Arrin në 16.2 miliardë lekë (116) milionë euro shuma që biznesi ka ankimuar te Drejtoria e Apelimit Tatimor përgjatë vitit 2015, sipas të dhënave të brendshme të Tatimeve.
Këto janë ankesa që kryesisht bizneset i kanë bërë sepse nuk kanë qenë dakord me vlerësimet tatimore pas kontrolleve, apo për gjoba të ndryshme.
Pjesa më e madhe e ankimimeve kanë qenë për taksat kombëtare, me rreth 6.8 miliardë lekë, të ndjekura nga TVSH, me 4.9 miliardë lekë, tatim fitimi me 1.6 miliardë lekë (shiko tabelën në fund për të dhënat e detajuara).
Vetëm 537 milionë lekë, apo rreth 3.3% e shumës së ankimuar është shfuqizuar, 5.3 miliardë lekë është në fuqi, 10 miliardë lekë është refuzuar dhe dhe 357 milionë lekë është kthyer për saktësim, raporton Monitor.
Sipas ligjit për procedurat tatimore, kur tatimpaguesi nuk është dakord me një akt administrativ dhe beson se administrata tatimore nuk e ka zbatuar në mënyrë korrekte ligjin, ai ka të drejtën e ankimit në Drejtorinë e Apelimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, duke kërkuar rishqyrtimin e pavarur të cështjeve që lidhen me këtë akt.
Biznesi mund të ankimohet për çdo njoftim vlerësimi (për shembull një vlerësim tatimor i nxjerrë pas një kontrolli tatimor), çdo akt tjetër administrativ që ndikon detyrimin tatimor të tatimpaguesit përfshirë kërkesën për kompensim (kur, për një tatim ose disa lloje tatimesh, tatimpaguesi ka një detyrim por gjithashtu gëzon edhe të drejtën e kreditimit ose rimbursimit), çdo akt që ndikon kërkesën e tij për rimbursim, çdo akt që ndikon kërkesën e tij për lehtësim tatimor, gabimet në llogaritjen e përqindjes së kamatëvonesës dhe vendosjen ose gabimet në llogaritjen e shumave dhe llojeve të gjobave.