Andrea Billa dyshohet se u vra për trafikun e drogës në Spanjë. Vrasësit, profesionistë

8 Janar 2016, 09:30Politika TEMA

Prokuroria e Vlorës dyshon se motivi i vrasjes së Andrea Billës, ka lidhje me një rrjet të trafikut të drogës Marok-Spanjë.

Konkretisht, hetuesit e çështjes pohuan se sekuestrimi i një ngarkese droge prej 300 kg kanabis sativa në muajin gusht në Spanjë, duket se është bërë shkak për ekzekutimin e Billës, i cili njihej ndryshe si Reagim Meli.

Policia ka marrë në pyetje për disa orë 10 persona, të cilët kanë qenë të pranishëm në vendin ku u ekzekutua babai i tre fëmijëve.

Ndërkohë, mësohet se Prokuroria e Vlorës u ka kërkuar informacion të detajuar autoriteteve spanjolle në lidhje me aktivitetin e viktimës në këtë vend, raporton “GSH”.

Billa u qëllua për vdekje me një pistoletë tip “TT” nga dy persona dhe në një distancë prej 2 m.

Vrasësit i zunë pritë në hyrjen e banesës të pallatit, ku banonte familja e tij në lagjen “Rilindja”. Po të njëjtat burime u shprehën se në momentin kur Andrea Billa ka mbërritur me makinë dhe ka dalë nga mjeti, agresorët i janë afruar dhe e kanë qëlluar shumë afër me pesë plumba, dy në kokë dhe tre në trup.

Vetëm pasi janë bindur se Andrea Billa kishte ndërruar jetë, ata janë larguar nga vendi i ngjarjes pa rënë në sy të askujt.

Policia tha se vrasësit më pas janë larguar në këmbë mes pallatesh dhe më tej duhet t’i ketë pritur ndonjë bashkëpunëtor i tyre me makinë.

Gjithashtu, burimet e mësipërme thanë se mendohet që ekzekutimi është kryer nga vrasës profesionistë me pagesë.

Trafiku i drogës

Burime pranë grupit hetimor dje bënë me dije se disa muaj më parë, në Spanjë u kap një sasi prej 300 kg hashash e sjellë nga Maroku.

Pas sekuestrimit të sasisë së drogës, autoritetet spanjolle arrestuan në Madrid një person, ndërsa Andrea Billa mundi t’u shpëtonte prangave.

Hetuesit e çështjes dyshojnë se pjesëtarët e bandës mund të kenë dyshuar se shoku i tyre që është vënë në pranga mund të jetë “tradhtuar” nga Andrea Billa ndaj dhe janë hakmarrë.

Ndërkaq, mësohet se 36-vjeçari pas kthimit nga Spanja për festat e fundvitit në Shqipëri nuk ka marrë masa sigurie.

Andrea Billa ka jetuar në Greqi. Nuk ka rezultuar se 36-vjeçari është marrë me trafikun e drogës në Shqipëri

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje