Lindjet lajmërohen në FB. Aty të vijnë buqeta me lule. Aty ke buzëqeshje. Urime. Fjalë të zgjedhura.
Në FB ke foton e parë. Pa e parë ende babai. Pa të puthur ende gjyshi. Pa të marrë erë më parë gjyshja.
Për emrin nuk vendos më dajua. Jo.
Një turmë elektronike, vendosin për emrin tënd.
Në shikimin e parë syri ngulet tek gjiri teksa e verbon drita e celularit.
Në dëgjimin e parë ke qeshjen e nënës dhe klik-un e mesazhit që shkoi në FB…
Lodra s’ka më. Këmbë me plagë s’ka më. Bark të çjerrë s’ka më. Fusha për të vrapuar s’ka më. S’ka më cingla. S’ka më topa. S’ka më karroca. S’ka më litar.
Madje edhe Mimoza llastica s’ka më… Ka veç FB, apo simotrat e tij.
Aty rritesh. Me mijëra lojëra. I luan vetëm. Ti thua po luaj me shokët. Çështje këndvështrimi. Atyre që dikur luanin lagje me lagje, 100 djem e vajza bashkë, u dukesh që po luan vetëm…
I mbyllur. I stresuar. Në ankth. Në pritje komentesh. Në pritje buzëqeshjesh e përkedheljesh dixhitale.
Çdo gjë dokumentohet në FB. Edhe adoleshenca. Edhe lidhja e parë. Puthja e parë. Kafja e mëngjesit. Dreka. Darka. Gjumi. Tualeti. Biçikleta. Makina. Ndarja e rradhës. Zhgënjimi. Mërzia. Gëzimi…Shoqëruar me bisedat e rastit, disa të dukshme e disa të padukshme.
Në FB japin lajmërimet e fejesës. Presin urime.
Në FB japin lajmërimet e dasmës. Presin urimet.
Në FB japin lajmërimet e vdekjes. Presin ngushëllime.
Në FB kërkojnë punë. Në FB bëjnë politikë. Ne FB behen lideret e rinj. Në FB protestojnë. Nga FB martohen. Aty shohin lajmet. Edhe kur vdesin, vazhdojnë të jenë gjallë në FB. Nuk ka nevojë për ç’rregjistrim si në gjendjen civile. Nga FB edhe të spiunojnë…
Një jetë dixhitale. Pa prekje. Pa frymë. Pa shprehje. Pa mimikë. Bota e gjithë në një alet të vogël. Për pak vite do harrohet shprehja “më mori malli”. Sot kjo shprehje përdoret veç nga disa nëna që nuk po mësohen dot me FB…
Nuk e zgjidhim dot në duhet uruar shpikësi i FB, apo duhet mallkuar.
Ahahah, shume bukur! Duhet mallkuar shpikesi i tij, dhe shpikjen ta quajme fakebook. Gjithcka aty eshte fallco.
O njerez te vegjel qe nuk shihni dot pertej hundes tuaj. Perse duhet mallkuar themeluesi i FB???!!!! Fundja, perdorimi i tij eshte zgjedhje e lire qe ndoshta krijon varesi, por kjo prap eshte ne doren e gjithsecilit. A mos ndoshta mallkojme shpikesin e duhanit, apo ata qe shpiken drogen, apo ata qe shpiken armet apo ku di une edhe 1000 te zeza te tjera qe na vrasin perdite e ne vazhdojme ti mbajme pjese te vetes tone? Te keqen duhet ta shohim brenda vetes dhe jo te ndihemi te lehtesuar duke drejtuar mallkime drejt te tjereve. Tema e shkrimit eshte e larte, por vleresuar ulet nga ana e Arizajit.