Duka: Stadiumi? Do të ketë debate. Kombëtarja do të shpërblehet

28 Prill 2016, 17:52Sport TEMA

Prej prezantimit të projektit të stadiumit Arena e Kombëtares, një investim me vlerë 50 milionë Euro, impianti më i madh dhe më modern në Shqipëri u shoqërua me mjaft debate. Nga projekti me një kullë që ngrihet në pjesën veriore, për të vazhduar me faktin se do të jetë një qendër multi-funksionale, për argëtimin e familjeve dhe të gjitha moshave, e për të vazhduar me fasadën e ekzistuesit “Qemal Stafa”, e cila është monument kulture. Pasi kryeministri Rama zbuloi se fasada do të mbetet pjesë përbërëse e veprës më të rëndësishme në Shqipëri, rreth debateve për stadiumin foli edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Sipas kreut të futbollit në vend, natyrshëm që është më mirë të ketë debate për vepra që do të realizohen, sesa për mungesën e investimeve.

“Nuk pres që të gjithë të jemi me një mendje për një punë. Për çështjen e stadiumit do të ketë vërejtjet e veta, dhe ndonjë e tillë mund edhe të pasqyrohet dhe të rregullohet. Eshtë shumë e rëndësishme që do të kemi një shtëpi te re për Kombëtaren.”

Kur mungon afro një muaj e gjysmë nga starti i Euro 2016, presidenti Duka konfirmoi se Kombëtarja do të shpërblehet në rast të arritjes së rezultateve, por nuk konfirmoi shifrat me 300 mijë Euro për fitore dhe 100 mijë për barazim, apo vlerën e përgjithshme prej 11 milionë Eurosh për fitimin e turneut në Francë.

“Realisht nuk është se unë i mbaj mend shifrat e bonuseve që do të marri ekipi për çdo rezultat pozitiv, apo për çdo kualifikim të mundshëm deri në kampion  Europe, por gjithsesi ka një shpërblim. Nuk më kujtohen shifrat.”

Data 3 Maj pritet të shoqërohet me vendimin historik të UEFA-s, për pranimin e Kosovës si anëtare. Një lajm i shkëlqyer sipas kreut të FSHF-së, që ka lobuar fuqishëm në këtë drejtim, e që nuk sjell asnjë shqetësim për çështjen e largimit të mundshëm të lojtarëve nga Kombëtarja shqiptare, ashtu siç është rasti i Alban Mehas. Sipas Dukës kur të vijë momenti, të gjithë do të jenë të lirë të zgjedhin.

“Lajm shumë i gëzuar, jo vetëm për Kosovën, por për të ata që luajnë futboll. Një hap tjetër drejt konsolidimit dhe njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së një shtet më vetë. Në këtë Botë çdo njeri është i lirë të bëjë zgjedhjen e tij dhe të vendosë çfarë të dojë.”/ SS

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje