Një banesë është përfshirë nga flakët te zona e Unazës së Re, në Tiranë dhe si pasojë ka humbur jetën një fëmijë 4-vjeçar.
Zjarri ka rënë në një apartament në katin e tetë. Policia thotë se në banesë, në momentin e rënies së zjarrit kanë qenë 4 persona, prindërit dhe 2 fëmijët.
Çifti së bashku me fëmijën 7-muajsh janë evakuuar, ndërsa fëmija 4-vjeçar kishte mbetur i bllokuar brenda banesës.
Problematike është situata edhe për banorët e tjerë të pallatit, të cilët kanë pasur probleme për shkak të tymit.
Pallati nuk ka patur kushtet e nevojshme për mbrojtjen kundër zjarrit dhe do të jetë objekt hetimi.
Shkak për zjarrin ka qenë një shkëndijë elektrike.
Ndërkohë në mbrëmje, përmes një komunikate për shtyp, Policia e Tiranës dha detajet e para mbi zjarrin e rënë në banesën e katit të 7 të banimit, ndodhur te rruga “Astrit Losha”, në Unazën e Re të kryeqytetit, në pronësi të shtetasit Amarildo Nezha, 35 vjeç.
“Me mbërritjen e shërbimeve policore dhe atyre zjarrfikëse është evakuuar çifti i bashkëshortëve, së bashku me fëmijën e mitur të seksit femër, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën. Fëmija e moshës 4-5 vjeç, A. Nezha ka gjetur vdekjen si pasojë e flakëve të shumta. Nga hetimet e para dyshohet se shkak i zjarrit ka qenë një bombol gazi. Zjarri ka nisur nga ballkoni i banesës”, thuhet në komunikatë.
Policia, pas evakuimit, nisi hetimet e mëtejshme nga vendngjarja për të mësuar të gjitha rrethanat e ngjarjes.
Ishte shkëndijë elektrike apo bombël gazi?
Një fëmijë vetëm 4 vjeç, humbi jetën duke luajtur në banesën e shtëpisë së tij, pasi ajo u përfshi nga flaket qe erdhën nga bombola e gazit. Një ditë më parë 33 persona u lënduan nga shpërthimi i një bombole gazi në një lokal ne një fshat të Pogradecit. Mes të lënduarve është edhe një 14-vjeçar i cili rrezikon seriozisht jetën pasi ka rreth 70% të trupit të djegur. Pak muaj më parë në një pastiçeri ne rrugën “Don Bosko” në kryeqytet rreth 17 persona u lënduan nga shpërthimi i një bombole gazi. Pa ekzagjerim çdo javë raportohet një banesë ose një biznes i djegur. Shkaqet e zjarrit pothuajse gjithmonë janë gazi dhe kasat elektrike. Deri kur njerëzit duhet të presin këtë vdekje të paralajmëruar?! Kur vdes një fëmijë nën flakë gishti akuzues nuk duhet të drejtohet drejt atij zjarrfikësi që u mbyt nga tymi dhe në spital askush nuk denjoi as t’i jepte oksigjen. Faji është i tjetër kujt. I atij që rri në zyra dhe zjarrin e ka parë vetëm si fjalë të shkruar në letër. Drejtori i përgjithshëm i shërbimit zjarrfikës, pavarësisht se e njeh shumë mirë situatën, dhe e di se bombolat e gazit dhe kasat elektrike janë faktorët kryesore te zjarrit, nuk ka nxjerre asnjë ligj për të parandaluar ngjarje të tilla. Është e pafalshme për një drejtues që në ligjin e hartuar prej tij, nuk preket asnjë prej këtyre çështjeve. Nuk ka lëshuar asnjë urdhër, nuk ka hartuar asnjë akt nënligjor që këto tragjedi të shmangeshin. Në fund ta ditës kur për faj të tij digjen shtëpi, njerëz, fëmijë a e ndjen ky drejtor veten përgjegjës, qe ka bërë një ligj për të rritur pozitat e veta, që ka ngrohur karrigen dhe s’ka bërë asnjë punë. A ndihet përgjegjës që është zvarritur si një kërmill me lëpirje de0ri në zyrën në Ministrinë e Brendshme dhe tani vegjeton. Ky është turp!