Nga Fatbardh Rustemi
Në hyrje të ekspozitës “Onufri 2015”, në një mbajtëse druri, ishte ekspozuar një xham goxha i madh, ku shkruhej “Transparencë”. Ngjashmëria me ekranin më solli në mend emisionin “Transparencë” në Agon Channel, para se ai të mbyllej, ku përballë gazetarëve të tij u vu pronari i televizionit Francesco Becchetti. Të dukej, sikur në njërën anë ishte i akuzuari dhe në anën tjetër ndërgjegjia e tij, të cilat bashkëbisedonin, jepnin e merrnin mes tyre: derisa palët e ndara u bënë një, dhe e vërteta me gjasa agoi, pavarësisht se ti përjetoje çaste muzgu. Fill pas ekranit, mu shfaq portali i qeverisë: transparenca.al., ku pretendohet se merren të gjithë shpjegimet e nevojshme për të mësuar të vërtetën lakuriqe. Nëse qiellit të kaltër mund t’i korrespondojë një det blu, kjo mund të ndodhë, por, një ekran televiziv dhe një portal qeveritar, të përputhen në tejdukshmëri, mos prisni të bëjë ndonjëherë vaki. Gjithsesi ne duam të mësojmë të vërtetën, ndaj i mbajmë sytë nga transparenca e premtuar. “Aty ku qeveria nuk është e hapur dhe resurset intelektuale janë të pamjaftueshme, i mbetet retorikës të japë shpjegimet e nevojshme.”-janë fjalët e nobelistit V. S. Naipaul në librin e tij “Shkrimtari dhe bota”. Gjithsesi, ajo që dominon: është transparenca e xhamave të zinjë. Nëse dikur thuhej se faktet flasin vetë, tani spin doctor-ët shtojnë: ato duhen shpjeguar. Dhe kjo i mungon transparencës qeveritare.
Gazetarët e “Transparencës” televizive dhe më pas, pothuajse çdo ditë, sidomos tre prej tyre me Lubonjën në krye, akuzonin pa rreshtur kryeministrinë Rama, se po mbyllte kanalin më të fuqishëm televiziv, vetëm e vetëm se ishte kritik ndaj qeverisë. Kësisoj në emër të transparencës rrahin gjoksin të dyja palët, (“Topa bore hedhin shokët tanë”-do këndonte Kozma Dushi. Gjithsesi njeri prej tyre ka fshehur gurin në topin e borës, por, kur do ta mësojmë këtë të vërtetë?) Ndaj, ne si popull, jemi ende tek transparenca e xhamave të zinjë. Thonë se makinat me xhama të zinjë, i mbajnë mafiozët. Të shpresojmë që drejtësia të reformohet një ditë dhe të japi drejtësi, se na ënjtën ca llafazanë ekranesh, që hiqen, sikur kanë monopolin e së vërtetës, edhe pse gënjejnë si dërrat. Numri i madh i ekraneve televizive, që betohen se do t’i thonë publikut veçse të vërtetën, me këtë betim e nisin të gjithë, në fakt, po na shtohet bindja se ekranet qënkish krijuar veçse për ta fshehur të vërtetën. Mall Çirçeja që i kthente njerëzit në derra. Sa e sa ngjarje live, apo persona real kemi parë në ekrane: me zë e figurë siç thuhet rëndom dhe, kur vjen puna, na bëjnë qorra. (Xhami qorr i përketë periudhës bardhezi, kjo me ngjyra HD: është e xhamave të zinjë.) Shpesh ne “syleshëve” na qajnë hallin: po fyeni inteligjencën e shqiptarëve. (Në diktaturë kush mbante syza të errëta, me xham xajs, merrte pozën e intelektualit.)
Nëse ka një gjë të jashtëzakonshme në librat fetar është pikërisht Nata e Kadrit, kur hapen qiejt dhe, sipas teologëve, fillon të shkruaj lapsi dhe të lexohet fjala, si e si lutjet e tua të venë direkt e në veshin e perëndisë, pa ndihmën e klerikëve. Kjo hapje qiejsh, një nevojë universale e njeriut për tejdukshmëri, pa pengesa, ku dhe zoti vetë i hap rrugët e komunikimit të drejtpërdrejtë, mbetet akti më shenjtërues i transparencës. Zotërit tanë, nisur dhe nga këshilla e Mao Ce Dunit: turbullo, që të kthjellosh, e kanë vënë në praktikë, fal dhe teknologjive të fundit, duke nxjerrë një produkt, që i kënaq të gjitha palët: transparencën e xhamave të zinjë. Fundja, kanë dhe ku marrin shembull: sikurse ndodh dhe në natyrë, kur bashkohet Drini i Bardhë me Drinin e Zi?!
Të gjithë jemi dëshmimtarë, se sa shumë gurë janë hedhur kundër xhamave, në vitet e këtij tranzicioni pluralizmo-punist: si një ogur i keq ky për transparencën e shumëpritur, kur në të shkuarën dhe ekranet i kishim me miza. (Në diktaturë ndodhte shpesh që gjatë pushimeve të verës, nxënës ngelës të thyenin xhamat e shkollës. Fërtele u bënë dhe xhamat e ministrive përreth bunkerit që digjej. Po me fabrikën xhamave në Kavajë ç’patën?! Me ujë bjeshke qelibar, e ngrinte dollinë diktatori, ja që elektrifikimi i vendit binte ndesh me terrin informativ? Njësoj si të pyesësh: po me Syrin e Kaltër në Delvinë ç’kanë? Dhe shprehja: “Koha është xham”, po e humbet kuptimin e saj.) Më thoni sa herë kanë dalë urdhëresa të policisë për ndalimin e makinave me xhama të zinjë dhe, a i shihni të qarkullojnë ato? Mos e shihni realitetin me syze të errëta, na thoshin në monizëm. Kushedi se sa u dënuan dikur me këtë akuzë, kur vetë Enver Hoxha nis të mbante syze të errëta?!
Ish-drejtori i CIA-s Allen Dullas tregon se në godinën, ku dikur ndodhej CIA, ishte varur një tabelë “Tipografi shtetërore”. Shoferat e autobuzave e kishin bërë zakon të sillnin aty ekskursionistë dhe turistë e t’u tregonin se aty ndodhej institucioni më sekret dhe më i fuqishëm i spiunazhit amerikan. Kur drejtori urdhëroi që në vend të një tabele false, të vihej emërtimi i vërtetë: u pushua së qeni një objekt enigmatik, ranë llomotitjet pa fre, duke u shndërruar kështu në një institucion thjeshtë shtetëror, sikurse ishte në fakt. Pra, i hoqi xhamat e zinjë, që s’di pse me kujtojnë kohën e zimave të zinjë: me trokit e zgjohu!
Në librin e Marcello Foas “Magjistarët e lajmit”, shkruhet: “Në shoqëritë moderne dallimi nuk është më mes “atij që ka” dhe “atij që nuk ka”, por mes “atij që di” dhe “atij që nuk di”(f.312) Na takon të pyesim: kush janë të diturit e lajmeve të magjishëm? Gazetarët pranë qeverisë apo ata pranë opozitës, në mos ca të tjerë pranë ambasadave të huaja? Ngaqë informacioni është pushtet, fjala është për informacionet “e ndjeshme”, nga ato që bëjnë lajm, në tregun mediatik ai mbetet një mall i vyer, por, kush e zotëron: pronarët e mediave apo gazetarët pranë qeverisë? Jemi në një territor pa përgjigje, pasi të gjithë rrahin gjoksin se po na thonë të vërtetën. Dijeni, transparenca e xhamave të zinjë u shërben veçse atyre, që kanë frikë nga reforma në drejtësi. Fill pas muzgut, vjen errësira. Nëse uji do të ishte i turbulltë, Narcisti nuk do të shihte fytyrën e tij dhe do të shpëtonte nga mbytja. Ngaqë narcistët janë shtuar ca si tepër kohët e fundit, meqë partia dhe shteti i kanë me kimet në të gjitha kohërat, u duhet një masë sigurie, ndaj si shpëtim mbetet: transparenca e xhamave të zinjë.
Shqiptarët nuk e durojnë misterin, gjë që u shfrytëzua në komunizëm në prishjen e objekteve të kultit. Jo më kot u nxit çmitizimi, që u kthye në një qëllim në vetëvete, gjoja për t’i shkuar të vërtetave deri në fund. Por, transparenca e xhamave të zinjë, gjithnjë fjala është për mashtrimin, përkundër asaj që këshillohej, në ditën me diell u ngrit kulti i diktatorit. Pra, fetishizimi i tij. Edhe për shpellat shqiptarët nuk kanë interes, kur bota me shpellat zhvillon turizmin. Po bëhen përpjekje për të shkuar tek misteret e së shkuarës, qoftë me BunkArtin apo “Shtëpinë e gjetheve”, gjithsesi publiku i shoqëron pa ndonjë interes. Shpellak do t’i thoshte Nano Berishës, por kjo nuk shkaktoi habi, edhe sikur Muji e Halili të dilnin prej shpellës, do i merrnin për Fatos e Sali. Shqiptarët po të tundoheshin nga misteri, nuk do linin aq shumë njerëz pa varre, prej frikëse nuk do të vidhnin të vdekurit në varrezat publike. Politika e di këtë, ndaj ka hedhur në treg: transparencën e xhamave të zinjë, si gjëja më e përshtatshme në një vend qorrash, që bëjnë sikur gënjehen. Ja pse Noli këshillon: “Mos bëni propagandë në popull, por tek paria”.