Rekordi i Perez, 11 trajnerë në 12 vite

5 Janar 2016, 16:13Sport TEMA

Një skuadër futbolli e formuar nga 11 trajnerë.

Me shkarkimin e Rafael Benitez dhe emërimin si trajner të ri të francezit Zinedine Zidane shkoi në plot 11 numri i teknikëve që ka patur Reali i Madridit gjatë 12 viteve me Florentino Perezin si president. Numri 1 i Los Blancos shquhet si një njeri që ha shumë kollaj kokat e trajnerëve dhe askush nuk ka arritur të rezistojë më shumë 3 vjet me të në krye. Perez fitoi mandatin e parë si president i Realit në vitin 2000 dhe në atë periudhë, 68-vjecari madrilen gjeti në drejtimin e skuadrës një emër të shquar si Vicente Del Bosque, i cili mbijetoi në stolin e Los Blancos deri në Qershor të 2003-shit. Vendimi i Perez-it për të lejuar largimin e një tekniku si Del Bosque që në 3 sezone e gjysmë fitoi 2 tituj të La Ligas dhe 2 Champions League vazhdon të mbetet edhe sot e kësaj dite një nga më të diskutuarit.

Megjithatë Del Bosque se bashku me portugezin Jose Mourinho është një nga dy trajnerët që ka rezistuar për më shumë kohë me Perez-in në drejtim plot 2 vjet e 11 muaj aq sa edhe Special One. Vendin e Del Bosques e mori portugezi Carlos Querioz, i cili u pasua nga Jose Antonio Camacho, Mariano Garcia Ramon, Vanderlei Luxemburgo dhe Juan Ramon Lopez Caro. Ky i fundit është edhe trajneri më jetëshkurtër me Perezin si president pasi qëndroi në stolin e Realit nga data 4 Dhjetor 2005 deri në 27 Shkurt të 2006-tës. Pikërisht Juan Ramon Lopez Caro ndan edhe periudhën 12-vjecare të presidencës së Florentino Perez, pasi biznesmeni spanjoll u largua nga detyra në vitin 2006-të për t’u rikthyer në 2009-tën. Me fitimin e mandatit të dytë si president Perez në Qershor të 2009-tës emëroi Manuel Pellegrinin si trajner të ri por kiliani qëndroi në krye të Realit për vetëm 1 sezon. Në Maj të 2010-tës, drejtimin e Los Blancos e mori Jose Mourinho i cili qëndroi në krye të skuadrës merengues deri në përfundim të kontratës, duke u larguar në Qershor të 2013-tës pasi kishte fituar 1 titull kampion të La Ligas dhe 1 Kupë Mbreti.

1 vit e 11 muaj zgjati eksperienca e Carlo Ancelottit që mori drejtimin e Realit pas largimit të portugezit. Fitimi i La Decimas në Champions League nuk i mjaftoi trajnerit italian i cili u shkarkua nga Perez. Verën e kaluar presidenti i Los Blancos emëroi Rafael Benitez-in si trajner të ri por aventura e trajnerit spanjoll në krye të Realit zgjati me të vërtetë shumë pak. Për t’u konfirmuar akoma edhe shumë si një president që ha shumë shpesh kokat e trajnerëve, Perez mbrëmjen e kësaj të Hënë largoi nga detyra ish teknikun e Napolit duke emëruar francezin Zidane si trajner të ri. Mbetet për t’u parë nëse Perez do të bëjë atë që ka bërë zakonisht kohët e fundit edhe një legjëndë të madridizmit sic është Zizu. Zidane duhet të jetë i përgatitur sepse me një president si Florentino Perez edhe fitmi i trofeve mund të mos mjaftojë për të ruajtur vendin e punës./ SS

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje