Ristrukturimi i disa kredive me probleme që kanë rreth 30 kompani të mëdha ka nisur, ndërsa Banka e Shqipërisë ka nxjerrë një rregullore të unifikuar për të gjitha bankat, sesi duhet të procedojnë. Janë rreth 90 milionë euro, për të cilat bankat kanë rënë dakord të lidhin marrëveshje të reja me debitorët. Në raportimin vjetor për 2015-n në Komisionin e Ekonomisë, guvernatori Gent Sejko tha se miratimi i ligjit të ri për falimentin është i domosdoshëm dhe duhet dhënë sa më parë.
“Për ato raste, të cilat janë vërtet pa asnjë perspektivë pozitive, miratimi i ligjit të falimentit do të jetë një hap tjetër cilësor, që do të ndihmojë të gjithë procesin, kryesisht bankat dhe sistemin financiar”, tha guvernatori Sejko.
Sipas Bankës së Shqipërisë, kreditë me probleme patën rënie, duke arritur në 18 për qind, por rreziqet për rritjen e tyre mbeten, për shkak të falimentit të mundshëm të dy kompanive të mëdha, KURUM dhe ARMO.
Lidhur me këto kompani, Banka e Shqipërisë në rolin e rregullatorit mbikëqyr procesin, për këtë ka dhe një asistencë të përqendruar të Bankës Botërore, raporton Shekulli.
I pyetur nga deputetët, për shkallën e shqetësimit, që sjellë për Bankën Qendrore, falimentimi i dy kompanive gjigante, Sejko tha se vetëm falimentimi i KURUM-it do të rriste me 1 për qind nivelin aktual të kredive të këqija
“Nga media kemi dëgjuar që kompania KURUM ka shpallur falimentin.
E vërteta është që kompania pjesën më të madhe të ekspozimit e ka me institucionet financiare ndërkombëtare, nuk e ka me sistemin bankar. Në raport me ekspozimet që kjo kompani ka me sistemin bankar kanë qenë standarde dhe vazhdojnë të jenë standarde, pra vazhdon të shlyejë detyrimet. Në rast se marrim skenarin më të keq, në rast se kompania do të shpallte faliment, kjo do të ndikonte në rritjen 1 për qind të kredisë të keqe. Por nuk gjykoj se do të jemi në këtë situatë, por vazhdon t’i shlyejë detyrimet”, tha Sejko.
“Lidhur me ARMO-n ky është një detyrim i njohur dhe është marrë parasysh në kreditë me probleme dhe bankat janë përgatitur për ta provigjionuar. Në disa banka është në proces ekzekutimi, por edhe me këtë kompani mund të ketë negocime të caktuara në funksion të marrjes të një zgjidhje, ku në rast se do të arrihej negocimi, do të kryhej një lehtësim i mëtejshëm”, u shpreh Guvernatori, i cili e parashikoi situatën për të dy rastet, pa ndonjë ndikim serioz financiar.
“Ne nuk shohim një impakt serioz financiar nga përkeqësimi i situatave, nëse do të ndikojnë bankat janë të përgatitura me likuiditete për këto dy raste”.
Ndërsa ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, tha në një intervistë për Ora News, se ARMO dhe Kurum mund të kthehen në bumerang.
“Këto janë privatizime strategjike dhe kontratat e tyre shpesh kanë ngjallur dyshime. Shteti aty është në minorancë dhe shteti e ka të vështirë të kryej disa aksione. Ka nevojë për ristrukturim dhe ka nevojë të hidhet me kujdes çdo hap që bëhet me këto kontrata. Do na kthehen në bumerang financiar dhe do t’i bëjë një dëm të madh bankave në Shqipëri. Për të dyja rastet, ne kemi ngritur grupe pune që ta shikojnë me shumë kujdes dhe ka nevojë ta shikojnë ekspertë financiar dhe juridikë se si do të dalim nga këto raste. Ka të bëjë me situatën e brendshme”, tha ajo.
Hajd, se mban ai popull,mos e vrisni mendjen. Rendesi ka te na rroje Partia.
Pastaj borxhet per çfar i marim,se mos i marim per pensione e rroga.