Vëllai i Artur Rustemit: Si na zhgënjeu Fatos Nano pas vrasjes së '97-s

10 Shkurt 2016, 12:01Dossier TEMA

Shumë kohë pas vrasjes së Artur Rustemit, një prej vëllezërve të tij, Lefteri 62-vjeçar, e ka të vështirë të flasë për atë ngjarje të 19 viteve më parë. Në fakt, nuk ka dëshirë t’i rikthehet asaj dite, kur ai humbi vëllanë e vet, më të vogël. Ndihet i lodhur, ashtu sikundër edhe familjarët e tjerë (bashkë me Arturin, ishin 5 vëllëzër dhe një motër), nga ato përpjekje shumëmujore dhe shumëvjeçare. Por, më tepër ndihet i zhgënjyer. I zhgënjyer nga gjithçka, nga drejtësia dhe politika, që, sipas tij, nuk bënë asgjë, as për gjetjen e autorëve dhe, për më shumë, për të ndihmuar fëmijët jetimë të Arturit. Ky fakt, është edhe një nga pengjet e tij.

Dy fëmijët e mitur, 4 vjeç dhe 6 muajsh, nuk përfituan as edhe një pension minimal për të përballuar jetën. Dhe morën rrugën e mërgimit. Në një rrëfim për “Shekulli”-n, Lefteri mundohet të risjellë në kujtesë momentet kur, vetëm pak metra larg tij, e pa vëllanë të binte në tokë, por pa e ditur që ishte ai. Kishte probleme shëndetësore dhe dy shokë po kujdeseshin për të, diku, në një kënd të sheshit, kur përmes mjegullnajës së vështrimit të venitur nga tensioni i gjakut, ai pa një siluetë të mënjanohej.

Reagoi instiktivisht, duke treguar me dorë dhe duke tërhequr edhe vëmendjen e shokëve të tjerë. Pak minuta më pas, në spital do të mësonte të vërtetën… Aty, në një njësi të vogël tregtimi artikujsh ushqimorë, me të cilën përballon jetesën për familjen e vet, të shqetësuar herëherë nga klientët, ne bashkëbisedojmë rreth asaj që ndodhi 19 vjet më parë.

Zoti Lefter, çfarë është bërë për ngjarjen ku humbi jetën vëllai juaj, Artur Rustemi? 

Pas 19 vitesh nga vrasja e Arturit, ne ndihemi të zhgënjyer nga gjithçka. Kjo, sepse jo vetëm që, për zbardhjen e vrasjes së Arturit nuk u bë asgjë, as nga e majta, as nga e djathta, nga të gjitha forcat politike. Por edhe për atë që, familja e të vëllait nuk përfitoi asgjë, nuk mori asnjë ndihmë për dy fëmijët që u rritën jetimë, pa asnjë mbështetje nga shteti.

Sa fëmijë la Arturi?

La dy fëmijë, dy djem. Njeri ishte 4 vjeç dhe tjetri 6 muajsh. I madhi, sot 23 vjeç, përfundoi studimet në Fakultetin e Drejtësisë, këtu në Vlorë, dhe i vogli, 19 vjeç, është emigrant në Greqi.

Gjatë kësaj periudhe, ju, familjarët e tij, çfarë përpjekjesh keni bërë, qoftë për t’u ardhur në ndihmë bashkëshortes dhe fëmijëve, qoftë për zbradhjen e ngjarjes së vëllait tuaj?

Ne e pamë, e ndjemë që nuk kishte interesim nga ata që kishin në dorë ta bënin këtë gjë. Ne humbëm shumë kohë, por erdhi një moment që u bindëm se, askush nuk ishte i interesuar ta çonte këtë çështje deri në fund dhe të vendoste autorët në bankën e të akuzuarve. Prandaj, erdhi një moment dhe, e lamë fare edhe ne. Nuk u morëm më.

Avancuan hetimet për këtë çështje? Çfarë informacioni keni ju?

Ngjarja u fut në hetim, sigurisht, por ngeli. Aty ngeli. Nuk avancoi. Thjesht u dha një përgjigje e mënyrës së ekzekutimit, apo e pozicionit se si u qëllua mbi Arturin. U dhanë disa variante për këtë gjë. Pra, në çfarë pozicioni u qëllua ai, etj.

Ju, familjarët e Arturit, ju kanë thirrur ndonjëherë për të dhënë një dëshmi lidhur me ngjarjen? Ju ishit jo shumë larg vëllait tuaj, kur ai u qëllua dhe ra në tokë.

Jo nuk u thirrëm asnjëherë. As unë dhe as vëllezërit e tjerë. Por, ne shkonim vetë dhe interesoheshim për ecurinë e hetimeve. Dhe, përgjigja ngeli enigmë…

Në momentin kur u godit Arturi, ku gjendeshit me saktësi?

Unë ndodhesha shumë pranë tij. Kur ai ra, i goditur nga plumbi, unë isha i ulur aty ku sot ndodhet memoriali që përkujton këtë ngjarje, aty, në bordurë. Dhe ai ra, diku më larg.

Sa larg me saktësi?

Po, ……rreth 15 metra…

Ma përshkruani pak më në detaje momentin kur ai ra..

Në momentin që ra…(merr frymë thellë)… Unë isha me dy shokë, se nuk isha në gjendje të mirë shëndetësore. Kjo ishte edhe arsyeja që isha ulur, i shkëputur paksa nga turma dhe vëllai im…Dhe, teksa dy shokët e mi po më “vrisnin” damarët, unë pashë që diçka nuk shkonte pak më tej. Pashë një njeri që po binte…dhe…instiktivisht drejtova gishtin dhe thashë…e vranë… Nuk e dija që ishte vëllai im. Nuk e dija që ishte Arturi. Por, diçka m’u shkëput përbrenda për atë njeri…diçka parandjeva… Prandaj dhe reagova kështu…

Po pastaj çfarë ndodhi?…

Atë e morën, e ngritën peshë disa nga demonstruesit dhe e kaluan para meje për ta dërguar për në spital… Pak më pas erdhi një komshiu im dhe më thotë… u vra Arturi…

Pra, ju ende nuk e kishit marrë vesh që ishte vëllai juaj, ai që kishte rënë?

Jo. Unë ju thashë se nuk isha në gjendje të mirë shëndetësore. Por, saktësisht, kur shkova në spital e mësova që bëhej fjalë për vëllanë tim.

Ai ndërroi jetë menjëherë?

Jo. Në drekë. Pas 4-5 orësh pasi u plagos me një plumb. Mua më mori dikush me motoçikletë dhe më çoi në spital. Arrita atje tepër i tronditur, ndërkohë që, nuk ndihesha aspak mirë nga problemet e mia me shëndetin. Arturi ishte në gjendje tepër të rëndë dhe mjekët po bënin gjithçka për ta mbajtur në jetë. Së bashku me vëllezërit e tjerë (tre të tjerët), dhamë gjak. Ai kishte humbur shumë gjak. Por, ai nuk arriti të mbijetonte.

Dhe, varrimi u bë të nesërmen, në atë situatë të ndezur…

Po. Ceremonia e varrimit të Arturit u bë të nesërmen. Ai u përcoll për në banesën e fundit, i shoqëruar nga mijëra njerëz.

Çfarë ndodhi më pas?

Në shtëpi na erdhën mjaft njerëz për ngushëllim. Ndërkohë, premtime të mëdha u dhanë nga Fatos Nano dhe forcat e tjera politike. Por….Shkova madje, të paktën dy herë tek Nano për ta takuar, por nuk arrita..

Pra, ju u përpoqët ta takoni kryeministrin dhe kryetarin e PS-së së asaj kohe?

Po. Menjëherë pas vrasjes. Por, veçanërisht pas zgjedhjeve të muajit qershor, kur PS-ja fitoi dhe erdhi në pushtet. Pas këmbënguljes tonë, të familjarëve të Arturit, kryeministri kërkoi që ne t’i paraqisnim kërkesat tona, përmes deputetëve dhe kryetarit të PS-së së Vlorës, në atë kohë. Por, ne i dërguam me postë kërkesat tona, që lidheshin me mbështetjen, me ndihmën që duhej të ofronte shteti për fëmijët e Arturit. Dhe, për të marrë përgjigjen lidhur me çka i kishim shkruar, unë u nisa vetë në Tiranë dhe tentova ta takoja kryetarin e PSSH-së, në selinë e kësaj partie në kryeqytet, por …nuk munda(!)… Ai nuk më priti…

Dy tentativa për të takuar Nanon

“Menjëherë pas zgjedhjeve të Qershorit të vitit 1997, kërkova të takoja zotin Fatos Nano, kryetarin e PSSH-së. Me kërkesën e tij, i kishim dërguar ato çka kërkonim ne, familjarët e Arturit, për fëmijët e tij, por edhe për zbardhjen e vrasjes së vëllait. Në atë kohë, ai priste në selinë e PSSH-së në kryeqytet. Ishte një ditë e enjte e muajit korrik. Zoti Nano, që ndodhej në zyrën e vet, u njoftua nga punonjësit e shërbimit për praninë e familjarëve të Artur Rustemit. Për shkak të ngarkesës së asaj dite, na e shtyu takimin për një javë më pas.

7 ditë më vonë, udhëtova me furgon drejt Tiranës. I kërkova punonjësit të shërbimit që, të më përfshinte në listën e atyre që kërkonin të takonin kreun e PS-së, duke i kujtuar edhe premtimin që më ishte bërë. Fillimisht mendova se, mundimi nuk do më shkonte dëm. Por…u zhgënjeva. Zoti Nano, kishte ngarkesë sërish atë ditë dhe… U ktheva në Vlorë me një shije të hidhur. Nuk u përpoqa më”.

Zhgënjimi i familjes

Lefteri tregon për kërkesat e familjes nuk mori asnjë përgjigje nga askush. “Në fakt, më pritën në takime, Skënder Gjinushi (në atë kohë, kryetar i Kuvendit të Shqipërisë) dhe Namik Dokle (deputet i PS-së)”, thotë ai. I pyetur për premtimet e marra, ai shton: “Jo shumë. Nuk e kemi forcën dhe mundësinë vetë, sepse duhet të kemi bazën ligjore për t’u ardhur në ndihmë familjarëve, fëmijëve të mitur të Arturit, më thoshin. Sepse, po përpiqeshim t’u lidhnim një pension fëmijëve.

Vëllai merrej me punë private dhe ishte i pasiguruar. Prandaj dhe fëmijët e tij nuk përfitonin gjë. Dhe, përfundimisht, fëmijët u rritën pa asnjë mbështetje nga shteti, pa asnjë ndihmë financiare”.

”Goditja me snajper, jo më larg se 20 metër”

Me çfarë pune merrej vëllai juaj?

Arturi merrej me tregti…

Të kthehemi tek ngjarja, tek ajo ditë e 10 shkurtit të vitit 1997. Me sa plumba u godit Arturi?

Me një plumb të vetëm, çka u vërtetua edhe nga ekspertiza mjekësore…

Në cilën pjesë të trupit u godit?

U godit pak mbi zemër dhe plumbi kishte dalë në anën tjetër, në pjesën e djathtë të trupit, duke e përshkuar atë mespërmes dhe duke dëmtuar dhe shkatërruar organe të brendshme…

Ju, sot, 19 vjet pas kësaj ngjarjeje, çfarë kërkoni nga shteti, nga organet e hetimit?

Së pari, të gjendet autori. Nuk është gjetur autori ende. Na është thënë që u godit nga një distancë e afërt dhe kaq. Asgjë me tepër. Është goditur nga një distancë jo më shumë se 20 metra. Me snajper.

Keni shpresë se mund të bëhet diçka, mund të arrihet deri në zbardhjen e ngjarjes?

Jo. Aspak. E kemi humbur çdo lloj shprese.

Në çfarë momenti arritët në një përfundim të tillë? Çfarë ndodhi që ju, u tërhoqët dhe menduat se, nuk ka më asnjë mundësi të bëhet diçka për të gjetur autorin (autorët)?

Qysh në vitin e parë. Pak muaj pas vrasjes. E ndjemë se, askush nuk do të bënte, apo më saktë, nuk kishte dëshirë të bënte gjë. Dhe, nuk është vështirë për ta ndjerë, për ta kuptuar. Mënyra se si të presin, si të flasin, si të shohin. Prandaj dhe ne thamë boll. Boll me këtë. Të paktën të bënim diçka për fëmijët. Por edhe për ta nuk bëmë dot gjë. Ata, bashkë me të ëmën, me dajot e tyre, u larguan për në Greqi, pak kohë pas vrasjes së të atit. Dhe, ja ku jemi sot. 19 vjet më pas, askush nuk mund të thotë gjë.

Vrasja e Artur Rustemit, ngjarja e pazbardhur

19 vjet më parë, më 10 shkurt të vitit 1997, mbeti i vrarë 34-vjeçari nga Vlora, Artur Rustemi. Ai u godit nga një plumb, ndërkohë që ndodhej mes mijëra protestuesve në qytetin e Vlorës, në afërsi të Sheshit të Flamurit, në atë vend që, sot, mban emrin e tij. Prej disa javësh, vendi po përjetonte krizën më të madhe të pas viteve ’90-të, rrjedhojë e falimentimit dhe shembjes së firmave piramidale. Vlora e atyre ditëve dhe javëve, epiqendra e këtyre firmave, ishte shndërruar edhe në epiqendër të reagimit qytetar, të atyre njerëzve që kishin humbur kursime. Dalëngadalë, revolta po formësohej dhe po konsolidohej edhe si një kundërshtim ndaj Presidentit të kohës, Sali Berisha dhe qeverisë së tij.

Qytetarët e pashpresë për të rimarrë paratë që kishin hedhur në këto firma, po u drejtoheshin rrugëve dhe shesheve. 10 shkurti shënoi në fakt, përplasjen e parë dhe më të madhen, mes qytetarëve dhe forcave policore, prania e të cilave në Vlorë, në atë ditë, ishte e jashtëzakonshme. 34-vjeçari Artur Rustemi, i cili ushtronte aktivitetin e tregtisë, ishte një nga ata që kishte humbur vlera monetare në këto firma. Prandaj dhe kishte dalë në protestë. Por, ai, atë ditë nuk do të kthehej më pranë fëmijëve të vet të mitur, pranë bashkëshortes së tij. Diku, pranë xhamisë së qytetit, në një shesh të vogël ku përplasja me policinë ishte shndërruar në një betejë të ashpër, ai do të goditej nga një plumb i vetëm. Një plumb që e zuri në pjesën e sipërme të zemrës dhe depërtoi përgjatë trupit, duke dalë në anën tjetër në krahun e djathtë.

Ra, vetëm 15 metra larg vëllait të vet, Lefterit, që në atë moment po kalonte çaste të vështira shëndetësore. Humbi në pavetëdije, për të ndërruar jetë pak orë më pas, në spital. Dhe, si për koiçidencë, saktësisht një vit pas vdekjes së nënës së vet. Edhe sot, nuk ka ende një autor të kësaj ngjarjeje. Organet e hetimit nuk arritën ta zbardhnin dot atë. Varrimi i Artur Rustemit u shndërrua edhe në një protestë kundër qeverisë së kohës. Mijëra qytetarë e përcollën atë për në banesën e fundit. Sot, vendi ku ai u vra, mban emrin e tij. Aty, në një kënd të sheshit, është ngritur edhe një memorial që përkujton këtë ngjarje. 10 shkurti i vitit 1997, shënoi edhe fillimin e protestave masive që çuan në zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme të 29 qershorit (me dy raunde, duke përfshirë edhe 6 korrikun) dhe që ndryshuan raportin e forcave politike, në favor të opozitës së deriatëhershme, të përbërë nga PS-ja, PSD dhe PAD.

Shekulli

4 komente në “Vëllai i Artur Rustemit: Si na zhgënjeu Fatos Nano pas vrasjes së ’97-s”

  1. TJ says:

    Dihet urdheruesi! Saliu! Saliu po ben perpjekje te shpetoje nga denimi! Po spostohet reforma! Statuti i PS eshte problemi?! Saliu eshte ne qender te ketij konspiracioni! A do t’ja dale te shpetoje? Sigurisht! Eshte kembim nje me nje! Berisha falet ne falje te Metes! Shqiperia po reshqet me shpejtesi! A do te fitoje Mafia?

    1. Populli says:

      Saliu mund ta kete vrare, por perse mafia tjeter e PS-se nuk e gjeti se kush. Nuk e kuptoni qe jane pjese e te njejtes monedhe dhe ju genjejne me PS dhe PD dhe ngjyra te ndryshme? Duhet te kuptoni se te dy palet jane kriminale dhe bashkepunojne, por bejne gjoja opozite kur jane ne publik. Zgjohuni se po ju tallin per 25-vite dhe ende nuk e keni kuptuar.

  2. Kellira says:

    Po ky nuk e di qe me 9 Mars 1997 u furmos amnistia nga veta ata qe organizuan djegjen e Shqiperise nga veriu ne jug?! …
    S’paska marre vesh asgje i shkreti! Dhe si ky jane shumica por mire na e bejne.

  3. ymeri says:

    E vrane ata qe vrane brozin ne dy prill

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje