“Nga makina kam dalë vetëm me një këmbë. Tjetra më mbeti atje!”

10 Dhjetor 2015, 09:04Politika TEMA

Elton Imerit, oficerit të Policisë Ushtarake dy ditë më parë iu bë atentat me eksploziv, ndërsa udhëtonte me makinë. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, i riu rrëfen si doli nga makina i gjymtuar nga shpërthimi, dyshimet për atentatin dhe një ngjarje që mund të ketë lidhje me këtë.

Elton, si ndodhi ngjarja? Çfarë mban mend nga shpërthimi?

Sapo kisha dalë nga shtëpia dhe isha duke shkuar për në punë. As vetë nuk e di se si ndodhi ngjarja. Në makinë isha i vetëm dhe kam qenë në ecje kur automjeti shpërtheu. Sapo ndjeva shpërthimin, jam hedhur nga makina vetëm që t’i shpëtoja asaj tronditjeje të fortë. Mbaj mend vetëm që në rrugë kishte shumë pak njerëz dhe pothuajse asnjë makinë që të kalonte. Di të them vetëm që është fat që jam ende gjallë.

Kush jua dha ndihmën e parë, kush ju solli në spital?

Nga makina kam dalë vetëm me një këmbë. Tjetra më kishte mbetur atje. Nuk e di mirë se sa metra rrugë kam mundur që të eci vetëm me një këmbë që të largohesha pak nga makina që shpërtheu. Kam mundur të dal deri në afërsi të rrugës kryesore. Në atë gjendje që isha, nuk mund të ecja më shumë. Kam bërtitur me të madhe që të lajmëronin policinë apo ambulancën, çfarëdo që të ishte. Në ato momente për fat ka ardhur një furgon i bardhë. Nuk e njihja fare se kush ishte shoferi, por ai më ndihmoi. Më hipi në makinën e tij dhe më pas më solli në spital.

Elton, si është gjendja juaj tashmë?

Tani jam më mirë. Një këmbë e humba, por jam me fat që jam gjallë pas gjithë asaj që ndodhi.

Atëherë, sipas jush, kush mund të jetë shkaku i atentatit dhe kush fshihet pas kësaj?

Unë dyshoj se shkak i ngjarjes mund të jetë një grabitje e bërë në Tepelenë mesnatën e 31 marsit të këtij viti. Di që kanë qenë 4 persona të maskuar e të armatosur që grabitën banesën e një të moshuari nën kërcënimin e armës dhe të dhunës. Një nga autorët ka qenë shoku i vëllait tim, Ervisit. Vëllai sapo ishte kthyer nga Maqedonia kur autori e ka marrë në telefon dhe i ka kërkuar që të shkonte ta merrte me makinë. Kur ka shkuar e ka marrë, tre personat e tjerë kanë qenë me maska dhe e kanë kërcënuar me armë vëllain tim që të shkonte ku t’i thoshin ata dhe të mos tregonte asgjë. Më pas ngjarja është zbuluar nga policia, pasi autorët në banesën e të moshuarve kishin lënë makinën dhe çantën me dokumente brenda. Ndërsa, vëllai im është në “Arrest me burg” për moskallëzim krimi. Ai është i pafajshëm në atë ngjarje. Kjo gjë është vërtetuar edhe nga policia, pasi nga tabulatet telefonike është vërtetuar që Ervisi ka shkuar në orën 2 e gjysmë me makinë dhe pa e ditur se çfarë kishte ndodhur më parë. Por, kjo që më ndodhi mua nuk është atentati i parë që na është bërë. Në korrik vëllait tim i është vënë rreth 600 gr tritol poshtë makinës së tij, por fatmirësisht nuk shpërtheu, pasi ai e konstatoi në kohë. Madje, edhe gjatë kohës që ka qenë në burg, persona të ndryshëm kanë tentuar t’i bëjnë keq. Nuk e di se kush fshihet pas gjithë këtyre gjërave, por di të them vetëm se çdo gjë ka lidhje me grabitjen në Tepelenë.

Keni dëshmuar në polici? Çfarë keni thënë?

Kam thënë të gjithë këtë që po jua them edhe juve. Dua që ngjarja të zbardhet sa më parë, pasi në rrezik nuk është vetëm vëllai im dhe unë, por edhe familja imë. Kërkoj mbrojtje nga policia, si për vete dhe vëllain tim që ndodhet në paraburgim, ashtu edhe për familjen time. Nuk dua që ngjarja të mbetet në harresë nga policia, por të zbulojnë se kush janë autorët dhe të dënohen.

1 komente në ““Nga makina kam dalë vetëm me një këmbë. Tjetra më mbeti atje!””

  1. piza says:

    Njerez te eger nuk ka si ne shqiperi .Te pameshirshem ,orandaj duhet burgu 30vjecar per kriminelet ,ndryshe Shqiperia nuk pastrohet nga kermat .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje