Argëtim, sport, muzikë, produkte artizanale dhe bio të zonës, ushqime tradicionale, ishin ato që ofrojë Tirana sot në Ditën e Verës në dhjetëra aktivitete të organizuara nga Bashkia e Tiranës.
Mijëra qytetarë të të gjitha moshave, të ardhur jo vetëm nga Tirana por edhe rrethet, janë bërë pjesë e festimeve të shumta të organizuara në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, parku “Rinia”, kodrat e Liqenit, lulishtja tek sheshi “Skënderbej”, sheshi “Nënë Tereza” si dhe zona tek Blloku, të cilat që nga orët e para të ditës janë kthyer në hapësira festive për këdo që sot kishte zgjedhur Tiranën për të festuar Ditën e Verës.
Festës i është bashkuar edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili pasi është përshëndetur me qytetarë të shumtë që e kanë ndaluar në rrugë, është angazhuar edhe vet në disa prej këtyre organizimeve. Pasi ka ndjekur nga afër një pjesë të mirë të këtyre mundësive që ofroi Tirana sot për qytetarët e vet, kreu i Bashkisë do të përcillte urimin e tij për të gjithë qytetarëve të Tiranës.
“Gëzuar Ditën e Verës!”. Fillon një stinë e re, një stinë e mbarë, dua t’u uroj të gjithëve mbarësi shëndet, jetë, lumturi në familjet e tyre. Fokusi për Bashkinë e Tiranës edhe në këtë ditë vere, ashtu si në të gjithë këtë vit kanë qenë fëmijët, ndaj shumica e aktiviteteve ka pasur për qëllim argëtimin e fëmijëve, edhe shumica e punëve në fakt të Bashkisë së Tiranës ka pasur si qëllim argëtimin e fëmijëve, fokusin tek kopshtet, çerdhet, shkollat”, tha kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj për mediat.
Më tej ai shtoi se ky do të jetë një vit fantastik për Tiranën, pasi Bashkia ka vendosur që të hapi disa kantiere pune, duke filluar nga ai për Sheshin “Skëndërbej”. “Në Tiranë, shumë shpejt do të fillojmë me sheshin “Skënderbej”, do të fillojmë fillimisht me dy muaj konsultime publike për sheshin “Skënderbej”, për t’u siguruar që më pas në fund të këtij projekti, ne të kemi ndoshta sheshin më të bukur në rajon, kur vjen puna për një hapësirë që i akomodon të gjithë dhe është simboli kombëtar i Shqipërisë.
Në sheshin “Skënderbej” gurë dhe pllaka nga e gjithë Shqipëria, për të treguar unitetin kombëtar, pemë e bimë nga e gjithë Shqipëria, për të treguar përfaqësimin kombëtar dhe besoj se ky është vetëm një nga shumë projekte që Tirana do kthehet në kantier ndërtimi për këtë vit”, u shpreh Veliaj.
Duke filluar që nga ora 09:00 u çel Panairi Eko ku u bënë pjesë kompani lulesh si dhe disa sipërmarrje riciklimi. Gjithashtu përgjatë bulevardit “dëshmorët e Kombit” u hap edhe Panairi Ushqimor “Merkata e Gjelbër”, me produkte bio të zonave përreth Tiranës.
Gjithashtu Bashkia e Tiranës kishte menduar në këtë ditë edhe për të vegjlit, për të cilët kishte organizuar paradën e nxënësve, ku rreth 1000 fëmijë të veshur më uniforma të gjelbra dhe kafe u vendosen në formën e një peme sipas koreografisë së veçantë nën moton “Jeto Eko, Festo Eko”, ndërkohë që një hapësirë tjetër i ishte lënë “Bike Fest – Pump Track BMX & MTB Show” ku u zhvilluan akrobaci nga profesioniste me biçikleta, gara për fëmijë dhe të rritur.
Për më të vegjlit ishte vënë në dispozicion edhe një kënd lojërash për fëmijë në Parku “Rinia” me animatorë profesionist, face painting, artistë me balona, maskota. Ndërsa në lulishten pas monumentit të Skënderbeut u organizua “Dita e Balonave”.
Gjithashtu për më të rriturit ishin në dispozicion disa fusha për tenis, basketboll, minifootball, si dhe sporte të veçanta. Edhe institucionet kulturore dhe artistike të Tiranës ofruan sot shfaqje për fëmijë dhe të rritur. Teatri Kombëtar i Kukullave dha shfaqje argëtuese për fëmijë, ndërsa Cirku i Tiranës ka organizuara performanca të ndryshme argëtuese për fëmijë dhe të rritur.
Festës nuk i mungoi as muzika, ku grupe të ndryshme muzikore dhe kërcimi sollën një atmosferë tjetër për të pranishmit në rrugët e sheshet e kryeqytetit. Ansambli i Tiranës solli kërcime të ndryshme me motive tradicionale të zonës dhe të festës së 14 Marsit.
Ndërsa DJ e grupe xhazi, sollën muzikën moderne për më të rinjtë. Ndërkohë që këngëtarë të njohur të muzikës shqiptare si Sidrit Bejleri, Juliana Pasha, Kaos, Era Istrefi, Ledri Vula, etj mbajtën një koncert në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Aktivitetet festive me rastin e kësaj dite mbyllen në mensat me “Telecom Albania Street Party” dhe koncerte alternative me të ftuar të ndryshëm si Tuna & Cozman, Dj Blunt & Real, 21 DJ ne rrugët e Bllokut.
Bravo Erion Veliaj.Kjo tregon se po punon mire,dhe ne te ardhemen do beshe gjera me te mira dhe me te bukura per femijet tane ne Tirane,si dhe per te rriturit.Vazhdo punen siç e ke filluar,dhe mos degjo qente e pd-ke qe lehin si te terbuar.Ke mbeshtertjen e popullit te Tiranes.