Dënimi me vdekje i imamit shia Nimr al-Nimr nga autoritetet saudiane ka tensionuar marrëdhëniet e kësaj të fundit me Iranin e mullahëve. Ky eskalim është i rrezikshëm, pasi pritet të thellojë krizat në Liban, Siri, Irak, Bahrejn dhe Jemen, deri te tokat tjera të pasura me naftë.
Sipas Amnesty International gjatë vitit 2014 në Iran janë ekzekutuar 700 persona, prej të cilëve nuk janë kursyer edhe minorenët. Mirëpo dënimi me vdekje i imamit al Nimr dhe vrasje e tij para pak ditësh u bë shkak i ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike mes të dyja vendeve. Ajotollah Khomeni tha se “dënimi hyjnor do zbresë mbi saudët”, ku pak më vonë ambasada dhe konsulata e Arabisë Saudite në Teheran dhe Mashhad (qyteti i dytë më i madh iranian) u dogjën nga protestuesit e dhunshëm. EBA dërguan notë proteste, ndërsa Bahrejni u dha afat diplomatëve iranianë 48 orë të largohen nga ishulli.
Arabia dhe Irani konkurojnë në shumë vende arabe, në bazë të ndjenjave sektare e fetare ku duhet të jetë edhe konflikti bazë.
Më poshtë ju sjellim një shikim të shkurtër për gjithë ngjarjet e kohëve të fundit, për të kuptuar më lehtë situatën.
Siria
Diplomacia europiane dhe amerikane mezi arritën të ulin në një tryezë përfaqësuesit e të dyja vendeve për krizën siriane. Në takimin e Vjenës, 30 tetor 2015, ata u ulën sëbashku, pavarësisht mendimeve katërcipërisht të kundërta për fatin e diktatorit Bashar al Assad. Megjithatë, ministri i jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeir, e paraqiti konferencën si të suksesshme.
Irani dhe Arabia janë prezente në Siri dhe ndjekin situatën hap pas hapi. I pari, ndihmon me liferimin e armëve, parave dhe ushtarëve për të ruajtur tokat e pakta që kanë mbetur nën regjimin e familjes alevite (shia) Assad. Gjithashtu trupat libaneze të Hizbollahut (grup i armatosur shia nga Libani) janë ushtarët e vërtete që luftojnë kundër rebelëve, pasi pa ato, ushtria e regjimit sirian s’do mund të ruante udhëheqjen në perëndim të vendit.
Arabia Saudite në anën tjetër prej fillimit të Luftës Civile në Siri ka kërkuar dorëheqjen e diktatorit Assad, duke mbështetur me armë dhe financiarisht grupet rebele, por sipas shumë organizatave për të drejtat e njeriut, ata mbështesin edhe grupet e afërta me al- Kaidën si al-Nusra Front.
Pas vrasjes së al-Nimr, preteksti do shtohet dhe zgjidhja e krizës siriane shumëzohet me zero. Lufta për ndikim mes saudianëve dhe ajotollahëve mbetet e njejtë!
Edhe vendi jugorperëndimor i gadishullit arabik është pjesë e luftërave civile mes ISIS, regjimit të mbështetur nga vendet arabe dhe rebelët Huthi të mbështetur nga Irani. Lufta për Jemenin ka eskaluar para pak muajsh, kur koalicioni i vendeve arabe të udhëhequra nga Arabia Saudite filluan bombardimin ajror dhe ofensivën tokësore kundër rebelëve të Huthit, që de fakto kontrollojnë pjesët strategjike të vendit. Brenda katër muajsh janë vrarë rreth 6000 civilë të pafajshëm në Jemen si pasojë e luftimeve, ndërsa thellimi i krizës arabo-iraniane vetëm se do tensiononte edhe më tepër Jemenin, vendin më të varfër arab.
Pas rrëzimit të diktatorit Sadam Husejn, 2003, popullata sunite është margjinalizuar sistematikisht nga qeveria shia e Nuri al Malikut. Kjo e fundit, e ndodhur mes rrezikut të Shtetit Islamik, ka një aleat gjeostrategjik, Iranin, ndërsa Arabia Saudite luan rolin e gardianëve të muslimanëve suni në Irak.
Pas keqësimit të situatës mes dy vendeve, edhe Iraku përballet nga eskalimi i luftës sektare që ka kapluar vendin prej më shumë se dhjetë vitesh.
Libani
Prej 2014, kur i mbaroi mandati presidentit Michel Suleiman, Libani nuk mund të gjejë president konsensual. Lufta sektare mes krishterëve, sunive dhe shiave ka futur në kaos shtetin, duke të rikujtuar luftërat civile të para disa dekadave. 34 zgjedhje për president janë organizuar në Liban, por pa sukses, pas zënkave mes sunive dhe shiave kryesisht.
Para disa javësh kishte shpresë, pasi kandidatura e Suleiman Franjieh, pati mbështetje nga të dyja palët. Me siguri, konflikti i tensionuar mes Arabisë dhe Iranit do pezullojë edhe kanditaturën e tij, duke e zhytur Libanin në status quo edhe më të gjatë.
Bahrejni
Shteti ishull, i pasur me naftë dhe gaz, sundohet nga familja Khalifa që është pjesë e besimit suni, mirëpo shumica e popullsisë është shia. Nga e ashtuquajtura Pranvera Arabe, vendi e ka pësuar më së keqi, duke rrezikuar ndjeshëm reputacionin e familjes. Ju desh intervenimi saudian, për të shtypur protestat e shumicës shia. Prej atëherë janë burgosur dhe vrarë qindra protestues të mbështetur nga Irani.
Konflikti i fundit nuk është i favorshëm edhe për Bahrejnin, e cila akuzohen here pas here Iranin për mbështetje të terrorizmit.
Nafta
Anëtarët më të fuqishëm të Opec-ut janë Irani dhe Arabia Saudite. Kjo e fundit qëllimisht ka ulur çmimin e naftës dhe ka rritur prodhimin për ta dëmtuar kundërshtarin. Mirëpo kjo luftë e ftohtë, ka sjellë bumerang në ekonominë arabe duke regjistruar deficitin më të madh prej rreth 90 miliardë dollarësh, pasi 70% e ekonomisë së saj varet nga shitja e naftës.
Konflikti ka nuanca kombëtare, iranianë (persë) kundër arabëve, nuanca fetare, shia kundër sunive, por me siguri baza është se kush do qëndrojë më gjatë në pushtet: Mullahët apo Saudianët, si dhe kush do shtrijë më tepër ndikimin në Lindjen e Mesme, Irani apo Arabia Saudite./Bota sot