Fëshfërimat e së shtunës

12 Mars 2016, 17:20Blog TEMA
Fëshfërimat e së shtunës

Enver Robelli

«Shitësi i qumështit» është njëri prej tregimeve më të bukura të letërsisë zvicerane. Shkrimtari Peter Bichsel përshkruan me pak rreshta raportin mes zonjës Blum dhe shitësit të qumështit. Është një çift i çuditshëm: ata nuk njihen, por prapëseprapë marrëdhënia e tyre nuk është vetëm biznes i vogël. Shitësi i qumështit e sjell qumështin në orët e hershme të mëngjesit dhe e lë në kutinë postare, e cila në Zvicër quhet edhe Milchkästli, kutia e qumështit. Aty, në një zarf, zonja Blum i lë të gatshme paratë për qumështin. Nganjëherë ndodhin keqkuptime. Për shembull: «Në një copë letër shitësi i qumështit shkroi: <Sot s’ka më tëlyen, për fat të keq>. Zonja Blum lexoi letrën dhe llogariti, tundi kokën dhe llogariti edhe njëherë, pastaj shkroi: <Dy litra, 100 gramë tëlyen, dje nuk kishit tëlyen dhe prapëseprapë ma keni llogaritur>. Ditën tjetër shitësi i qumështit shkroi: <Më falni>. Shitësi i qumështit vjen në mëngjes në orën katër, zonja Blum nuk e njeh atë, ajo shpesh thotë vetë me vete se do të duhej ta njihte, thotë se do të duhej të zgjohej njëherë në orën katër për ta njohur. Zonja Blum ka frikë se shitësi i qumështit mund të jetë i hidhëruar me të, shitësi i qumështit mund të mendojë keq për të, kusia e saj ka gunga». Kohëra të shkuara, të harruara.

Edhe në Zvicër, në vendin e qumështit, lopëve e çokollatave, pothuaj nuk ka më shitës qumështi, që zgjohen herët, mjelin lopët dhe e shpërndajnë qumështin nëpër fshat e qytet. Këtu një litër qumësht, atje tri, aty dy. Dhe në çdo kuti postare blerësit tashmë i kanë lënë paratë të gatshme. Shitësi i qumështit dhe zonja Blum nuk arrijnë të njihen, së paku jo në tregimin e Peter Bichsel. Zonja Blum thotë se do të ishte e udhës ta njihte shitësin e qumështit, ndërsa shitësi i qumështit mendon se e njeh mjaft zonjën Blum, sepse ia di tabiatet – sa litra qumësht merr, sa tëlyen dhe – çka është më e rëndësishme – paratë në zarf duhet numëruar mirë, sepse zonja Blum nganjëherë i harron dhjetë apo njëzet rapë.

Unë do të duhej ta njihja sjellësin e gazetës. Ai vjen qe 25 vjet për çdo ditë në orët e hershme të mëngjesit (me përjashtim të ditëve kur nuk del gazeta), hap kutinë postare, lë gazetën aty, futet në veturë dhe vazhdon shpërndarjen. Një ritual. Sjellësi i gazetës më 24 dhjetor, në ditën e Krishtlindjeve, bashkë me gazetën lë në kutinë postare edhe një kartolinë – me dëshirat më të mira për Krishtlindje dhe Vitin e Ri. «Faleminderit», i përgjigjem shkurt dhe lë në kutinë postare një shishe me verë nga Rahoveci. Sjellësi i gazetës pas disa ditësh, me gjasë pasi e ka pirë verën, shkruan në një copë letër: «E mirë ishte vera. Shumë e mirë. Pastaj etiketa…». Një zog, një trumcak, një harabel. «Verë me zogun e Rahovecit», siç e quajnë në Kosovë.

Gazeta e kësaj të shtune është plot befasi. Këmbësorët në të ardhmen mund t’i injorojnë zebrat në rrugë. Domethënë: nëse zebra për të kaluar rrugën është 200 a 300 metra larg këmbësorit dhe nëse nuk ka trafik të dendur, këmbësori mund ta kalojë rrugën ku të dojë – dhe jo patjetër duhet të shkojë te zebra. Shefi i një ndërmarrjeje të njohur për prodhimin e vagonëve të trenit njofton se ua ka zgjatur orarin e punës punëtorëve, por njëkohësisht ia ka shkurtuar rrogën vetes – për të përballuar krizën e valutës zvicerane, vlera e së cilës është rritur dukshëm në raport me euron. Pastaj një reportazh nga Jordania. «Një dhjetëvjeçar në fillim të vitit 2011 shkroi disa grafite në murin e shkollës së tij. Për këtë arsye u arrestua dhe torturua. Kësisoj filloi lufta qytetare në Siri». Tani dhjetëvjeçari i dikurshëm është pesëmbëdhjetëvjeçar, jeton në al-Ramtha, në veri të Jordanisë, bashkë me prindërit dhe tri motra. Këtu ka gjetur strehë, por jo edhe një jetë të re. Drejtoresha për zhvillim të qytetit të Zürichut tregon në një intervistë përse dyqanet e të huajve për shitjen e perimeve janë aq të rëndësishme për lagjet e Zürichut. «Daja Ali» (siç quhen shpesh dyqanet e turqve në Perëndim) kundër «Tezja Ema» (siç njihen në hapësirën gjermanishtfolëse dyqanet e lagjes). Fletët e gazetës fëshfërijnë tutje. Një reportazh na informon se dija tradicionale nga Kina mund të jetë burim i begatshëm për mjekësinë perëndimore. Dhe në fund një portret i mjekes Anna Lauber-Biason, e cila në Universitetin e Freiburgut hulumton mbi zhvillimin e gjinisë. Për specien njerëzore nuk është esenciale që të gjithë të shumohen, thotë ajo. Zonja Lauber-Biason është endokrinologe. Çka i bie kjo? Leksikoni po e shpjegon kështu: endokrinologjia është shkenca e hormoneve.

7 komente në “Fëshfërimat e së shtunës”

  1. pas says:

    Atyre zebrave ne shqip u thone “vija te bardha” z. Robelli. Fjala “zeber” ne gjuhen shqipe ka vetem kuptimin e kafshes, te gjitha te folmet e shqipes. Nuk eshte si puna e telyenit (fjale shqipe), meqe s’te pelqen fjala tjeter shqipe “gjalpe” qe shkruhet gjithandej neper etiketat e gjalpit a neper menu e eshte e perhapur gjithandej (dhe nuk eshte faji i standardit komunist, apo gegofob, apo toskocentrik, qe ty s’te pelqen).

    1. bekimi says:

      Jo o zotri! Robelli ‘di shume gjuhe te huaja!’ por e ka te veshtire dialektet e gjuhes tone shqipe! Nuk ka rendesi , nese perdoren dialektet e shqipes ne raste, per te theksuar dicka…..Por ,ai eshte i rrjellur,intelektual i pjerdhur..qe as fisin e vet nuk perfaqson. Duket ‘moderm,i pavarur’ por eshte tribal, Gje e mire eshte se, duket , nuk e kam pare ta quajn vehten shqiptare..Une deshiroj te vetdeklarohet..se duket eshte gjakprishur…… Eshte hiene..Hienat jetojne me mbeturina-qelbesira! Eshte mire se nuk ka shuma shoke ne shoqerine shqiptare-matosha-lubonje, e ndonje tjeter

  2. qiresi i zvicer kurves says:

    po na trego njiher sesi zvicerranet kan kriju ato krijesat me mafjoze kriminele te planetit ,bankat etyre qe jan lavatricet me gjigande te pastrim parase dhe krimit..
    kushedi sesa gjak kullon nga bodrumet lavazho te bankave zvicerrane.
    llum gjaku.
    lum gjaku.

  3. devoll vardari says:

    Ky ka telashe me shqipen dhe i parapëlqen “zebrat” e serbishtes.
    Më e mira e artikullit, nuk e mora vesh fijen përshkuese të idesë motiv!!
    E di Tema se cka na është pema, nëse ka ndonjë fije logjike…

  4. xxx says:

    Gabim e keni,gjuha shqipe po,po gjuha shqipe ka 15 dijalekte si shum gjuhe tjera,ne Itali flitet Italishta,po dallon shum vendi prej vendit,qe ka raste qe nuk mirren vesh,edhe ne shqipri kemi shqiptar,po edhe shqipfoles,e qe ne esenc dallojn.

  5. Aleks says:

    ti or Robell je “shtate uje nje kos” sic thoshim ne dikur. se cka don me than kjo po ta perkthjeke Mero qe po te boton ty ktu.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje