Veliaj-donatorëve: Faleminderit për studimet e romëve, por duam projekte konkrete!

12 Janar 2016, 16:46Sociale TEMA

Asnjë pemë nuk do të pritet në parkun Rinia. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ju përgjigj kështu akuzave, teksa është dhënë leja për ndërtimin e një parkingu nëntokësor në këtë park.

“Përveç 2 parkimeve nëntokësore, që tashmë kanë filluar procedurat, tek ish-stacioni i trenit dhe parku Rinia ku nuk do të pritet asnjë pemë, dhe do të riparohet parku siç ishte, por me hapësirën e nevojshme për parkim. Nuk kam ndërmend të kaloj 4 vjet e të fle mbi projekte imagjinare që nuk ndodhin kurrë. Nëse nuk kemi zgjidhje më të mira dhe territor duhet të përdorim këto zgjidhje inteligjente që çdo qytet modern përdoren”, tha Veliaj.

Ai bëri me dije se janë edhe 8 projekte të tjera që do të jepen me partneritet publik dhe privat.

Kryebashkiaku bëri me dije se parkimet nëntokësore, Bulevardi i Ri dhe strehimi për romët do të jenë disa nga 100 projektet që bashkia do t’ua paraqesë investitorëve. “Ftoj investitorët të konsiderojnë bulevardin e ri si një vend për të zhvendosur sipërmarrjet e tyre dhe për të çliruar dendësinë e jashtëzakonshme dhe trysninë që kemi në qendër”, tha ai.

Për sa i përket çështjes së romëve, kryebashkiaku u shpreh se nuk do të ketë më konferenca për ta, por projekte konkrete.

Në këtë fazë na  duhet ndihmë konkrete për çështje strehimi të banesave të komunitetit rom. Ndaj mesazhi që do të japim për donatorët është: Faleminderit për gjithë studimet dhe konferencat e seminaret jemi tashmë të mbikonferencuar për këtë çështje. Na duhet ndihmë konkrete dhe praktike, ashtu si ne kemi bashkëpunuar me PNUD për ti adresuar konkretisht gjërat dhe jo për ti future në studime që s’i lexon askush”, tha Veliaj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje