“UÇK, mos e prek”...1999-2015

22 Dhjetor 2015, 09:27Blog TEMA

Nga Arbana Xharra

“Zoti nalt, unë poshtë”, i thotë Rrustem Rukolli, një biznesmen ky i afërt me ish- komandantin e luftës Sami Lushtaku, blerësit legjitim të një lokali në qendër të Prishtinës, kosovarit nga Zvicra, Xhevat Sadrijaj, i cili ka paguar 144 mijë euro në vitin 2011 në procesin e privatizimit dhe tash katër vjet nuk mund ta ketë pronën e tij në dispozicion. Rukolli është uzurpator në qendër të Prishtinës. Pra këtij biznesmeni, që është ngritur në krah të një komandanti të luftës, tash 16 vjet s’ka çka t’i bëjë as Policia e as drejtësia. Një grup ky interesi, i fuqizuar në emër të luftës që sot pos fuqisë financiare kanë arritur të kenë pushtet edhe mbi ligjin dhe gjithçka që quhet shtetërore, është vetëm një nga disa rastet që kolegu im, Lavdim Hamidi, ka zbuluar nga hulumtimi i tij disamujor për uzurpatorët e pronave nëpër Kosovë dhe lidhjet e tyre me politikën.

Shtrirja e tyre është mundësuar me ndihmën nga të emëruarit politikë, derisa qytetarët e mjerë frikësohen me “tytën e pushkës që bart emblemën e matrapazëve të UÇK-së”. Këta nuk e njohin ligjin, sepse ata thonë se e “kanë bërë Kosovën shtet” e në emër të luftës sot arsyetojnë milionat që kanë bërë nga 1999-ta. Ec e guxo gjykatësit e prokurorët të merren me këto grupe, as mendja t’ju shkojë bile! Sistemin e drejtësisë e kemi për t’u marrë me kundërvajtjet në komunikacion. Për derexhenë e sistemit të drejtësisë tregon një rast kur gjykatësi i Themelores i ka dhënë të drejtë uzurpatorit të pronës, lokalit pak metra larg Kuvendit të Kosovës, organit më të lartë legjislativ në vend. Blerësi, i cili me vullnet kishte ardhur para disa vjetësh ta privatizojë lokalin me mbi 182 mijë euro, tash sa vjet ballafaqohet me uzurpatorin, i cili del të jetë zyrtar shtetëror që në “emër të Allahut” ka kërkuar vota për të qeverisur “me nder”. Fahredin Majkovcin, një zyrtar i lartë në institucionet shëndetësore të Kosovës dhe udhëheqës i Degës së Prishtinës në Partinë e Drejtësisë, parti kjo që identifikohet me islamin, qe dy vjet nuk ia lëshon pronën blerësit legjitim, duke thënë se “dikur i ka punuar në këtë ndërmarrje babai i tij”.

Njëjtë sikur unë të nisem e ta zaptoj ndërmarrjen shoqërore “Metaliku” në Gjakovë, sepse babai im, Fehmi Xharra, ka punuar dikur aty! E sikur të fillonte dhe mbaronte fenomeni i uzurpimeve me një Sami Lushtak dhe këtë besimtarin e “ndershëm”, që i fal pesë vakte namaz. Në qendër të Prishtinës grafitet “UÇK, mos e prek” janë fshirë, por krahu i luftës e persona me lidhje direkte me politikën, shumica prej të cilëve mbajnë peng prona milionëshe të zaptuara, s’ka kush që i prek. Kjo mendësi e zaptuesve, e mbështetur institucionalisht nga politika ka bërë që sot mbi 100 ndërmarrje të privatizuara të mbesin për më shumë se një dekadë të uzurpuara, ku blerësve nuk u njihet e drejta ligjore e pronës. Sepse s’ka vendim gjykate e as prokurorie që guxon të merret me ta.

Dëshmi, fakte e argumente, dokumente të vulosura… gjithçka ekziston, që në një shtet normal ku sundon ligji këta individë e grupe banditësh sot do të ishin në burgun e sigurisë së lartë, në Dyz, e jo në Qeveri dhe në Parlament. Ku nuk do të mjaftonte vetëm dënimi i tyre, por edhe konfiskimi i pasurisë që në mënyrë të jashtëligjshme është rritur marramendësisht. Cili investitor me dy parë mend në kokë ia mësyn Kosovës në krye me banditë e rrjete kriminale, të shtrirë në tërë Kosovën, pozitë e opozitë? Kush është ai i marrë që vendos të sjellë paranë e tij për të investuar në një shtet, ku bosët e krimit dhe korrupsionit kanë lidhje direkte me udhëheqës të shtetit dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës. Në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë, Selvie Zhushi, një biznesmene nga Prishtina me shtetësi kosovaro-britanike, ka blerë lokalin ku ndodhet kafeneja “PiazZa” për 402 mijë euro, por jo edhe të drejtën e posedimit të saj.

Uzurpatori me lidhjet e tij në politikë, Sami Xheladini, nuk e lëshon lokalin sepse i lejohet të përfitojë mijëra euro në muaj nga krahu i fortë, diku lart në Qeveri. Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) nuk merr përgjegjësi edhe pse paratë janë paguar në xhirollogarinë e saj. E pritshme sepse AKP-ja është në duart e pushtetit dhe si e tillë kërkohet të mbahet në vazhdimësi nga kushdo që vjen në Qeveri. Këtë e dëshmon edhe lufta e partive në koalicion për emërimin e njerëzve të tyre në Bordin e AKP-së, sepse është adresa ku shndërrohesh në pasanik me prona shtetërore. Kur lexova kriteret e BE-së për liberalizimin e vizave, mu dukën qesharake në krahasim me gjendjen në terren. Një shtet si Kosova me kriminelë, që na bredhin sheshit të Prishtinës, nuk i duhet Evropës. Një shtet i gjunjëzuar karshi një grupi kriminal, që s’po ka kush çka i bën tash 16 vjet, ku 1.8 milion banorët e saj po e paguajnë faturën e izolimit. Evropa nuk ka faj për mosliberalizim të vizave, ajo ka faj për dështimin e misionit të EULEX-it, që la të lirë kriminelët e Kosovës!

12 komente në ““UÇK, mos e prek”…1999-2015”

  1. tfgs1. says:

    te gjth keta krimiele kosovare livadhisin te lire ne trekendeshin KOSOVE-TURQI-SHQIPERI……….

  2. Bled says:

    E dashur Arbana, ne Shqiperi ka gjithnje e me pak gazetare si ti. Shpresoj qe “rraca” juaj te shtohet andej e kendej kufiri.
    Me dhemb shume qe njerezit qe luftuan, paskeshin luftuar per prone e para.
    Me dhemb po ashtu qe nje i ashtuquajtur musliman, i nje partie te ashtuquajtur muslimane (te tille nuk jane) jane ata qe shkelin qytetarin me kembe.
    Puno sic ke bere e po ben. Njerezit e ndershem i ke nga pas si ne Tirane, si ne Prishtine.
    Me shume respekt,

  3. Kendveshtrim says:

    Ti moj Arbana, meso njeher te shkruash e ndertosh fjalit e gjuhes Shqipe,meqe e mban veten per gazetare.
    Me kto fjali te gjata te lodhshme, pa pik e pa presje, e me kto historira te treguara gjysma gjysma, te lodh e si lexues nuk kupton asgje se ku do te dalesh me kto thashetheme.
    Nuk kuptoj dhe Temen qe i jep hapsir ksaj gazetares ne kte rast.

    1. Jeronim de Rada says:

      Znj. Arbana eshte shume objektive dhe e guximshme, prandaj e falenderoj gazeten qe na ben te mundur qe t’i lexojme opinionet e saj!

  4. Ben says:

    Me nje fjale shtet kaçakesh.Se kuptoj si quhet shtet ky vend.

  5. Iliri says:

    Respekt Arbana,
    je nje ze i fuqishem dhe real i se perditshmes sone.
    Zoti te rujte e te ndihmoftë.

    Shendet e sukses edhe ne te ardhmen.
    gjithe te mirat
    Iliri

  6. DRENICAKU says:

    Te apostrofuarit po i njof dhe me te drejt Arbana i pershkruan !
    Une kame punu 12 vite ne ndermarrjen shtetrore ndertimore ku sot atu eshte ngritur firma Rukolli dhe nuk guxon kush me ban ankes qe e ka ozurpu ate vend .
    Me qe une nuk jeteoj ne Kosove nuk po mundem me i taku ish puntoret e ndermarrjen ndertimore Graniti per ta ber bashkarisht nje kerkes ne AKP per tna i kthyer paret qe kta ozurpator i kane marr.
    Edhe nje problem eshte qe Arbana nuk e ka cek.
    Cfar me ban pershemubull me puntort e firmes Rukolli nese kjo firm ose pronari burgoset jane mbi 200 puntor dhe eshte shume e zorshme me i debu ne rrug kta njerz.

  7. DRENICA E KUQE says:

    LKJ-LDK, mos e prek 1945 – 2015! Ky eshte realiteti i hidhur. I biri i komunistit Rexhai Surroi i ka uzurpuar te gjitha pronat e popullit shqiptar ne Kosove dhe ti s’e ke shkruar as edhe nje germe te vetme kunder tij dhe kunder asnjerit krah “shqiptar” te komunistave te Rankoviqit e ter Titos… Mos rruaj ve kot se ktoi se nuk e beson kush fjalen tende te “pa anshme”…

    DRENICA E KUQE

    1. Jeronim de Rada says:

      Duket qe edhe te paret e tu ishin te kuq.

  8. Oligarku says:

    O Ben, mos hiq shume per te kuptuar se nuk eshte per ty te vesh trurin ne pune, shko ne greqi se aty nuk ka ksi gjerash e mos na rruaj trapin. A…se per pak harrova…merr dhe tfg-skatane me vete se ketu te ne do i bjere zali me gjithe kete zeval qe po perjeton duke qene qe rri si krimb strukur dhe vetem shqepet bythesh kunder shqiptareve!

    Te fala janulles

  9. faikonica says:

    Bravo moj Xharra,me njerez profesionista a dinjitoz si ju ka njifare shpreset ky komb

  10. Lili says:

    Di gje arbana per si u be multimillioner pa droni i saj e si zaptoj prej shtypshkronjes qe amerika solli per shtypin e kosoves déri tek gjithe rrugen kryesore te Prishtines?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje