Robert Lewandowski ia vështirëson punën Bayernit të Mynihut për rinovimin e kontratës dhe i jep një shans të artë Realit të Madridit për të tentuar blerjen e tij.
Bomberi polak, i tunduar nga oferta e klubit “merengues” i ka bërë një kërkesë të çmendur klubit të tij, duke i kërkuar plot 18 milionë Euro në sezon. Agjenti i tij ka nisur bisedimet me Karl-Heinz Rummeniggen por shuma e kërkuar nga ai konsiderohet e ekzagjeruar nga Kampionët e Gjermanisë ku polaku u afrua në vitin 2014 me parametra zero pasi kontrata e tij me Borussia Dortmund përfundoi.
“Preferoj të mos flas për Realin pasi ky nuk është një moment i lehtë për mua”, deklaroi disa ditë më parë sulmuesi, i cili po e komplikon situatën në Gjermani ku kanë nisur të aludojnë se ai dëshiron të zhvendoset në “Santiago Bernabeu”. Një tjetër hipotezë është edhe Premier League me Manchester City në pole position.
Skuadra britanike është e gatshme ta plotësojë oreksin e polakut për të fituar sa më shumë, ndërsa Pep Guardiola preferon ta ketë në grupin e tij të ardhshëm. Gjithsesi, çështja e 27-vjeçarit mbetet shumë e komplikuar pasi fjalën e fundit në këtë mes do ta thotë Bayerni i Mynihut. Sulmuesi ka një kontratë me ekipin gjerman dhe nuk do të largohej pa miratimin e drejtuesve bavarezë.
Kontrata e re parashikon rinovimin deri në vitin 2019 por në klubin gjerman kanë marrë gjithë kohën e nevojshme në dispozicion për të punuar me detajet pasi 18 milionë në sezon janë një shumë që nuk e ka përfituar askush në këtë ekip. Lewandowski nuk ka një klauzolë largimi në kontratën aktuale, prandaj Rummenigge dhe drejtuesit e tjerë të Bayernit të Mynihut kanë komoditetin për të marrë një vendim jo të nxituar dhe mbi të gjitha në të mirë të skuadrës./SS