Dyshime të forta mbi vërtetësinë e dokumenteve të paraqitura nga Artan Hoxha

12 Janar 2016, 12:31Politika TEMA
Dyshime të forta mbi vërtetësinë e dokumenteve të

Publikimi, jo i rastësishëm, nga gazetari Artan Hoxha në emisionin Opinion, i një përgjimi mes numrit të telefonit të Ilir Metës dhe biznesmenit Kastriot Ismailajt, ka ngritur disa pikëpyetje.

A është i vërtetë ky dokument në tërësinë e tij? A është përgjuar vërtet Ilir Meta në bisedat me Kastriot Ismailajn? A mundet që ata që kanë kryer përgjimin, prokuroria në këtë rast sipas gazetarit Hoxha, të zbardhë transkriptin e bisedës së përgjuar të një deputeti, përgjimi për të cilin mund të autorizohej vetëm pasi t’i ishte hequr imuniteti, pasi bëhet fjalë për vitin 2008 kur imuniteti nuk ishte hequr ende me ligj?

Le t’i marrim me radhë. Dokumenti i publikuar nga gazetari Hoxha, tashmë edhe në faqen e tij në Facebook, ka disa detaje që e bëjnë të dyshimtë.

1. Pjesa ku është publikuar numri i telefonit të Ilir Metës dhe kërkesa e tij: “Nesër në darkë duhet të takohemi patjetër. Me duhen 200 mije. Mos harro”, figuron një herë në krye të njërës prej faqeve të dokumentit dhe një herë në fund të një faqeje tjetër të dokumentit, e prekur edhe nga firma e oficerit të policisë gjyqësore, Lutfi Minxhozi. Se si i njëjti paragraf shkruhet dy herë në një dokument zyrtar, i vendosur në të njëjtin kontekst, kjo do një përgjigje. Mund ta shihni në faksimilet e mëposhtme të marrë nga Facebook –u i gazetarit.

2. Po kështu, në të gjithë dokumentin prej disa faqesh, rezulton që vetëm pjesa ku flitet për Ilir Metën është e bërë me gërmë të errët dhe më të trashë se pjesët e tjera, ose bold siç njihet në gjuhën teknike (dokumentat e mësipër dhe më poshtë). Përse duhet që një oficer i policisë gjyqësore “ta nënvizonte” një bisedë të tillë kur objekt i përgjimit ishte biznesmeni dhe jo politikani? Në bisedë ka edhe pjesë të tjera të rëndësishme, por që nuk janë të nënvizuara apo të bëra me bold.

3.Të paktën dy nga fletët ku është bërë transkripti i bisedës së zhvilluar nga numri i Ilir Metës me numrin e Kastriot Ismailajt nuk kanë firmën e oficerit të policisë gjyqësore poshtë. Madje në njërën prej tyre firma mungon edhe pse duket qartë se bëhet fjalë për fundin e faqes, vendin ku janë firmosur të gjitha faqet e tjera (dokumentat e mësipërm).

Gazetari Hoxha thotë se gjykata e ka lejuar përgjimin e telefonit të biznesmenit Ismailaj, ndonëse prokuroria e ka vënë në dijeni që në përgjime ka patur komunikim edhe me politikanin, në atë kohë deputet. Ligji e ndalon rreptësisht përgjimin e politikanëve me imunitet, pa u marrë më parë vendimi nga parlamenti për t’ia hequr atë. Në këtë rast nuk është përgjuar politikani, por biznesmeni. Megjithatë, në rastet kur politikanët bien në përgjime gjatë komunikimit me persona që ndiqen nën dyshimin se kryejnë aktivitet kriminal, transkripti i bisedave të tyre është tërësisht i ndaluar.

Shembull për këtë është zhurma që bëri pak muaj më parë Komisioni i Sigurisë Kombëtare kur pati dyshime se SHISH kishte përgjuar drejtues të lartë të vendit, përfshirë kryeministrin Rama dhe kryeparlamentarin Meta, nëpërmjet bisedave që ata kishin zhvilluar me persona, numrat celularë të të cilëve ishin nën përgjim.

