Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri shoqëruar nga administratori i Korporatës Elektroenergjitike z.Agron Hetoja inauguruan investimet e kryera në Hidrocentralin e Fierzës gjatë vitit 2015.
Investimet kapin vlerën e 900 milion lekëve dhe fokusohen në tre drejtime. Së pari tek rritja e efiçencës së prodhimit përmes blerjes së pajisjeve dhe vendosjes së sistemeve që mundësojnë optimizimin e prodhimit. Së dyti, rritja e sigurisë dhe jetëgjatësisë së veprës përmes ndërtimit të pritave malore, rehabilitimit të kullës së ekulibrit, sistemi i vëzhgimit për ruajtjen dhe sigurinë fizike, sistemimi dhe asfaltimi i rrugës sepertinë të digës. Së treti përmirësimi i kushteve të punës përmes instalimit të shkallëve metalike në portat e tunelit nr.4 të shkarkimit, instalim i sistemit të ventilim-kondicionimit në central.
Drejtori i HEC Fierzë Ergys Verdho informoi se totali i vlerës së investimeve të kryera në këtë vepër energjitike gjatë 3 vitevë fundit arrin në rreth 15 milion euro.
Ministri Gjiknuri deklaroi se përmirësimi i pagesave kundrejt Operatorit të Shpërndarjes ka sjellë një zinxhir përmirësimi finnanciar të KESH, gjë që ka mundësuar realizimin e këtyre investimeve.
“Rritet jetëgjatësia e kësaj vepre, rritet eficenca ekonomike dhe i ruhen vlerat një aseti shumë të rëndësishëm kombëtar. KESH është duke negociuar edhe një ristrukturim të të gjithë borxhit të saj, borxh i krijuar për shkak të falimentimit të sektorit dhe për shkak të keqmenaxhimit gjatë qeverisjes së kaluar. Kjo është një votë besimi për reformën në energji. Një votë besimi edhe për vet KESH, që BERZH do të hyjë me paketën më të madhe financiare të mbështetjes për këtë korporatë. Vetëm nëpërmjet ristrukturimit të kësaj kredie do të shpëtojnë miliona euro në vit nga ulja e interesave dhe fillimi i pagesave të principalit”, theksoi ministri Gjiknuri
Linja e interkonjeksionit me Kosovën, Gjiknuri: Në Qershor inaugurohet
Linja e interkonjeksionit 400 kilovolt mes Shqipërisë dhe Kosovës përfundon në mesin e muajit Qershor. Lajmi u bë i ditur nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri i cili sëbashku me administratorin e Operatorit të Sistemit të Transmetimit z.Engjëll Zeqo inspektoi punimet për vendosjen e shtyllave të fundit në segmentin Koman-Fierzë.
Administratori i OST, Zeqo deklaroi se gjithësej janë 4 shtyllat e fundit për të mbaruar. Sipas tij, pjesa tjetër është shtrirja e përcjellësit, e cila deri më sot ka mbaruar rreth 30 kilometra dhe është planifikuar për të përfunduar e gjitha në fillim të Qershorit.
“Është një nga investimet më të rëndësishme që OST po kryen në këto vitet e fundit ku së bashku me linjën e Podgoricës rrit shumë gatishmërinë e sigurinë e furnizimit, rrit besimin jo vetëm tek tregtarët dhe prodhuesit e energjisë por edhe tek vendet fqinje pasi është një element më i lartë sigurie për pjesën e Ballkanit”, u shpreh Zeqo.
“Po bëjmë unifikimin fizik të tregut energjitik shqiptar me tregun energjitik Kosovar. Ajo që e kemi quajtur ‘autostrada energjitike’ do të fillojë të funksionojë. Do të ketë avantazhe për të dyja vendet për shkak të natyrës së prodhimit të energjisë që kanë ata, me qymyr dhe natyrës sonë hidrike. Forcon lidhjet e Shqipërisë me rrjetin ndërkombëtar, duke e bërë Shqipërinë të avantazhuar në shumë drejtime si nga pikëpamja e tregtimit të energjisë, nga pikpamja e sigurimit të furnizimit, por mbi të gjitha do të sjellë siguri më të madhe edhe nga pikëpamja tarifore për konsumatorët shqiptarë sepse mundësitë e mëdha të tregtimit dhe shkëmbimit të energjisë sjellin stabilitet në çmime”, nënvizoi Gjiknuri.
Ministri Gjiknuri njoftoi se do të vazhdohet edhe me projektet e tjera ndërsa vitin e ardhshëm fillon linja me Maqedoninë për të cilën është siguruar tashmë financimi.
“Këto janë zhvillime shumë të rëndësishme për sistemin elektroenergjitik shqiptar gjë që e bën atë akoma më solid. Një sistem i cili po thith akoma më shumë investime dhe po krijon platformën e nevojshme edhe për investime private, një shtyllë e qëndrueshme për zhvillimin ekonomik”, vlerësoi Gjiknuri.
Linja e re e interkojneksionit 400 kV Tirana2 – Kosova b është financuar nga qeveria e Republikes Federale Gjermane nëpërmjet Bankës KfW, me një vlerë prej 42 milion Euro për pjesën shqiptare të projektit. Linja 400 kV do të ketë një gjatësi prej 242 km nga të cilat 155.5 km në territorin e Shqipërisë dhe pjesa tjetër rreth 90 km në territorin e Kosovës. Projekti, përveç rritjes së kapacitetit të shkëmbimit të energjisë elektrike dhe besueshmërisë së rrjetit në rajon, do të mundësojë shfrytëzimin optimal të burimeve të përbashkëta të prodhimit të energjisë elektrike të Kosovës dhe Shqipërisë duke patur parasysh natyrën komplementare të tyre.
interkonjuksioni 400 kvolt ishte linja qe serbet sdonin te behej.
Dhe e mbajten peng me ane te sali viçidolit e pd-se se dhjere ANTISHQIPTARE.