Gjimshiti firmos të hënën me Atalantën

16 Janar 2016, 14:10Sport TEMA

Berat Gjimshiti do të zyrtarizohet te Atalanta të hënën. Ish mbrojtësi i Zyrihut është shumë pranë klubit italian dhe sipas “Gazzetta Dello Sport”, Atalanta e ka mbyllur marrëveshjen por dy shoqëritë po diskutojnë detajet e fundit të formulës së transferimit.

E njëjta gazetë thekson se të gjitha gjasat janë që 24-vjeçari shqiptar të transferohet nëpërmjet blerjes së plotë të kartonit nga ana e klubit zikaltër. “Gjimshiti është një mbrojtës qëndre, i aftë për të nisur aksionet dhe me aftësi të mira goditëse”, shkruan “Gazzetta Dello Sport” që zbulon edhe një prapaskenë interesante. Mbrojtësi italian, Stendardo dhe trajneri Edy Reja nuk po gëzojnë aspak marrëdhënie të mira.

Lojtari ka kërkuar që trajneri të sqarojë pozicionin e tij. Në fillim të sezonit, ish mbrojtësi i Lazios nisi të luante titullar por me kalimin e javëve ai u zhvendos në pankinë. Pakënaqësia e shfaqur nga Stendardo ka shkuar deri aty sa mediat aludojnë për largimin e tij nga Atalanta dhe në këtë mënyrë, klubi bergamask nuk ka dashur të rrezikojë, duke synuar afrimin e mbrojtësit shqiptar i cili konsiderohet si një alternativë e mirë për qëndrën e mbrojtjes.

Me pak fjalë, Berat Gjimshiti do të ketë një detyrë të rëndësishme në radhët e klubit italian, drejtuesit kërkojnë që i riu shqiptar të plotësojë boshllëkun e mbrojtësit Stendardo, i cili ka qenë një nga pikat kyçe të formacionit gjatë dy viteve të fundit./SS

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje