Tmerri, dëshpërimi dhe ngushëllimi. Në këtë moment jemi të gjithë solidarë me viktimat e Brukselit dhe gjithë Belgjikën. Të gjithë dënojmë njëzëri sulmet, por nuk mund të shmangim disa konsiderata jo emotive.
E para: nuk është e mundur që atentatet të anashkalohen kaq lehtë dhe asnjë nga krerët politikë apo inteligjenca të mos paguajë pasojat. Perëndimi po lufton prej 15 vjetësh, në atë që Bush e cilësoi si “War on terror”, luftën ndaj terrorizmit. Rezultatet e kësaj lufte janë shkatërrimtare: bota sot është shumë më pak e sigurt se 15 vjet më parë dhe fundamentalizmi islamik i dhunshëm, në vend që të zmbrapset po përhapet gjithmonë e më shumë në botën arabe. Al Kaedës së famshme i ka mbetur vetëm emri, Bin Laden vdiq, megjithatë sot gjendemi përballë një kërcënimi edhe më të madh, IS dhe një galaksi e tërë grupesh të vogla terroriste, njëri më i rrezikshëm se tjetri. Sulmet mbi Irakun, Libinë, Sirinë, torturat dhe burgosjet pa procese gjyqësore, shumë prej të cilëve të pafajshëm, shkaktoi një kundërreagim nga mijëra të rinj arabë që sot shohin te Islami të vetmen përgjigje ekzistenciale. Strategjia me pamje hollivudiane me parimin “o me ne, o kundër nesh: ka qenë dështim i plotë dhe është momenti që SHBA dhe aleatët e saj pasivë në Europë të njohin dhe pranojnë gabimet e tyre dhe të konsiderojnë stabilitetin dhe mbështetjen ndaj eregjimebe arabë laikë.
Por është edhe një gabim tjetër që nuk përmendet: sot inteligjenca e vendeve perëndimore ka në zotërim mjete të shkëlqyera teknologjike për të parandaluar terrorizmin. Nëse analizojmë prapaskenat e sulmeve në Nju Jork, Madrid, Paris dhe Bruksel, do të shohim që sulmet ishin të paralajmëruara. Shërbimet sekrete amerikane dhe CIA kishin të dhëna se mund të goditeshin, por dështuan në parandalimin e sulmeve. Edhe sulmuesit e Parisit ishin të njohur për policinë franceze, ashtu si edhe në Bruksel, por nuk u shmangën dot sulmet. Në gjithë atentatet në kryeqytetet europiane janë vënë re gabime makroskopike dhe anomali të jashtëzakonshme. Por janë tejkaluar duke i mbuluar me shkakun se janë “sekrete shtetërore”, për të mos pranuar gabimet e tyre. Por të mbulosh gabimet nuk është një përgjigje e pranueshme në demokraci. Kush gabon, dhe sidomos kush gabon në një mënyrë kaq të dukshme zakonisht paguan. Përse nuk i kërkohet asnjëherë llogari krerëve të inteligjencës amerikane, franceze apo belge për veprimtarinë e tyre shkatërrimtare? Si mund të ndjehemi të sigurt dhe kemi besim se ata do të parandalojnë katastrofa të tjera?
Konsiderata e dytë: ka të bëjë më qëllimet përfundimtare të IS. Historia e terrorizmit ka treguar se sulmet bëhen për të arritur një objektiv afatshkurtër, shkaktimin e tmerrit dhe panikut, dhe një objektiv afatgjatë. Shkaktimi i tmerrit dhe panikut tashmë është arritur nga IS, por cili është objektivi i tyre afatgjatë? Çfarë duan realisht? Çdo gjë mund të thuhet për ta, por jo që janë budallenj. A mendojnë realisht se mund të vendosin një Shtet Islamik në Europë? Nëse ky do ishte qëllimi i tyre përfundimtar atëherë ndoshta mund të zgjidhnin një mënyrë tjetër për ta bërë, më paqësore dhe me më pak zhurmë, nëpërmjet emigracionit, sesa me atentatet vend pas vendi. Personalisht mendoj se ata kanë një plan tjetër, ndoshta më ambicioz, por çfarë? Tjetër pyetje pa përgjigje. Të gjithë në Europë revoltohen, të gjithë kërkojnë masa më të ashpra por askush nuk shkon përtej kësaj, askush nuk ngre pyetjen më të thjeshtë: kush fiton nga kjo? Por me siguri, të ngresh këtë pyetje ndoshta do të thotë të kërkosh shumë…/ Përgatiti Amarildo Lumani.