Në prag të vitit të ri 2015 prindërit Loxha me prejardhje nga Kosova dhe me vendbanim në Winterthur të Zvicrës njoftuan policinë zvicerane se dy fëmijët e tyre, atëbotë 15 dhe 16 vjeç, ishin zhdukur pa gjurmë. Babai i fëmijëve udhëtoi i tmerruar në Turqinë jugore, ku thuhej se ishte lokalizuar sinjali i telefonit mobil të njërit fëmijë. Ai ishte i bindur se fëmijët e tij, pasi ishin radikalizuar prej imamëve që kishin simpati për terrorizmin islamik, kishin udhëtuar në Turqi dhe nga atje i ishin bashkuar milicisë kriminale të quajtur «Shtet Islamik».
Dymbëdhjetë muajt e fundit për familjen Loxha kanë qenë një dramë. Por në prag të vitit 2016 fëmijët e tyre, djali 17-vjeçar dhe vajza 16-vjeçare, janë kthyer me avion nga Turqia në Zürich. Policia zvicerane i ka arrestuar menjëherë dy të rinjtë dhe me ta po merret Prokuroria për çështje të të rinjve. Një prokurore ka thënë se të rinjtë janë mirë me shëndet.
Pas ikjes së fëmijëve të tij nga Zvicra kreu i familjes Loxha kishte shkuar qytetin Adana. I dëshpëruar ai kishte alarmuar edhe policinë turke dhe kishte mbajtur në dorë fotografitë e fëmijëve të tij derisa po ecte rrugës së qytetit Adana.
Pas ikjes së fëmijëve mediumet zvicerane njoftuan se fëmijët kishin ndjekur mësim fetar në organizatën «el-Furkan», e cila ka një xhami në fshatin Embrach afër Aeroportit të Zürichut. Kjo xhami është përmendur disa herë si pikëtakim i radikalëve islamikë me origjinë nga Ballkani. Në Gjermani «el-Furkan» vëzhgohet nga shërbimi sekret për shkak të dyshimeve mbi aktivitete të paligjshme. Në xhaminë e Embrachut thuhet se predikonte imami Selman Ramadani. Ende nuk dihet se nga cili territor shqiptar në Ballkan rrjedh ky person. As për vendndodhjen e tij nuk ka të dhëna. Me gjasë ai ndërkohë ka ikur nga Zvicra.
Organizata «el-Furkan» ka shtrirë aktivitetet e veta në Zvicër para rreth tri viteve, duke u përqendruar sidomos në joshjen e të rinjve shqiptarë dhe indoktrinimin e tyre përmes interpretimit radikal të fesë islame. Autoritetet lokale janë shprehur të shqetësuara për praninë e kësaj organizate në Embrach.
Në radikalizmin fetar të të rinjve shqiptarë edhe në diasporë viteve të fundit kanë luajtur rol veçanërisht predikimet e rrezikshme të imamëve radikalë si Shefqet Krasniqi apo Mazllam Mazllami. Disa prej këtyre imamëve viteve të shkuara kanë vizituar rregullisht komunitetin shqiptar në Zvicër, ku kanë mbajtur edhe «ligjërata» mbi gjoja fenë islame, në fakt predikimet e tyre kanë qenë kryekëput të lidhura me zhvillimet në Siri. Vizitat e tyre janë organizuar prej shoqatave fetare që drejtohen nga njerëz lehtë të manipulueshëm dhe pothuaj të paintegruar në Zvicër. Përkundër njohurive se bëhet fjalë për imamë kundërthënës, ata nga ambasadat perëndimore në Prishtinë janë pajisur rregullisht me viza Schengen. Imami Shefqet Krasniqi është ftuar dhe ka marrë pjesë në takimet vjetore të të ashtuquajturit Këshill Qendror Islamik i Zvicrës, që drejtohet nga Nicholas Blancho, një konvertit agresiv zviceran, i cili po ashtu është nën vëzhgim të autoriteteve. Blancho është i martuar me një grua nga Jemeni dhe ka dy fëmijë. Sipas një raporti të gazetës «SonntagsZeitung» të Zürichut, Blancho ka braktisur familjen dhe bashkëjeton në Bernë me gruan e tij të dytë – një shqiptare të re me shtetësi zvicerane.
Dy fëmijët e familjes Loxha, të cilët tani janë kthyer në Zvicër, ishin radikalizuar në vitin 2014. Sipas hulumtimeve të gazetës «Tages Anzeiger» vajza e familjes Loxha pak javë para se të ikte në drejtim të Turqisë ishte shfaqur në shkollë e veshur tërësisht në rrobe të zeza. Drejtoria e shkollës kishte ndërhyrë dhe i kishte njoftuar prindërit e saj, të cilët, siç thanë, nuk kishin qenë fare në dijeni për radikalizimin e bijës së tyre. Ata nuk e dinin po ashtu se e bija e tyre po shkonte me shami në shkollë. Një e afërme e familjes Loxha tha para një viti: «Ne të gjithë ishim të tronditur». Ajo po ashtu tha se askush në familje nga simpatizon islamin radikal. Prindërit ia kishin tërhequr vërejtjen vajzës së tyre, por kjo s’kishte bërë punë. Për të fshehur planet e saj për të udhëtuar në Stamboll vajza kishte thënë se do të flinte te një shoqe. Në shkollë arsimtarët besuan fillimisht se nxënësja me rrënjë kosovare ishte e sëmurë Bashkë me të në Turqi kishte shkuar edhe vëllai i saj, i cili supozohet se kishte ndikim të madh mbi motrën e tij. Në verën e vitit 2014 ai bashkë me disa shokë kishte shkuar në Mekë. Pas kthimit grupi i të rinjve kishte ndryshuar pamjen – duke lëshuar mjekrën dhe rruar flokët. Një anëtar i këtij grupi më vonë po ashtu iku në Siri. Përveç në xhaminë «el-Furkan» të rinjtë dyshohet se janë bërë fanatikë fetarë edhe në xhaminë «an-Nur» në periferi të Winterthurit. Ky objekt kulti në komunitetin shqiptar në Winterthur njihet si «xhamia e arabëve», por një rol prominent në udhëheqjen e saj luajnë edhe disa shqiptarë. Pas ardhjes në Zvicër dy të rinjtë janë takuar për pak çaste me prindërit e tyre, të cilët refuzojnë çdo prononcim për mediume.
Qyteti i Winterthurit është shndërruar në një lloj qendre të radikalizimit të të rinjve shqiptarë. Në qytet ka edhe dy xhami shqiptare, por krerët e tyre me gjasë nga frika qëndrojnë kryesisht indiferent ndaj fenomenit të ekstremizmit islamik. Nga Winterthuri kanë shkuar në Siri jo vetëm të rinj anonimë shqiptarë dhe zviceranë të konvertuar në fenë islame, por edhe një sportist që mund quhet figurë prominente e sportit. Ai quhet Valdet Gashi, i cili ndërkohë është vrarë në rrethana ende të paqarta. Në tetor të vitit 2014 Gashi paralajmëroi se do të pushonte për një kohë të gjatë. «Më duhet një pauzë», tha ky tai-boksier nga Singeni buzë Liqenit të Konstancës. Ai kishte arritur të gjitha që në sportin e tij arrihen: kampion bote në kik-boks dhe kampion gjerman në tai-boks. Gashi, i cili është rritur në Oberpfalz, kishte thënë se do të shkonte në Tajlandë për të trajnuar. Edhe familja e tij i besonte kësaj përralle të tij.
Por as familjarët e tij nuk e dinin një gjë: Gashi nuk shkoi në Lindjen e Largët, por në Siri. Si gati 700 selafistë të tjerë gjermanë edhe ky shqiptar nga Kosova iu bashkua milicëve të Shtetit Islamik (IS). «Po, unë jam pjesë e sistemit», u përgjigj ky 29-vjeçar përmes postës elektronike, sipas mediumeve gjermane. Ai thoshte se nuk po merrte pjesë në luftime, por ishte duke ndihmuar në rajonin Membij/Jartablus në mbikëqyrjen e kufirit pranë lumit Eufrat. «Këqyrim nëse ka kontrabandistë, që sjellin ilegalisht mallra, për shembull cigare, alkool dhe drogë. Këto janë të ndalura plotësisht këtu», shkruante Gashi.
Ai thoshte se bart armë dhe ka qenë dëshmitar i prerjes së kokave. «Kam parë se si një spiuni, i cili i kishte dhënë armë dhe shitur informacione (partisë kurde) PKK, i është hequr koka». Ai shkruante se qëllimi i heqjes së kokës publikisht ka për qëllim frikësimin. Po ashtu ai thoshte se patrullonte në lokalitete të ndryshme dhe kujdesej që të respektoheshin ligjet e islamit, siç konsideron IS. «Shyqyr zotit, deri më tani s’kam qenë i shtyrë të përdorë armën», shpjegonte ky ish-sportist i disiplinave luftarake.
Gazeta «Augsburger Allgemeine» pyeste: «Si bën vaki që një njeri nga një qytet i vogël i Gjermanisë jugore të marrë kallashnikovin në dorë dhe t’i bashkohet një grupi të terrorit, i cili e frikëson dhe tmerron botën? Përse ai për hatër të IS e lë gruan dhe dy vajza të vogla në Liqenin e Konstancës?» Gashi thoshte se si mysliman i bindur ai dëshironte t’u ndihmojë vëllezërve të tij të fesë në Siri – «pleqve, të rinjve, vejushave apo të varfërve». Ai dëshironte «të hulumtojë se çfarë po ndodh këtu me të vërtetë». Dhe ai përbetohej: «Nuk kam asnjë njollë gjaku në duar dhe ndërgjegjen e kam të pastër».
Valdet Gashi ishte 6-vjeçar kur familja e tij u arratis nga Kosova në Gjermani. Babai i tij ishte polic në atdhe, ai dëshironte ta shpëtonte familjen nga lufta, dëshironte t’u mundësonte bijve të tij një jetë të mirë, pa shqetësime, familja ishte mbi të gjitha. Gashi u rrit në Neumarkt në Oberpfalz, këtu ai jetoi mbi 13 vjet dhe përmes një shoqate sportive filloi të merrej me kik-boks.
Në shtëpi feja islame nuk luante rol të madh. Kuranin Gashi e zbuloi më vonë, kur në internet hasi në predikues të zhurmshëm si konvertiti gjerman Pierre Vogel. Në pjesën tjetër ndikoi aksioni i diskutueshëm i misionarëve të «Lies!» («Lexo!»), me ç’rast selafistët gjermanë në pranverën e vitit 2014 shpërndanë Kuranë në rajonin e Liqenit të Konstancës. Sipas njohurive të shërbimit sekret gjerman çdo i pesti luftëtar gjerman në Siri është radikalizuar përmes këtij projekti.
Me vjen keq te them ,po mire jua bejne ,si more Zwicerjane jeni kaq Idjote dhe lejoni Xhami te tilla ne Zemer te Europes, dhe pastaj qaheni se ka terrorizem,
Vejini asaj xhamije Tritol, qe te shpetojne dhe Moslemanet e ndershem,Perendimi eshte mbushur me xhami fallco qe predikojne vetem terrorizem,dhe keshtu edhe ata moslimane te ndershem duhet te vuajne kete Idjotesi te Perendimit,sipas vendit behet Kuvendi, ai qe do xhami le te shkoj ne vendin e tij dhe te Falet si te doje, se keshtu Lutjet e tij do te degjohen vertete,
Nuk ka xhami te mire!
Qe nga momenti qe e shtin kamen ne xhami tka rru dreqi je budallaku tka ban per veti muhamuti.
E shifni disa futbollist se ne cfar situate i ka sjell Shefqet Krasniqi (Cerkezi rus).
Mergim Mavrajn,Valdet Rama,Aban Mehaj nga Perk-azi jau ka q… nane i ka budallaku.
Jame krenar qe spjerdhi as per kish e as per xhami.