Komisioni i Sigurisë Kombëtare shkoi deri aty sa hartoi një raport për të vënë përpara përgjegjësisë kreun e SHISH. Ata kontrolluan fashikuj të ndryshëm në SHISH, por pa mundur të gjejnë ndonjë transkript bisede mes krerëve të lartë të shtetit apo politikanëve me persona nën përgjim. Arsyeja e thjeshtë: asnjë institucion nuk mund të transkriptojë përgjime të politikanëve, nëse ndaj atyre vetë nuk ka nisur ndonjë procedim penal.

Këto detaje e bëjnë të dyshimtë dokumentin, botimi i plotë i të cilit do të shmagnte çdo përgjegjësi përsa i përket vërtetësisë së tij. Ana ligjore se përse është përgjuar Ilir Meta dhe përse është zbardhur në shkresë zyrtare biseda e tij, kur kjo ndalohet me ligj, është çështje tjetër.

Lapsi.al

13 komente në “Dyshime të forta mbi vërtetësinë e dokumenteve të paraqitura nga Artan Hoxha”

  1. demo says:

    Pse keshtu,Politikanet jane te imunizuar nga krimi,qe mos afishohen?Apo se jane me te korruptuarit,dhe duhet mos te kene as imunitet?Keto 25 vjet jane strumbullari i gjithe degjenerimit moral dhe material dhe duhet te pergjohen dhe te afishohen te paret.

  2. rilindja says:

    Po Ilir Meta eshte hajdut koke e kembe pas Saliut,dhe kete fakt e dine te gjith shqiptaret.Ne kete vend denohen mizat dhe jo ujqerit sepse keta i blejne gjyqtaret e prokuroret me paret e vjedhura popullit

  3. Safari says:

    S’ka mundesi qe Meta t’i kerkoje para Ismailajt apo dikujt tjeter, Meta nuk ben gjera te tille. Rrofte LSI dhe Like Skrapari ha ha ha

  4. Pilo Lala says:

    Ne Qershor 2009, ka qene ne karrige vetem Sali Berisha.
    Ilir Meta ka qene ne Opozite, dhe nuk ka pasur asgje ne dore, njesoj si Edi Rama.
    Komentet jane te Xenit dhe Argites.

  5. rob i zotit says:

    o tema qenkeni bere dhe ju si hienat qe kerkojne ca kerma nga luanet . cfare te paska premtuar meta qe te lehesh kaq bukur.

    1. Nje qytetar says:

      Nuk eshte i Temes artikulli por i ´Lapsi.al´…. dhe dihet qe eshte i Andi Bushatit dhe atij kok-loqes berishist Armand Shkullakut!

      1. Erald says:

        Ky artikull nuk gjendet askund tek Lapsi

  6. Bedri says:

    Pse keshtu mo baze po te ishte emri i salkes apo vetem burimet etua jane te verteta se je pas rames

  7. Edi says:

    Ilirin nuk ka dokumet e video e hetues qe e implikon po te jete per gazetaret e tere cakejt qe i vene pas. Ate e implikon vetem dita(nese do vij ndonjehere) kur te jap llogari para popullit….

  8. Ubs says:

    Ky është aq kriminel i sofistikuar saqe s’le asnje prove. Por ca te bejme tashi massoneria illuminatet e rendi i ri botëror po bashkëpunojnë fuqishëm qe tja fusin me prova te rreme…. Ah Mero baze o Mero baze sahanlëpirës ngele

  9. Arber Iliri says:

    O laps mishi, si ka mundesi qe doni te mbroheni me kete ndalim idiot ligjor qe nuk u dashka zbardh implikimi I politikaneve me njerezit qe jane ne pergjim.Nuk shikoj mundesi te tjera per zbulimin e korupsionit ne rradhet e poltikaneve nese ndalohet ndjekja e implikimit te tyre me persona qe ndiqen per krime.Edhe ne Kohen e merhumit Enver ndiqeshin kur vertetohej implikim. Nese ekziston ky ndalim eshte nje krim mafioz I politikes.ne rastin e mesiperm nese Meta I ka kerku pare 200 mije Islamajt, duhet menjehere te hetohet, harrojeni argumentin e ndalimit dhe pavlefshmerise se pergjimit per politikanet , ky eshte hapi I pare ne reforme.

  10. Artan says:

    E Mero, ke marre persiper ta besh te virgjer Ilirin????

  11. Meta kal blere Temen says:

    Tema mos eshte montim? Na mbushet mendjen. Pastrojeni nje cik Meten dhe behuni pis vete se prandaj ju ka blere juve ai.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje