INTERVISTA/ Lul Berisha rrëfehet për “miqësinë” me Shullazin dhe të vërtetën për vrasjen e tij

24 Prill 2016, 18:29Politika TEMA

Lulzim Berisha, i cilësuar nga prokuroria dhe policia si kreu i “bandës së Durrësit” dhe i dënuar me 25 vite burg nga Gjykata e Lartë ka reaguar pas shkrimit të botuar dy ditë më parë në “Shqiptarja.com” se ai dhe Emiljano Shullazi janë bashkuar në një grup të vetëm. Në një intervistë për “Shqiptarja.com” Lulzim Berisha shprehet se nuk ka asnjë njohje me Shullazin.

Sipas tij, emrin e Emiljano Shullazit ai e ka hasur për herë të parë në procesin gjyqësor kundër tij në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku bashkëpunëtori i drejtësisë, Adriatik Coli, ka pohuar se kundërshtarët e tij e kishin kontraktuar Shullazin si individ për ta ekzekutuar Berishën, kundrejt një pagese prej 200 mijë euro.

Më tej Berisha, shton se nuk mund të bëjë shoqëri dhe të qëndrojë, aq më tepër të bashkëpunojë me një person që emri i tij është përfolur në gjyq, si person që ishte ofruar për t’u kontraktuar, me qëllim eliminimin e tij fizik. Prej 10 vitesh Berisha qëndron në burg, pas akuzave të shumta të ngritura kundër tij, ndërkohë që i ai quan si spekulime informacionet e raportuara nga Ministria e Brendshme në prokurori. Sipas tij gjithçka është spekulim dhe se nuk ka asnjë lidhje me ato që shkruhen në raport. Ndërsa për sa i përket qëndrimit të tij në burgun e sigurisë së zakonshme në Durrës, Berisha thotë se kështu ka caktuar gjykata.

Zoti Berisha, nëpërmjet një materiali të publikuar ekskluzivisht në faqet e gazetës sonë ditën e premte, jeni njohur me disa akuza nga institucione të shtetit shqiptar, që ju përfshijnë personalisht ju. Cili është reagimi juaj?

E lexova shkrimin e botuar në gazetën tuaj, ku unë citohem (referuar një raporti të pretenduar, të marrë nga ministria e Brendshme shqiptare), si një nga krerët e një organizate kriminale, në bashkëpunim me shtetasin Emiliano Shullazi dhe kunatin tim (burrin e motrës), Plarent Dervishaj e individë të tjerë, që nuk po i përmend. Natyrisht, megjithëse i rrahur keq nga jeta e deritanishme, nuk mund të mos ndjej neveri, përbuzje, urrejtje, keqardhje, për vërtetësinë dhe mënyrën e publikimit të këtij lajmi. Është në funksionin e medias gjurmimi e publikimi i lajmit, por është edhe në detyrimin e saj të verifikojë burimin, vërtetësinë para se ta publikojë atë.

Konkretisht, pse mendoni që publikimi i lajmit është i gabuar?

Pretendohet se ky lajm është marrë nga një raport i ministrisë së Brendshme. Natyrisht, ju nuk jeni të obliguar të publikoni autorin e informimit, por duhet ta botoni raportin tërësisht, siç është i shkruar, për të larguar dyshimin se kemi të bejme me një spekulim, në rrethanën që ai nuk botohet, por vetëm citohet. Nëse ju nuk e botoni raportin, ashtu siç pretendoni që e dispononi, duke u mbrojtur me argumentin se ‘është sekret’ apo me ndonjë motiv tjetër, në rrethanën kur unë jam i cënuar drejtpërsëdrejti në rrugë tejet antiligjore, do të më duhet që të ndjek rrugën gjyqësore për administrimin e tij, gjë që nuk e dëshiroj.

Pra, sipas jush, nuk ekziston një raport i tillë?

Edhe nëse raporti i cituar ekziston, a duhet të botohet ai, në rrethanën siç është shkruar, si informacion nga një burim informativ, i pashoqëruar me prova apo indicje, që ta konfirmojnë atë? Policia e Shtetit e ka në objekt të punës së saj gjurmimin preventivues të veprimtarisë kriminale, por hartimi i një raporti apo informacioni të tillë, patjetër që duhet të shoqërohet me provat e përfituara deri në momentin e hartimit të tij, ndryshe Policia e Shtetit, duke hartuar raporte të tilla, pa elementin provues, shkel ligjin, mbi të cilin funksionon, si dhe shndërrohet në një institucion shpifës dhe demonizues, sipas manierave personale të atyre, që punojnë në të.

Pse e thoni këtë?

Unë jam arrestuar në prill të vitit 2006 dhe vazhdoj të jem pa ndërprerje në burgim, për shkak të procedimit, gjykimit dhe dënimit si subjekt i veprës penale, të parashikuar nga nenet 78 e 25 të Kodit Penal, sipas ligjit të kohës, për faktet penale objekt-akuze. Jam i dënuar me 25 vite burgim me vendim të formës së prerë. Në shkrim aludohej se Gjykata e Lartë, pa të drejtë, ka ndryshuar vendimet e dy niveleve të Gjyqësorit të Krimeve të Rënda, që më kishin deklaruar fajtor e dënuar me burgim të përjetshëm. Në fakt, jam unë ai, që ndihet i dëmtuar nga ai vendim, pasi jam deklaruar fajtor e dënuar pa të drejtë për fakte e rrethana të paprovuara në rrugë gjyqësore, për të cilat edhe vetë ajo Gjykatë ka mbajtur një standard të dyfishtë në çmimin dhe vlerësimin e atyre provave të administruara në gjykim.

Në këtë situatë që ndodhem, citohem si kreu i një organizate kriminale, me objekt veprimtarie kriminale në shumë drejtime. Me Emiljano Shullazin as nuk njihem dhe nuk kam patur asnjëherë kontakt; jo sot, por edhe në të kaluarën, kur kam qenë i lirë. Emrin e tij e kam ndeshur në procesin gjyqësor, që zhvillohej ndaj meje, ku ish-i pandehuri Coli, njëherësh bashkëpunëtor i Drejtësisë dhe burim i vetëm i fabrikimit të atij procesi, e implikonte si individ, me të cilin kundërshtarët e mi kishin kontaktuar për të më vrarë mua, kundrejt pageses prej 200 mijë eurosh. Ky fakt është cituar nga media e shkruar në kohën e procesit gjyqësor ndaj meje, por është cituar edhe këto ditë, pas arrestimit të Shullazit. Që këtu fillon paradoksaliteti i vërtetësisë së atij raporti të cituar nga ju në shkrim: Unë bashkëpuntor me individin që qe pretenduar se ishte kontaktuar për të më vrarë? Nuk ka asnjë provë, rrethanë apo indicje, që të provojë këtë pretendim, të hedhur në raport.

Po për lidhjet me individë të tjerë, të cituar në raport, ç’mund të thoni?

Kontaktet me kunatin, pjestarë të familjes apo lidhjeve shoqërore, që më vizitojnë, apo edhe mund të kem kontaktuar në telefon, anatemohen në raport, me sfond bashkëpunimi kriminal. Mbi ç‘bazë e në cilat prova apo burime mbështetet kjo? Citoni vetëm një indicie dhe iu jap të drejtë. Nuk kam asnjë lidhje me faktet penale që citohen e pretendohen në shkrim. Nuk ka asnjë çështje penale, të filluar ndaj meje apo individeve të tjerë, pjesëtarë të familjes, të afërm apo lidhje shoqërore të miat, që përmenden në shkrim, me përjashtim të pjesëtareve të familjes Shullazi apo Gilman Danit që, siç përmenda më sipër, as nuk i njoh.Përgojohen në shkrim vuajtja e dënimit në Durrës apo dalja me leje. Me vendim të formës së prerë të Gjykatës, vuajtja e dënimit për mua është caktuar në një burg të sigurisë së zakonshme. Në bazë të ligjit përkatës për organizimin e vuajtjes së dënimit, kam plotësuar kriterin ligjor për të dalë me leje.

Sipas jush, raporti është hartuar nga njerëz keqdashës personalisht ndaj jush? Apo për shkaqe të tjera?

Në rrethanën kur nuk ka asnjë vërtetësi në atë raport për implikimin tim në aktivitet kriminal, mbetet për t’u sqaruar fakti i mënyrës së hetimit,nxjerrjes dhe botimit të këtij raporti në këtë moment, motivet dhe qëllimet. Në gjykimin tim, jam i bindur se ata që drejtojnë Policinë janë vetë të bindur në pavërtetësinë e këtij raporti përsa i përket pozitës sime. Nëse do të ishte ndryshe, nga ana e tyre do të ishin kryer veprimet e nevojshme, për vënien time para Drejtësisë, siç nuk nguruan ta bëjnë edhe në vitin 2006. Edhe në atë kohë u zbatua i njëjti skenar. Në rrethanën kur nuk kishte prova për penalizimin tim, deklarimet e “bashkëpunëtorit të Drejtesisë“ Coli u botuan nga prokurori i çështjes në media për të sensibilizuar opinionin për rrezikshmërinë time kriminale e margjinalizuar pozitën time në atë procedim e gjykim. Dhe ja arriten qëllimit. Në atë kohë kam botuar një intervistë, në të cilën sqaroja pafajësinë time dhe prapavijën e errët, që shoqëroi procedimin dhe dënimin tim. Argumentet e mia në atë intervistë janë ende aktuale dhe janë sqaruese edhe për prapavijën e shkrimit të botuar nga ju. Ndaj ju ftoj ta ribotoni, në mënyrë që lexuesi të njihet me të vërtetën dhe ta bëjë vetë analizën e fakteve.

Pra, kush do të ishte prapa një veprimi të tillë?

Prapa këtij veprimi janë të njëjtat qarqe dhe të njëjtat motive. Ndërsa atëhere sponsori formal i botimit të deklarimeve të Colit në media ishte prokurori i çështjes dhe elita e drejtuesve të Policisë së Shtetit, që kërkonte të përligjte arbitraritetin e atij procesi, tani janë falangat e tyre, të mbetura në Policinë e Shtetit, që duke shfrytëzuar rastin “Shullazi”, për të goditur ministrin e Brendshëm dhe kryeministrin, kërkojnë të më intimidojnë edhe mua, të afërm apo lidhje shoqërore të miat,si bashkëpunëtorë me të, vetëm e vetëm për t’i shërbyer djallëzisë së tyre, pasi nuk jam palë me ta. Siç nuk kam njohur Shullazin apo lidhjet familjare ose shoqërore të tij, të proceduar bashkë me të, nuk kam pasur rast të njoh as ministrin aktual të Brendshëm dhe as kryeministrin, e jo më të bashkëpunoj me ta në rrugë kriminale.

9 komente në “INTERVISTA/ Lul Berisha rrëfehet për “miqësinë” me Shullazin dhe të vërtetën për vrasjen e tij”

  1. student says:

    Si shume i shkolluar po me duket ky Lul Beisha ? Ky beka per gjykate kushtetuese. Keshtu shkolle kishte dhe Shullazi. 8 vjet shkolle me breke neper kembe, i pa pune dhe goxha prona te vene . Dhe cfare pa. Krejt Tirana me kuc e ma mac i ka mbushe breket prej tij. Halera pushtetas. Hajdute koke e kembe.

  2. Atehere pse nuk kerkon rigjykim te çeshtjes more lul,kur mendon se ka qene prapaskene dhe je denuar padrejtesisht?

  3. The Prisoner says:

    Heu bre cka po lexojme! Ky Lul Berisha qe sdi me lidh dy fjale paska mbaru universitet ne burg. Lerini keto palacolleqe qe bien era zyrash te interesuara per te tilla “intervista”.

  4. Altun says:

    Anatemohen!!!!!!!!!!!

    Bravo Z berisha. paska vertete kulture qe perdor keto fjale kaq te zgjedhura!

  5. Emer says:

    Sa shkrim te keq qe paska ky shefi…

  6. Emer says:

    Nqs lul berisha di cfare do te thote margjinalizim, anatemim, intimidim, une dal edhe e pres ne qender te durresit!

  7. Zgjidhje says:

    Ahahahhahaha,

    O Tema, por më butë ju lutemi shumë se i mungon veç titulli PhD dhe mesatarja mbi 8 dhe le të hidhte kandidaturën për pedagogë në të drejtën penale ?

  8. Arberi says:

    Sa kollaj flisni. Te gjithe me pseudonime. Ai eshte denuar nga nje perballje me nje te penduar. Pra fjala e atij tjetrit me kete. I penduari u denua 10 vjet edhe pse deklaroi qe kish bere dhjetera vrasje, sipas tij te urdheruara nga L. Berisha. Provat? Une po them ckam lexuar ne shtyp e medie ne ate kohe. E dyta. Ku eshte e keqja qe nje person te flase me kopetence ne mbrojtje te tij. Te mos harrojme se ka 10 vjet qe jeton i mbyllur duke lexuar e me sa di eshte familjar i rregullt. 3. Ne fund te fundit ai po e vuan denimin e tij, me faj pa faj ne sjemi gjykates, por te mos behemi moraliste se te gjithe kemi mekatet tona, kush me shume e kush me pak. Une mendoj qe te gjitha akuzat e sotme jane dora e Sali Berishes qe me inat kerkon ta fundose. Nuk eshte i kenaqur qe me 25 vite burg. Po shpresojme qe te vendoset drejtesia ne shqiperi e saliu mbase behet shok qelie me Lulzim Berishen e shullazin

  9. Illyrians says:

    O gazetare italiane, ça dmth “indicie”???

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje