FOTOT/ Shegë, aty ku dikur kishte dhunë dhe urrejtje. Si po shndërrohet ish-kampi i internimit ku u dërgua Liri Lubonja

12 Dhjetor 2015, 21:29Sociale TEMA
FOTOT/ Shegë, aty ku dikur kishte dhunë dhe urrejtje. Si po

Më 9 janar 1973, menjëherë pas Festivalit të 11-të, Enver Hoxha mbajti një fjalim ku kritikohej festivali dhe përgjegjësia direkt i vihej mbi supe drejtorit të RTSH-së, Todi Lubonjës.

Liberalizim i muzikës dhe teksteve, veshje dhe imitacion i këngëtarëve të huaj – ishte akuza. Në fund të marsit 1973, familjes Lubonja i komunikohet shpërngulja në Lezhë.

Nuk ishte asgjë në krahasim me atë që i priste: Kalvari i vuajtjeve sapo kishte nisur.

Pleniumi i IV i Partisë që do të mbahej më 26 qershor të atij viti merret sërish me Festivalin e famshëm.

Pas plenumit, mbahet mbledhja e organizatës, ku Liri Lubonjës iu kërkua haptazi ndarja me të shoqin, Todin, “për hir të djemve”, Fatos dhe Agim Lubonjës.

Liria refuzoi.

Pasojat do ishin fatale. Në fillim të korrikut 1973, ajo u përjashtua nga partia ku ishte pranuar qysh më ’44-ën.

Në tetor 1973, nga Instituti i Historisë ku punonte para 1973, dërgohet punëtore në një magazinë bujqësore në Lezhë.

Por më e keqja ende nuk kishte ardhur.

Në korrikun e 74-s arrestohet për agjitacion e propagandë djali, Fatos Lubonja. Dy ditë më pas i vihen prangat edhe vetë Todi Lubonjës.

Liri Lubonja dhe djali tjetër Gimi urdhërohen të lirojnë shtëpinë në Lezhë dhe Liria caktohet të pastrojë WC-të në Shtëpinë e Beqarëve.

Nuk kishte mbaruar.

Më 22 dhjetor të vitit 1982, Dega e Brendshme e Lezhës, i deklaron vendimin më të fundit të marrë nga komisioni i dëbim-internimeve: Familja Lubonja internohej në Fishtë. E po të njëjtin fat pati dhe familja e Fadil Paçramit.

Në librin “Larg dhe mes njerëzve” Liri Lubonja rrëfen për kampin e Fishtës:

“Zana (bashkëshortja e Fatosit) me vajzat dhe familja e Fadilit (Paçramit), kishin zbritur përpara nesh dhe i kishin sistemuar disi plaçkat. Mbasi shkarkuam edhe tonat, referenti i zbatimit të vendimeve penale që merrej me të internuarit pa dënime penale, na mblodhi për të na njohur me rregulloren. Për të marrë ujë duhej të shkoje 300 metra larg. Gimi mundohej të zbardhte me gëlqere muret e nxira.

Të vetmin frut që blemë më 1984, një kilogram mollë, e pruri Linda nga Tirana dhe ne e ruajtëm për Todin. Kur mbeteshim pa dru e më pas pa sobë fare, Lida trokiste në mur, shenjë ftese që të shkoja të ngrohesha te ta… Të gjithë dikush në heshtje, një tjetër me zë të lartë, ushqenim shpresa. Donim një amnisti që të kthente në shtëpi Todin dhe Fatosin. Më tej, as që na shkonte ndërmend të shpresonim. Ëndrrat” tona thurreshin për aty në Fishtë”

Por ndërsa shpresonin në ndonjë falje, familjen Lubonja e dënuan edhe pesë vjet të tjerë në internim.

Vetëm më 7 qershor 1987, pas 13 vjet burgu në Burrel, Todi Lubonja u bashkua me familjen e tij. Më 15 gusht 1989 morën faljen e internimit.

“Gjatë atyre viteve kisha bërë timen fjalën e urtë: I lumtur është ai që nuk shpreson në asgjë, sepse nuk zhgënjehet asnjëherë. Kur u nisëm për Tiranë, më dukej e pabesueshme se ai ishte një udhëtim pa kthim në atë vend. Sa shumë kisha mësuar nga e keqja, e egra, çnjerëzorja, por dhe nga e mira, njerëzorja, e ndershmja!”.

Sot kampi i internimit në Fishtë është vetëm një grumbull rrënojash.

Muret e ftohtë që kanë mbajtur brenda aq shumë dhimbje dhe ëndrra të thyera, sot janë rrënuar.

Ende dallohet dhoma e izolimit mes ferrave. Ishte ndërtuar e tillë që të mos mundje të rrije as shtrirë as në këmbë.

Por jo të gjithë presin thjesht rrënimin e plotë të atyre godinave.

Altin Prenga, kuzhinieri i famshëm i Mrizit të Zanave ka diçka tjetër në mend.

38-vjeçari shqiptar, – të cilin Vogue e shpallte në 2013 si një ndër katër shefat e kuzhinës që po revolucionojnë gastronominë botërore dhe që na përsërit shpesh se gjëja për të cilën ka më shumë nevojë Shqipëria sot është “pakëz pozitivitet” – po e shndërron ish-kampin e Fishtës në një pikë grumbullimi dhe laborator të përpunimit të shegëve.

Dhjetëra banorë të zonës që mbjellin shegë, aty ku dikur shihnin “armiqtë e regjimit” sot shohin një shpresë për rimëkëmbje ekonomike.

Altini blen prej tyre prodhimin dhe e magazinon në disa fuçi të mëdha të renditura brenda mureve të ish-kampit të internimit.

Vizitorët e panumërt të Mrizit të Zanave do kenë patur rastin të provojnë mes gatimeve unike të Prengës edhe lëngun e shegës, të servirur në kokrra shege të gërryera dhe të përshtatura si “gota natyrale”.

Ato shegë vijnë prej aty, ku dikur sundonte humbja dhe izolimi.

Si për të na dhënë kumtin e një cikli shndërrimi të vdekjes në jetë, të dhunës në përkujdesje, të urrejtjes së verbër në dashuri për punën dhe për tokën./ Dita

12 komente në “FOTOT/ Shegë, aty ku dikur kishte dhunë dhe urrejtje. Si po shndërrohet ish-kampi i internimit ku u dërgua Liri Lubonja”

  1. bibroni says:

    dhimbja eshte e madhe, por leri njerezit e thjeshte te tregojne persekutimin. Ne rastin tend ishte lufte brenda llojit dhe te a te provosh kampet e sistemit qe kishte ndertuar.
    Na lejo ta degjojme vuajtjen nga njerez qe kundershtuan regjimin e jo nga njerez qe rane nga karrikja e regjimit.

  2. Moisi Golemi says:

    Alamet ndertese paska qene. Me dhoma te bollshme, dritare te medha, drite e hapesire. Me mire se shume shtepi sot neper fshatra. E te perfytyrosh qe behet fjale per para 40 viteve.

  3. Gjindje e pashkolle says:

    Ne shkurt te 1973 ne 40 vjetorin e lindjes se Todi Lubonjes vete Enver Hoxha ju vajti ne shtepi dhe jo vetem i uroi tere familien por dhe i dergoi nje dekorate te larte . Familia Lubonja jetonte ne shtepine e Fedhon Meksit sekuestruar nga PPSh se bashku me familien e Peti Shamblli . Liria , Fatosi po te kene guxim le ti botojne fotot e tyre me udheheqesin e dashur e te shtrenjte per ta . Kur Liria , Todi etj. provuan internimet me perpara prej tyre e kishin provuar me mijra e mijra te tjere dhe nuk donin tja dinin per ta , ishallah hapen dosjet dhe do te shihni firmat e bemat e tyre ndaj te perndjekurve . Lufta per pushtet dhe vetem lufta per pushtet i coi ato ne burg dhe internim ndersa te tjeret te persekutuar vuajten per liri , demokraci , te drejta njeriu , pluralizem , perendim . Ketu qendron ndryshimi midis ketyre komunisteve qe mbeten dhe sot me ne krye Fatos Lubonjen .

  4. Francesk Armadhi says:

    Artikull pa lidhje ! Se pari fshati Fishte nuk ishte shkretetire qe nuk mbinte asgje dhe se dyti ky nuk ja detikoi sheget Liri Lubonjes dhe vuajtjeve te saj por bisnesit te tij!

    1. EleΥΘeriskeΨi (1) says:

      Nuk paske kuptur gje !!
      Eshte menyra e re e reklamimeve te nje aktiviteti – bisnezi !
      TemA sa u paguat per kete reklamim?!!

  5. TJ says:

    Todi dhe te tjeret e kishin nga e mira! Ju zuri Perendia syte dhe e mira u mori mendjen! Mendjemadhesia dhe narcizmi i kane shpene atje ku shkuan por edhe sot! Shikoni Fatosin ! Nje plehre llapaqeni ! Njelloj si ne kohen e Enverit ben edhe sot!

  6. BUJARI JU DEGJON says:

    A shikon dikush ndonje kokerr shege?…

  7. A says:

    Fshati FISHTE ndodhet ne nje kryqezim te rruges LEZHE me SHKODER, njesia administrative Blinisht, rrethi dhe qarku Lezhe. Ben pjese ne krahinen e Zadrimes qe eshte e ndare ndermjet Shkodres dhe Lezhes.
    Fshati FISHTE eshte vend lindja e patriotit te madhe dhe poetit gjigant epik me vepren poetike “LAHUTA e MALESIS” te Klerikut te Krishtere Katolik At GJERGJ FISHTA.
    Ka nje natyre te bukur dhe me pamje te bukra, ketu eshte ndertuar edhe lokali Bar-Kafe-Restorant “MRIZI i ZANAVE.
    Ne dicka le shume per te deshiruar qe qeverite e ketyre 25-se viteve demokraci, duke perfshire Ministrite e Kultures dhe Institutin e Monumenteve te Kultures kane lene ne meshire te fatit duke u rrenuar shtepine e lindjes te KOLLOSIT te Patriotizmes dhe Letrave Shqipe At GJERGJ FISHTES, duke elene ne meshire te fatit.
    Sa per punen e FATOS LUBONJES dhe te babait te tij TODI LUBONJES vijne nga shtresa e mesme e nomenklatures komuniste, sepse TODI maksimumi ishte anetar i Komitetit Qendror te Partise Punes se Shqiperise dhe komunist i thekur, sepse mbas internimit dhe burgosjes se tij kur u lirua “shoku” TODI e tha hapur qe per mua eshte shok dhe mik akoma RAMIZ ALIA dhe idealet e mia komuniste qendrojne akoma ne mendjen time. Ne lidhje me FATOS LUBONJEN lexon, studion, por eshte nje sharlatan analist, i cili merr neper gojen e tij te flliqur deri Heroin absulut Kombetar te Krishterin Katolik GJERGJ KASTRIOTIN – SKENDERBEUN me cpifje dhe sajesa qe i din vetem ai. Tung.

  8. TJ says:

    A e njifni Lubonjen o shqiptare,ku jeni ne te gjithe boten?! Lubonja eshte Narcisti me i madh te pakten ne Shqiperi! Shikoni Lubonja, avokat Ngjela .Blushi, Rama edhe disa te tjere kane mendesi tjeter! U rriten duke mos ju munguar gje! Kane tjeter mentalitet! Nuk e di per mire apo per keq por jane ata, qe ju pelqen vetem mendja e tyre dhe te tjeret u duken si miza! Nuk e di ne e dini historine kur Klichkov do te ndeshej me Tyson! I thane se keta dy vellezerit ishin rritur dhe edukuar qe te vegjel me ndjenjen e superioritetit dhe Tyson u be ne moshen 19 vjet dhe kishte edukim tjeter ! Dhe Tyson humbi ndeshjen! Keshtu jane edhe keta me Lubon ne krye! Kujtojne se jane race e perzgjedhur pavaresisht se ‘eshte djall me brire Cakerr “. Megjithate Rama po mundohet te beje shtet dhe duhet mbeshtetur! Edhe une deshiroj, qe kur te vij ne Shqiperi ta ndjej veten ne nje shtet modern, qe Shqiperia nuk e ka pasur kurre

  9. Leone-53 says:

    Jam “dakort” me pjesen e pare z.TJ dhe jo per pjesen ku thua se Rama po perpiqet te bej shtet!
    Me sa shkruan kuptohet se jeton jashte, sikurse dhe une, por mos i biso kesaj te fundit se po “nderton shtet” ai njeri qe ka lindur e eshte ritur ne kulisat e komunizmit e mbi te gjitha mos harro se zotnia(Rama) pas 11 vjetesh si kryetar i metropolit shqiptar Tirane deklaronte nje pasuri 2000 dollare e i pa strehe!…
    Ose nje diçka te “vogel” para 1 viti pranoj qe PARTIA E TIJ te kandidonte ne Krujen e tij te afert nje njeri qe ketu afer Milanos time (Vareze) ne qershor te 2010 eshte arrestuar me 6 “kaçak” shqiptare te tjere per droge etjera…
    Cioa!…

  10. noah says:

    Ne ishim të gjithë të internuar dhe të burgosur. Njeriu nuk burgoset vetëm fizikisht. Burgu më i keq është ai shpirtëror, burgu ku na futi diktatura, burgu i ndjenjave, torturës e asaj që shikonim e dëgjonim dhe kafshonim gjuhën, burgu i frikës dhe tmerrit pa fund, burgu pa mure, por me tela me gjëmba, me klon, burgu me bunkerë e tunele pa fund burg-burg -burg internim-internimn-internim…Dhe përsëri burg-burg-burg… O Perëndi deri kur?

  11. Abc of democracy says:

    Vetem shege nuk shoim

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje