Ka mjaftuar gërshetimi i duarve lart i Dua Lipës në «Last Dance» që «të ngrihet» shqiponja e të postohet prej shumëkujt nëpër llogaritë virtuale. Komentuesit i kanë thurur lavde e janë shprehur krenarë me këngëtaren e re me prejardhje nga Kosova.
Në shkrimin «Dua Lipa: Yll në ngritje i popit», me fotografinë portret shkëputur nga spoti, BBC-ja shkruan se këngëtarja është e lindur në Londër prej prindërve nga Kosova. «E tymtë në zë dhe e zjarrtë në fotografi, Dua Lipa duket dhe tingëllon si yll në ngritje i popit», ishte fjalia e parë e shkrimit të botuar më 9 shkurt në televizionin britanik. Në një foto bardhezi të Kosovës, ndarja do të ishte krejt e thjeshtë: e zeza është imazhi me të cilin e ngjyros politika, e bardha, ai që krijojnë veçmas artistët.
Filmi «Shok» është shembulli më i freskët. I dalë nga një vend ku përditshmëria i përcjell botës skena të zymta e ku presidenti zgjidhet edhe nën flakë, në Hollywood po pret shkëlqimin e «Oscarit». Dhe atë me një histori lufte që shumë shqiptarë të Kosovës e kanë lënë prapa si një periudhë e errët e fatit të tyre me shpresën që të mos përsëritet kurrë më.
Përplasja e ekstremeve
Tymi dhe gazi lotsjellës janë dy fjalët kryesore në raportimet për Kosovën në mediat e huaja lidhur me krizën më të thellë politike prej përfundimit të luftës. Kriza aktuale politike ka acaruar në internet gjuhën ndërmjet dy blloqeve të kundërta.
Politikanët u janë bashkuar komentuesve virtualë më 14 janar, kur u hap një faqe e re për kinematografinë kosovare që e pret epilogun të dielën e 28 shkurtit dhe të bëhet lajmi i mirë për Kosovën
Këngëtarja Rita Ora në faqen e saj zyrtare në «Facebook» ka bërë thirrje që të përkrahet filmi. Ajo vitin e kaluar do të bëhej kosovarja e parë që do të shkelte skenën e «Oscarit», kur u ngjit për të kënduar «Greatful», kolonë zanore e filmit «Beyond the Lights», e nominuar për «Oscar». Më 2012 erdhi në Prishtinë për ta vizualizuar «Shine Ya Light» kur nëpërmjet spotit gjente shkëlqimin në vendit prej të cilit iku krejt e vogël.
«Shok» përshkruan fatin e dy shokëve të rinj, njëri prej të cilëve vritet në fund prej një polici serb. Ngjarja zhvillohet në Stantërg, prej minierave të të cilit kishin dalë më 1989 thirrjet për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Kosovës. Stantërgu nuk ka ndryshuar aspak. Shumëkush në skenën e artit e të kulturës botërore mendon se qytetarët e Kosovës ende përballen me ndikimin e luftës së fundit. Pakkush beson se Kosova ka artistë të përmasave ndërkombëtare.
Sopranoja Besa Llugiqi, që ka performuar nëpër skenat më të njohura botërore, përderisa tash është ndalur në skenën bullgare, thotë se Kosova duhet të investojë shumë më shumë për të përmirësuar perceptimin e të huajve për Kosovën si një vend që po mundohet të rimëkëmbet.
«Kosova ka filarmoni, balet e kor»
«Sigurisht që Kosova njihet me luftën e fundit dhe akoma kanë mendimin që jemi në një traumë të pasluftës, andaj kur flasim për artin me artistë të vendeve të ndryshme, disa çuditen që ekzistojnë filarmonia, baleti, kori, solistët, e çudia më e madhe, se të gjithë këta artistë funksionojnë pa shtëpi të tyre», thekson Llugiqi, anëtare e Filarmonisë së Kosovës.
Tash e pesëmbëdhjetë vjet Kosova nuk i ka bërë konak të përhershëm Filarmonisë. Madje, më 2009 u shpenzuan mbi një milion euro për teatrin e operës dhe baletit, «Ibrahim Rugova», që nuk u realizua kurrë, edhe pse ekskavatorët hoqën dheun për themelet e objektit në «Bregun e Diellit».
Në hapësirën e vërshuar nga uji, shpeshherë hidhen materiale inerte. Politikanët vazhdojnë ta akuzojnë njëri-tjetrin për dështimin e projektit me emrin e presidentit të parë të Kosovës së lirë.
Dramaturgu Jeton Neziraj thotë se nuk mund të flitet për «imazh unik» të Kosovës. Këmbëngul se secili shtet ka veçoritë e veta që ndikojnë në formësimin e perceptimit në mesin e të huajve. «Dhe ai imazh ‹tronditet› në periudha të caktuara, kur ka zhvillime jo të këndshme politike apo sociale në Kosovë», deklaron Neziraj, veprat e dramat e të cilit janë përkthyer e inskenuar nëpër shumë shtete.
«Në përgjithësi, dominues është ‹imazhi i luftës›, por edhe ky i ‹trazirave› të pasluftës», shprehet ai, duke shtuar se të huajt në përgjithësi e shohin Kosovën si vend të varfër e me probleme të luftës «siç është në të vërtetë» dhe si vend «jo fort demokratik».
Artisti Sislej Xhafa tregon se Kosova nxit kureshtjen e artdashësve të huaj. «Freski» është fjala e vetme e Xhafës kur pyetet se çfarë dinë kolegët e huaj për Kosovën.
Vend i konsoliduar gjysmautoritar, konsiderohet Kosova në raportin e organizatës «Freedom House» për nivelin e respektimit të të drejtave e lirive të njeriut. «Në disa vende, natyrisht dominojnë stereotipat për Kosovën si një vend i krimit të organizuar, i terrorizmit dhe i plot të këqijave të tjera», thekson Neziraj. Ai thotë se fatkeqësisht Kosova deri tani ka prodhuar më shumë lajme negative se pozitive. «Dhe kjo natyrisht e ka rrënuar kredibilitetin dhe imazhin e saj tek shumë njerëz në botë».
Bota «habitet» me artin kosovar
Llugiqi thekson se duhet të ketë më shumë promovim të artit kosovar jashtë vendit. «Mendoj se gjithsecili nga ne, me forcat tona, mundohemi të promovojmë punën tonë dhe njëkohësisht Kosovën», thotë ajo, duke shtuar se «ka pak njerëz» që janë të informuar me rrjedhat e kulturës kosovare. «Njohin disa individë të suksesshëm që sigurisht mburremi ne, si Inva Mula, Ermonela Jaho, e të tjerë», thekson Llugiqi.
Neziraj, ndërkaq, thotë se artdashësit e huaj kanë fare pak njohuri për veprimtarinë e artistëve nga Kosova. Madje u është krijuar përshtypja prej bisedave me publikun e huaj se ata ndihen «të tronditur», sepse thonë të habitur se shfaqjet kosovare janë bashkëkohore dhe se nuk kishin pasur pritje të ngjashme.
«Pra, në përgjithësi, publiku në shfaqjet tona jashtë vjen me një mal paragjykimesh – duke supozuar se do të shohin një teatër tradicional ose folklorik, por del me përshtypje krejt të tjera», shton Neziraj. «Pra, fakti që ata Kosovën e shohin si një vend të pazhvilluar, ata presin që edhe produktet tona artistike do të jenë në atë standard».
Por cilat janë «pikat më të forta» të artit e kulturës së Kosovës?
«Mendoj se vendi ynë ka pasuri e talent të jashtëzakonshëm në të gjitha fushat e artit. Gjithnjë e potencoj këtë fakt. Sigurisht mburremi me kompozitorët që kemi, artistët që tani bëjnë karrierë jashtë vendit dhe vullnetin e kurajën për të gjithë ata që artistë që punojnë dhe funksionojnë në Kosovë», thekson Llugiqi.
Derisa për Xhafën, «paparashikueshmëria» është «pika më e fortë» e artistëve nga Kosova, për Nezirajn është vetë shfaqja e inskenuar. «Pra, kualiteti i saj. Argumenti ynë është shfaqja dhe kualiteti i saj. Natyrisht, shfaqjet tona janë kryesisht politike dhe kjo përbën atraksion kryesor për publikun jashtë», shton ai. Neziraj mendon se Kosova «nuk ka shumëçka» për t’u krenuar para botës. Ankohet se vendi nuk ka skenë të zhvilluar kulturore.
Llugiqi thotë se është e vështirë dhe plot sakrifica rruga e depërtimit të artistëve kosovarë në skenën ndërkombëtare. Sipas saj, të gjithë artistët që ia mësyjnë të ftojnë zemrat e audiencës së huaj, fillimisht duhet të jenë të përkushtuar e të punojnë palodhshëm.
Kultura para politikës
«Andaj përgjegjësia është shumëfish më e madhe, meqë përfaqëson punën tënde dhe kulturën e një vendi, por është e vetmja alternativë dhe shpresë që një këngëtare e operës të plotësohet shpirtërisht në skenë, meqë tek ne nuk ekziston», thekson Llugiqi.
Xhafa i përgjigjet me ironi pyetjes se sa e vështirë është të depërtohet jashtë vendit.
«Një breshkë e oqeanit të vijë në Prishtinë dhe të parkohet në një parking të makinave dhe të lëshojë vezë të mbuluara me rërë. Një hapësirë parkingu e mbuluar me rërë për breshkën. Vezët nuk mundeni me i pa dhe vozitësit e dashur të makinave mbajnë qetësi absolute, pra dhëmbët e vozitësve nuk shihen. Heshtja ndihmon dhe kontribuon në zhvillimin e vezëve të breshkës», është përgjigjur në një intervistë elektronike Xhafa.
Histori e betejë në vete, Neziraj e konsideron depërtimin në skenën ndërkombëtare. Ai thotë se ndoshta si «zgjidhje më të kollajshme» e shohin vazhdimin e karrierës artistët që kanë dalë jashtë vendit.
Megjithatë, ka artistë që vazhdojnë të jetojnë e punojnë në Kosovë. «Ata në Kosovë ballafaqohen me një mal problemesh – kryesisht nuk çmohen sa duhet dhe nuk përkrahen, megjithatë, ndërkombëtarisht, janë artistë të respektuar dhe të vlerësuar. Të tillë nuk ka shumë në Kosovë, por ka disa».
Koreografi shqiptar, Pullumb Agalliu, ka ardhur nga Azerbajxhani në Prishtinë për ta vënë të enjten mbrëma në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës shfaqjen e baletit «Netët arabe» me 1001 tregime intrigash, dashurish, vrasjesh e tradhtish bashkëshortore. Por në fund Sheherzadja me përrallat e saj ia zbut zemrën mbretit Shehriar. Shfaqja e interpretuar nga Baleti Kombëtar i Kosovës përfundon me çiftin e ri të ngritur në piedestal. Monarkisë i kthehet normaliteti në fund të shfaqjes.
Por paqja nuk u është kthyer të nesërmen shesheve para shkallëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Madje vetëm sa është përshkallëzuar situata me përleshje të dhunshme ndërmjet policisë e protestuesve të opozitës. Gazi lotsjellës dhe dhuna dominuan përsëri raportimet nëpër mediat ndërkombëtare.
Kosovarët shpresojnë se në fundjavë presin lajm të mirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Besojnë se ekipi i filmit «Shok» do të ngjitet të dielën në skenën më të famshme për të ngritur «Oscarin». Dhe natyrisht se politikanët do të shkruanin se krenohen me suksesin më të madh eventual të kinematografisë shqiptare.
Artisti Xhafa ngulmon se arti gjithnjë e përfaqëson vendin më mirë sesa politika. «Arti dhe gjuha e tij ndërkombëtare janë më të fortë sesa spektakulariteti vetjak aktual politik», thekson ai.