Radamel Falcaoi duhet të shpresojë që, menaxheri i tij Jorge Mendes, t’i sigurojë transferimin në ligën kineze “Chinese Super League” pasi Atletico dhe Monaco nuk arritën të gjenin një marrëveshje për të transferuar kolumbianin në Spanjë te ish-ekipi i tij.
Sulmuesi, i cili ishte huazuar nga Monaco për te Chelsea këtë sezon, mungon që prej tetorit të fundit për shkak të një dëmtimi dhe shpreson të jetë i gatshëm të luajë brenda muajit shkurt.
Ekipi londinez ka bërë të qartë se nuk ka nevojë më për sulmuesin dhe kërkojnë të anulojnë marrëveshjen.
Blerja e sulmuesit brazilian Pato e konfirmon këtë.
Nga ana tjetër francezët e Monaco-s po ashtu preferojnë ta transferojnë diku larg “Stade Louis II” kolumbianin, dhe janë të gatshëm ta ndihmojnë menaxherin Mendes për t’i gjetur një klub tjetër.
Falcao dhe mendes udhëtuan drejt Spanjës për të gjetur një ekip që do ta huazonte për gjashtë muaj por operacioni nuk ishte i suksesshëm, çka i ka hapur rrugën kolumbianit për një udhëtim pak më të gjatë në Azinë e largët.
Merkato për klubet kineze zgjat deri në 26 shkurt, kjo i jep shpresë Jiangsu Suning, të cilët transferuan edhe mesfushorin brazilian Ramires, për t’i shtuar një tjetër lojtar nga Premier League ekipit të tyre.
Falcao ka zhvilluar 11 ndeshje me Chelsea-n duke shënuar vetëm një gol.