Për herë të parë në lidhje me “mosbindjen civile” kam nisur të mendoj seriozisht kur përfaqësues të lidershipit të PS (shumica anëtare të parlamentit, por jo vetëm) ngritën çadrat në Bulevardin përballë Kryeministrisë, në formë proteste ndaj vjedhjes së votave në zgjedhjet e 2009.
Nuk mund të them që ai lloj “sit-in” (ulje, sheshimi) ishte mosbindje civile, ndonëse ishte (njëfarësoj) mosbindje po aq sa edhe civile, nëse me këtë do të kuptonim thjesht “paqësore”.
Në fakt, me termin “civile” – kur bëhet fjalë për binomin “mosbindje civile” – gjithmonë është kuptuar “qytetare” dhe jo domosdoshmërisht “paqësore”, pasi mosbindja civile mund të jetë edhe me shfaqje të dhunshme (jo paqësore); pra, çfarë i jep një mosbindjeje karakter “civil” është kryesisht pjesëmarrja masive e qytetarëve, fizikisht por dhe si frymë proteste, gjë që bën edhe dallimin nga mosbindja e armatosur (sa për të dhënë një ilustrim).
Dje, gjatë protestës së Opozitës, z.Basha tha “… mosbindja civile filloi“!
Prej këtej edhe nxitja ime për këtë refleksion të dytë, të cilin po e ndaj me ju.
Mosbindja cilive mund të marrë forma dhe përmasa të ndryshme: nga thjesht Okupim/Pushtim të shesheve publike (kujtoni lëvizjen “Occupy” në Europën perëndimore dhe SHBA në 2008 kundër masave shtrënguese ekonomike që pasuan shpalosjen e krizës apo, në një farë mase edhe ajo e qytetarëve shqiptarë kundër “armëve kimike” që do të demontoheshin në Shqipëri – megjithë përfoljen për inskenim të manipuluar nga shërbimet e huaja sekrete), ku qytetarët thjesht rrinë dhe është vetë prezenca e tyre fizike në kampingje në mes të shesheve qendrore të metropoleve që i bën karshillëk qeverisë. Mosbindja civile mund të jetë e dhunshme, gjithashtu, e shoqëruar me djegie e shkatërrime të pronës publike e private (si në Los Angeles më 1992, Shqipëri më 1997, apo Paris më 2001). Mosbindja civile mund të jetë edhe paqësisht “e padukshme” e njëkohësisht jashtëzakonisht masive, si në Indi (në gjysmën e parë të shek.XX), gjatë përpjekjes për fitoren e pavarësisë nga kolonizatorët britanikë (lëvizja “Gandiste”).
Çfarë e dallon mosbindjen civile nga protesta e forma të tjera të demonstrimit, është një lloj masiviteti dhe, veçanërisht përkrahja që qytetaria (si shtresë e dallueshme nga fshatarësia, të paktën për realitetin shqiptar) i jep kësaj lëvizjeje. Fjala vjen, çadrat e mbushura me opozitarë në 2009, sipas vleresimit tim, nuk bien nën përkufizimim e “mosbindjes civile” (sado i gjerë qoftë ky përkufizim). Ai kamping ishte një protestë, tipikisht paqësore, që, përmes elementëve të dhimbshëm – prezentë në grevat e urisë (ato prej verteti, siç ishte dhe ajo) – mbajnë gjallë dhe shpalosin qendrimin e opozitës në lidhje me një çështje të caktuar.
Mitingu i djeshëm, megjithë degjenerimin në protestë të dhunshme, ndonëse ka disa elementë të çorodotur të mosbindjes civile, vuan mungesën e pjesëmarrjes së qytetarëve (jo thjesht si banues të qytetit) dhe mbështetjen masive prej tyre. Çfarëdo që të thotë kushdo, testi i mbështetjes së atyre vlerave/parimeve dhe ideologjisë që përfaqëson aktualisht Opozita jonë është fare i afërt: zgjedhjet e muajit qershor, ku ajo mori një rezultat minimal (edhe sikur ta shohim këtë rezultat nga perspektiva e pretendimit të përhershëm e të gjithë-ngjyrshëm që shoqëron a priori zgjedhjet shqiptare se “votat tona u vodhën”). Në këtë kontekst, pa bërë asnjë koment në lidhje me vlefshmërinë e kauzës opozitare, e cila – për mënyrën sesi e mendoj unë prej kohësh (dje, sot dhe nesër) – ka gjithmonë merita që i duhen njohur në përkujdesje të mbarëvajtjes së Demokracisë, miting-protesta e djeshme vështirë se mund të konsiderohet mosbindje civile (çka realisht as ia ul e as ia ngre meritat, ato që ka) dhe, më kryesorja, akoma më vështirë që të shndërrohet pas kësaj në një të tillë, duke njohur sensibilitetin negativ të shtresës së mesme ndaj dhunës.
Ruso thoshte se “popujt bëjnë revolta, revolucioni bëhet vetë”. Kujtoni p.sh., rrënien e diktaturës komuniste në Shqipëri; pse, vërtet mendoni se u bë “revolucioni” me një të rrëzuar të bustit të diktatorit e me pesë a gjashtë protesta studentore a të ngjashme?! Pa dyshim që jo dhe kjo është pranuar nën zë nga të gjithë, paçka se nderi na e do ta shpallin ndryshe në publik (situatë që gjithmonë më kujton shprehjen e një pedagogu tim pikërisht mbi këtë çështje se “peshku në ujë nuk e sheh dot detin”). Ndoshta, ndoshta, pikërisht mungesa e atij revolucioni që do ta kishte pluguar shoqërinë me themel po vuhet sot, por kjo dhe pasojat përkatëse janë temë për një refleksion tjetër.
Ndaj po i kthehem sërish paralajmërimit se “mosbindja civile ka filluar”, që u bë edhe sebepi i këtij komenti. Ajo që pashë dje, nuk ishte e tillë dhe s’ka për të qenë deri në çastin kur shumica e qytetarëve (dhe jo e vulgut social, gjithmonë të etur për shkatërrime) do të nisë ta përkrahë. Deri atëherë (fatkeqësisht), do t’i duhet qeverisë të gabojë shumë më shumë se sa deri më sot, sikundër edhe do t’i duhet opozitës të bindë qytetarët se ka idetë, qasjet, mentalitin etj., por edhe kapacitetet mendore e jo thjesht muskujt e krahëve e të fytit për t’a merituar mbështetjen. Në mënyrë që (metaforikisht) t’ia ulë shikimin arrogant pushtetit veçse me buzët e përveshura e vetullën e ngritur të dhjetra mijëra qytetarëve nëpër sheshe, e jo duke privilegjuar në djegie bunkerin “demokratiks” përballë atij “socialist”. Thirrja “idiotë të të gjitha zonave, bashkohuni!” besoj se nuk vlen më pas 25 viteve rropatjeje për demokraci.
Peizazhe.com
Kur vjen puna me djeg e me vjedh jane pothuaj “te gjithe” gati, per te treguar realisht mosbindje civile do t’i duhen shume kohe shqiptareve. Jemi popull i papjekur akoma dhe per fat te keq edhe keqperdoremi kollaj.
Po ky a eshte ai perfaqsusi PS ne Kqz? Po pse i qan hallin PD ky e i jep mend? Po nuk thua shyqyr qe dolen e ne fis e i kallen flaken tiranes qe ti shohe gjithe populli se kush jane
Opozita “Basha” (me Sali nxitesin) nuk kane asnjelidhje me temin “civil”, te mos i ngaterrojme gjerat. Kane dhene shume prova per kete, qe nga ’97, 21 Janari, apo edhe vetem menyra extreme e flakehedhese si flasin per cdo gje pa ditur te ndajne e trajtojne problemet.
Keshtu qe Basha le ta quaje si te doje, problemi eshte pse duhet te duroje pjesa tjeter e qytetareve protesta ASPAK CIVILE dhe te paguaje cdo here per rregullimin e ambienteve publike qe shkaterrohen?!!
Ju zoti Biba coni gjithmone uje ne ullukun tuaj me shume profesionalizem. Ju lumte! ?