh.

Vranitzky e njihte Berishën nga ditët e para të pushtetit të PD-së dhe mbante mend se i kishte bërë përshtypje. “Ai ishte një lloj shprese”, më tha Vranitzkky në zyrën e tij elegante në Vjenë. “Ishte relativisht i ri, i hapur, relativisht i arsimuar, dhe fliste gjuhë të huaja”.

Duke përdorur si bazë Rognerin që ishte prona e një austriaku, delegacioni u takua në fillim me opozitën. Në orën 10.00, anëtarët e tij kaluan bulevardin për t’u takuar me Berishën. Salla e takimeve në presidencë kishte një mur të harkuar, kujtoi Vranitzky, gjë që i solli ndërmend atij një oborr oriental. Berisha i uroi mirëseardhjen grupit dhe ia nisi me kritika ndaj raporteve të OSBE-së për zgjedhjet e vitit 1996. Vranitzky i kërkoi Berishës të zgjaste armëpushimin, që skadonte të nesërmen në mëngjes dhe të deklaronte zgjedhje të reja. Berisha shprehu pikëpamjen se rebelimin e jugut e kishin orkestruar komunistët dhe vetëm ata mund ta ndalonin.

I zhgënjyer, por duke ruajtur qetësinë, Vranitzky mbajti të parën nga dy konferencat e shtypit të pasdrekës në hotel. “Ne do të ishim shumë të kënaqur dhe do të jetë shumë konstruktive nëqoftëse armëpushimi do të zgjatet për dyzetetetë orë – për të dhënë më tepër kohë për dorëzimin e armëve”, e dëgjova t’i thoshte një salle të mbushur plot me gazetarë të mjeteve të informacionit vendase dhe të huaja. Pikërisht në atë moment forcat speciale po tërhiqeshin përmes maleve me borë nga Gjirokastra për në Përmet.

Rreth orës 14.00 të asaj dite, udhëheqësit e opozitës shqiptare morën mesazhin se Berisha ishte gati t’i takonte përsëri. Ata u mblodhën në zyrën e presidentit pak orë më pas për raundin e dytë të bisedimeve që kishin nisur para dy ditësh. Kësaj here, Berisha ishte më i hapur. Bujar Rama nuk e kishte dërguar ende raportin e tij nga Përmeti, por Berisha e dinte se operacioni i Gjirokastrës kishte dështuar.

Për herë të parë, Berisha tha se do të pranonte një qeveri teknike, me bazë të gjerë, dhe ndoshta zgjedhje të reja. Por qeveria nuk mund të përfshinte socialistët. Dhe zgjedhjet e reja duhet të zhvilloheshin brenda dyzetepesë ditëve. Socialistët thanë se dyzetepesëditë ishte shumë herët. Kurse për qeverinë teknike ata thanë se Berisha mund të vazhdonte edhe pa ta, nëqoftëse donte. Ata e dinin se asnjë qeveri nuk mund të funksiononte nëqoftëse partia kryesore e opozitës nuk merrte pjesë.

“Atëherë të formohet një qeveri pa demokratët”, u përgjigj Berisha.

“Pa ne dhe pa ju nuk vlen”, ia ktheu rrufeshëm Rexhep Meidani, njeri zakonisht i përmbajtur[i].

Gjatë debatit, Berisha doli jashtë për t’u takuar për herë të dytë me Vranitzky-n. Edhe njëherë, autriaku i kërkoi Berishës të zgjaste armëpushimin dhe të ngrinte një qeveri kujdestare deri në zgjedhje. Kësaj here, duke e pasur të qartë disfatën e Gjirokastrës, Berisha premtoi se dialogu do të vazhdonte. “Ideja e qeverisë ishte të shtypte rebelimin”, më tregoi në vitin 2004 këshilltari i atëhershëm i Berishës, Genc Pollo. “Kjo dështoi, kështu që na u desh të bisedonim”.

Ndërkohë, në Rogner Vranitzky njoftoi me kënaqësi lajmin. “Këtë pasdreke Presidenti Berisha shfaqi një qëndrim më elastik për sa i përket datës së zgjedhjeve”, u tha ai mjeteve të informacionit[ii]. Megjithëse mbetej shumë punë, raportoi ai, Berisha kishte filluar bisedimet për një qeveri kujdestare të lidhur me zgjedhjet e përgjithshme gjatë atij viti.

Të nesërmen në mëngjes njësitë e policisë dhe ushtrisë në Përmet u përgatitën të tërhiqeshin. Misioni tyre kishte dështuar. Rreth orës 09.00,përfaqësues të partive politike dhe pushtetit lokal u takuan në zyrën e këshillit të rrethit për të diskutuar planin e qytetit. Ndërsa një përfaqësues i Partisë Demokratike po fliste, një plumb e goditi atë në fytyrë, duke e rrëzuar përtokë. Të tjerët u futën poshtë tavolinave në panik. Disa thyen xhamat e ditareve prapa ndërtesës dhe u hodhën për të ikur.

Kush qëlloi dhe pse qëlloi mbetet e paqartë. Disa përkrahës të PD-së pretendojnë se ishte vrasje. Bujar Rama tha se ishte rikoshetë aksidentale nga një gjuajtje e rastësishme. Të tronditur nga vdekja, një turmë e zemëruar u mblodh në qendër dhe marshoi drejt komisariatit të policisë, ku mposhtën disa policë të paktë që kishin mbetur atje. Plumbat fluturonin prej qytetarëve të armatosur, militantëve të PD-së dhe trupave qeveritare.

Policia dhe ushtria u munduan të largoheshin. Ndërsa kamionët e tyre ecën përmes qytetit, turma sulmoi. Gjashtë veta u vranë, duke përfshirë prindërit e kryetarit të këshillit të rrethit, që i qëlluan në makinën e tyre.

Ndërsa kaosi përfshiu Përmetin, udhëheqësit e opozitës u kthyen në Presidencë për një raund tjetër bisedimesh. Ata u mblodhën në një sallë në katin e parë dhe u ulën rreth një tryeze të madhe. Pas dhjetë minutash u hap dera dhe Berisha hyri brenda, me trupin drejt dhe me pamje euforike. Ai përplasi dorën në tryezë. “Nga kjo sallë, le të deklarojmë sot së bashku atë që i duhet Shqipërisë më shumë se kurdoherë: platformën e pajtimit kombëtar!”, shpalli ai[iii].

Opozita dhe anëtarët e pranishëm të PD-së u tronditën. Berisha vazhdoi: “Alternativa e pajtimit kombëtar është alternativa më e mirë, më fisnikja, prandaj unë ju ftoj juve, përfaqësuesve të partive politike kryesore të vendit, ftoj shqiptarët kudo që janë, ta përshëndesim këtë alternativë me zemër të hapur në një moment kur vendi ka nevojë për këtë mbështetje më shumë se kurdoherë”.

Kamerat e televizionit regjistronin skenën. Kamera kishte pasur edhe në dy takimet e mëparshme, por opozitës i kishin thënë që ishin për arkivat. Ky takim po transmetohej drejtpërdrejt në të gjithë vendin.

I ulur në krye të tryezës, Berisha lexoi nga propozimi i tij, që e kishte shkruajtur me dorën e vet: amnisti e përgjithshme, qeveri e pajtimit kombëtar, dhe zgjedhje brenda dy muajve. Zyrtarët e opozitës dhe të PD-së mbanin shënim si në ethe, duke u munduar të kapnin pikat. Siç kishte bërë Ramiz Alia para shtatë vjetësh, Berisha ia kishte marrë në kthesë opozitës.

E befasuar nga kthesa e papritur, opozita prapëseprapë e mirëpriti marrëveshjen. Me ndryshime të vogla, rreth orës 16.00 ajo firmosi marrëveshjen me nëntë pika. Anëtarët e partive kapërcyen bulevardin për në Rogner dhe dhe i dhanë shtypit intervista fitimtare.

Përsëri, njeriu më kritik ishte Fatos Lubonja, të cilin e pashë se si e kërdisi opozitën me qortime për hyrjen në bisedime pa Komitetet e Shpëtimit. Ai besonte se marrëveshja i jepte rrugëdalje Berishës nën rrethim. Udhëheqësit e moderuar të PD-së e kishin braktisur partinë, tha ai, dhe Berisha kishte vetëm me një ekip me njerëzit më besnikë, si Genc Pollo, Tritan Shehu, Bashkim Gazidede dhe Agim Shehu. Me më shumë rezistencë, ai do të largohej. Duke mbajtur në kokë një kapele bezhë bejsbolli, që kishte mbishkrimin e të çuditshëm “Nog”, ai i tha një grumbulli gazetarësh se situata ishte si në filma,dhe se Shqipëria do të shpëtonte vetëm “kur personazhi i keq të ketë vdekur”. Pas një pauze të shkurtër, ai shtoi: “Në kuptimin metaforik”.

Opozita argumentoi se marrëveshja ishte e nevojshme për të shmangur luftën civile. “Në atë kohë, ajo ishte e nevojshme për të shmangur konfliktin”, reflektoi Rexhep Meidani, udhëheqësi i PS-së që shpejt do të zinte kolltukun presidencial të Berishës. Namik Dokle ishte dakord. “Po të ishim munduar ta hidhnim Berishën në humnerë, ai do të kishte marrë me vete Shqipërinë”, më tha ai në 2002 në zyrën e tij të kryetarit të kuvendit.

Pasi rruga drejt zgjidhjes politike ishte ndriçuar, gazetarët e kërcënuar dhe politikanët e opozitës dolën me kujdes nga vendet ku ishin fshehur. Nga ana tjetër unë takova Ylli Rakipin, kryeredaktor i gazetës “Albania”, fanatike pro-Berishës, e cila kishte vjellë helm për vite të tëra. “Tani do të shtypim të vërtetën”, më tha ai.

[i] Zogaj, Luftë Jocivile, f. 264.

[ii] “Vranicki është për vazhdimin e dialogut midis palëve”, Agjencia Telegrafike Shqiptare, 8 mars 1997.

[iii] “Deklaratë e presidentit shqiptar para takimit me përfaqësuesit e forcave politike”, Agjencia Telegrafike Shqiptare, 9 mars 1997.

2 komente në “Misioni i vështirë i Franc Vranickit (5)”

  1. pjatalarsi says:

    Me cfare servilizmi, por ndoshta dhe makuterie te papare ndaj parase, gazeta TEMA i kushton artikuj pas artikuj librit te Abrahamsit, nderkohe qe autoret shqiptare nuk mund te shohin as edhe njoftimin me te shkurter te titujve te librave te tyre ne kete gazete, si dhe ne te gjithe shtypin shqiptar! C’respekt mund te krijosh per drejtuesit e ketij shtypi shqiptar?!?

  2. liku psiqiku says:

    Pse nuk i bini shkurt dhe troc: rebelimi ne jug u financua nga greket!! Te gjithe e dine qe rebelimi mbeshtetej nga greket, me qellim per te ndare jugun.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje