Prokuroria drejt mbylljes së hetimeve për Albpetrol

15 Janar 2016, 16:58Kronika TEMA

Nga Lindita Çela

Pas më shumë se një vit hetimesh nga dy struktura të ndryshme të Prokurorisë, padia e ngritur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, KLSH, kundër drejtuesve të Albpetrol pritet të pushohet.

Prokuroria e Fierit i tha BIRN se hetimet kundër Drejtorit të Përgjithshëm të kompanisë shtetërore të hidrokarbureve Endri Puka dhe disa zyrtarëve të tjerë të saj nuk kanë zbardhur elementë të veprave penale për të cilët ato akuzoheshin nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

“Vendimi për dosjen nuk është marrë ende, por që deri më tani në asnjë prej akuzave të ngritura nga raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit nuk janë gjetur elementë të veprës penale, dhe me shumë gjasa vendimi do të jetë ai i pushimit të hetimeve për këtë dosje,” tha Prokurori i Rrethit Fier Ardian Ylli.

Më 24 shator 2014, KLSH depozitoi në organin e akuzës një kallëzim penal, në të cilin pretendonte se shtetit i është shaktuar një dëm prej më shumë se 10 milionë eurosh nga veprimtaria e kundraligjshme e kreut të Albpetrol Sha dhe e disa zyrtarëve të tjerë të kompanisë.

Sipas KLSH-së kreu i Albpetrol Endri Puka akuzohet se kishte nënshkruar dy marrëvshje hidrokarbure me një kompani koncensionare, duke anashkaluar procedurat standarde dhe duke tejkaluar kompetencat e tij administrative, në shkelje flagrante te kontratës koncensionare bazë me kompaninë.

“Këto dy akt-marrëveshje, Administratori i shoqërisë jo vetëm nuk ia paraqiti për miratim Këshillit të Ministrave, por as dhe Këshillit Mbikëqyrës të shoqërisë Albpetrol, madje siç rezultoi nga auditimi në lidhje me to nuk kishin dijeni edhe një pjesë e strukturave dhe drejtuesve të kësaj shoqërie,” shkruan KLSH në një njoftim për shtyp.

“Në to favorizohet haptazi kompania koncensionare së cilës Albpetrol i jep mundësinë që detyrimet e saj për dorëzimin e naftës bruto (të akumuluara ndër vite) t’i shlyente duke paguar një vlerë të caktuar monetare,” KLSH shtoi.

Sipas KLSH-së përcaktimi në mënyrë arbitrare nga drejtori i Albpetrol i çmimit të shitjes dhe kostove të zbritshme të kësaj sasie nafte te koncensionari ka sjellë një dëm për Albpetrol që llogaritet në disa miliona dollarë.

“Si rrjedhojë, vetëm si pasojë e kësaj rritje artificiale dhe të paargumentuar të kostove të transportit, kompania koncensionare ka përfituar 1,416,443 USD në dëm të interesave financiare të Albpetrol,” shkruan KLSH.

“Hetimi i thellë nga një grup ekspertësh të fushës, që do ti bëhet mënyrës së përcaktimit të çmimit të konvertimit nga Albpetrol (data e shitjeve dhe e blerjeve, kuotimi në bursë, konvertimi nga ton në barel, etj) do të vërtetojë edhe vlera të tjera të dëmit real në miliona Euro, të shkaktuar në Buxhetin e Shtetit,” shton ajo.

Në një kontratë tjetër koncensionare Albpetrol akuzohet se i ka zbritur një kompanie hidrokarburesh nga sasia e naftës së prodhuar sasinë e holluesit të përdorur, duke sjellë një dëm prej 9.5 milionë euro.

“Si pasojë e këtij veprimi kompania nuk i kishte dorëzuar shoqërisë Albpetrol për vitin 2013 sasinë prej 23,004.35 ton naftë me vlerë 7.2 milionë euro, ndërsa deri më 30.06.2014 sasinë prej 7,188.70 ton naftë bruto me vlerë 2.3 milione euro,” shkruan KLSH.

“Kjo zbritje e holluesit nga Albpetrol është bërë në kundërshtim me pikën 3.5.1,3 të marrëveshjes së datës 19.06.2004 me kompaninë koncesionare, dhe është kryer duke ndikuar në faktorin R, ecuria e të cilit ka lidhje direkt me përfitimet e Shtetit Shqiptar,” shtoi ajo.

KLSH gjithashtu pretendon që përveç dëmit financiar, për të cilin kërkon një hetim të thelluar nga ana e Prokurorisë, Endri Puka ka ngritur në Albpetrol një strukturë paralele me adminsitratën e kompanisë nëpërmjet Drejtorisë së Marrëveshjeve dhe Hidrokarbureve.

“Nga 150 punonjës që është personeli i administratës së Albpetrol, 63 prej tyre i përkasin Drejtorisë së Marrëveshjeve dhe Hidrokarbureve; madje, disa punonjës të kësaj drejtorie, në veçanti ata të Sektorit të supervizimit, janë pa profesionet përkatëse (inxhinier ndërtimi, inxhinier tekstili, inxhiniermekanik) ose janë të padiplomuar,” shkruan KLSH.

Kallëzimi i KLSH-së në fillimi iu përcoll Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për shkak se dyshohej se abuzimi në Albpetrol ishte bërë nga një grup i strukturuar kriminal, vepër penale nën juridiksionin e kësaj prokurorie.

Por sipas zëdhënësit të Prokurorisë së Përgjitshme Albi Serani, pas tre muajsh Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vlerësuar se “kallzimi i bërë nuk është para kushteve të grupit të strukturuar kriminal, dhe për këtë arsye ka vendosur që dosjen ta kalojë për kompetencë të Prokurorisë së Fierit”,

Me 12 Janar, 2015 në Prokurorinë e Fierit është regjistruar procedimi penal me akuzën e shpërdorimit të detyrës për drejtuesit e kompanisë shtetërore të hidrokarbureve.

Gjashtë punonjës të Albpetrol përfshirë Drejtori i Përgjithshëm Endri Puka u morën nën hetim, të dyshuar se patën konsumuar elementë për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, si dhe “Korrupsionit aktiv/pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”

Pas një viti hetimesh Prokuroria e Fierit nuk ka gjetur elementë të veprës penale në aktivitetin e ketyrë zyrtarëve, dhe tashmë po bëhet gati ta arkivojë çështjen.

6 komente në “Prokuroria drejt mbylljes së hetimeve për Albpetrol”

  1. Genti says:

    Kallezimet e KLSH jane gjoba qe vendos Bujar Leskaj prandaj prokuroria nuk arrin dot ti coje ne gjyq. KLSH duhet te mbaje pergjegjesi per kallezimet qe ben.

    1. adi says:

      gento

      na dh..e gazit. sapo lexova ty mu kujtua nje skec me luftetar pajen.

      po ai qe e vodhi ska faj farre????????

      ha hah ha ha ha rrofsh o gent.

      o gento po leket e koment i mer ne dore apo me klering????????

  2. Altin says:

    Po ca holliesi thoni. Holluesin e di gjith Fieri qe eshte bere me 2012-2013. Nese ka ber nje pun administrata e re eshte qe ndaloj perforimin abuziv te holluesit dhe Shitjen e tij ne treg

  3. Erjola says:

    Kallezimet e KLSH jane si flaka e kashtes, ndizen shpejt, por nuk kane brum. Cudi eshte qe KLSH nuk gjente asnje gje ne kohen e PD ndersa tani ben namin me kallezime idiote.

  4. adnand says:

    Ky Puka mund te mos te kete problemet mbase ka gjera plot ne Albpetrol qe duhen pare, por ama dihet nga te gjith qe KLSH e Bujarit te PD esht gjobevenesja me e madhe ne kete shtet dhe kallzon vetem ata qe nuk paguajne gjobe

  5. Turi says:

    KLSH eshte nje institucion i perbere nga njerez te paafte apo ne rastin me te mire nga njerez te cilet kane njohuri ne fusha te caktuara por perdoren si vegla nga drejtuesit e KLSH per te vendosur gjoba dhe bere presione nga me te ndryshmet. Jemi ne shtet dhe nuk punojme dot te qete sepse vinne keta horrat e bujarit dhe ose do ti japesh gjoben ose te bejne presion me kallzime penale. Keshtu eshte ne gjithe shqiperine, te gjitha kallezimet e ketyre legenave nuk shkojne asnjehere ne gjykate sepse jane bere pa asnje baze dhe sepse nuk kane marre gjoben. Eshte mire qe prokuroria nuk behet pjese e kesaj loje te piste te Klsh. Institucion pijanecesh dhe gjobevenesish.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje