Nga Kanuni i Jurisë, tek Reforma e Drejtësisë

9 Maj 2016, 22:21Blog TEMA

Nga Arben Isaraj

Krijimi i shtetit të pavarur kombëtar shqiptar, pas nëntorit të 1912-tës, ishte ngjarja më madhore në historinë kombëtare shqiptare.

Ky shtet i pavarur shqiptar nuk erdhi nga asgjëja, por u bazua në traditën e lashtë shtetformuese, duke filluar nga shteti Ilir (IV-II) para e.r., shteti i Arbërit (shek.XII), shteti i Skënderbeut (shek.XV), Pashallëku i Janinës i Ali Pashë Tepelenës në Jug (shek.XVIII-XIX), i Bushatllinjëve në Veri (shek.XVIII), si dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878).

Rrethanat historike në të cilat u mblodh dhe zhvilloi punimet Kuvendi i madh i Vlorës për shpalljen e pavarësisë kombëtare ishin jashtëzakonisht të vështira, për arsye se pjesa më e madhe e viseve shqiptare ishte e pushtuar nga ushtritë e huaja italiane, greke, serbe, franceze etj.

Pavarësisht nga kjo gjendje tepër e trazuar dhe e rëndë, patrioti i madh, intelektuali e diplomati i shquar Ismail Qemali, së bashku me bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, arritën të përballojnë rreziqet e sfidat dhe të mbledhin Kuvendin Kombëtar, i cili vendosi shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.

Shtetari jurist Ismail Qemali, i udhëhequr nga idetë e rilindasve , vuri në themel të krijimit të shtetit të ri e të pavarur kombëtar, filozofinë e Sami Frashërit se :

“Dy gjëra duhen në këtë jetë: E drejta dhe Fuqia (kupto – shteti). E drejta pa fuqi, si dhe fuqia pa të drejtë, është si një krah i vetëm”.

Njëkohësisht filloi të realizoheshin idetë e shprehura prej Frashërit në veprën “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë?” për formën e qeverisjes së vendit, organizimin e shtetit të ri, kompetencat e organeve qëndrore e vendore, ndarjen e balancimin e pushteteve, si dhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor.

Këto ide u konkretizuan që në aktet e para juridike të Qeverisë së Vlorës, si një trashëgimi kulturore juridike me vlerë.

Shteti i sapokrijuar nuk mund të kryente dot funksionet e tij pa të drejtën, pa ligjet, që do të rregullonin marrëdhëniet juridiko-sociale në fushat e jetës së shqiptarëve.

Gjithashtu Ismail Qemali, duke qenë edhe vetë jurist, e dinte shumë mirë se e drejta, ligjet, nuk mund të zbatoheshin pa shtetin, pa autoritetin dhe forcën e tij.

Pikërisht për këto arsye, duke patur si udhërrëfyes këto ide të unitetit të shtetit me të drejtën, së bashku me krijimin e shtetit të pavarur, u krijua edhe e drejta pozitive shqiptare.

Edhe e drejta pozitive shqiptare nuk lindi nga asgjëja. Ishte rezultat i traditës juridike, i së drejtës zakonore shqiptare, e cila mbijetoi e nuk u asimilua nga ligjet e sundimtarëve të huaj dhe u trashëgua brez pas brezi në traditën gojore, deri në kohën e re të pavarësisë.

Gjithashtu e drejta pozitive lindi mbi bazën e Statuteve të qyteteve – komuna (fillimet e shek.XIV) të Shkodrës, Durrësit, Tivarit, Drishtit, Budvës etj, të ndërtuara sipas modelit të statuteve të qyteteve të Italisë.

E drejta pozitive e shtetit shqiptar që në fillimet e saj, me aktet e para juridike u krijua dhe u zbatua në trajtën e “kanoneve”, me orientim krejtësisht europian, duke u ndarë përfundimisht nga sistemi i drejtësisë osmane.

Për këtë qëllim më 10 maj 1913, u shpall “Kanoni i Zhurisë” (Kanuni i Jurisë), datë e cila shënon Ditën e Drejtësisë në Shqipëri.

“Kanoni i Zhurisë” u botua në gazetën “Përlindja e Shqipnies” në Vlorën e 1913-tës, i hartuar nga ministri i Drejtësisë Pertref Poga dhe shkruar me një bukurshkrim të mahnitshëm, nga dora e Luigj Gurakuqit.

Miratimi dhe hyrja në fuqi e Kanunit të Jurisë kishte rëndësi të madhe, sepse ai hodhi themelet e organizimit gjyqësor në shtetin e pavarur shqiptar, duke i dhënë fund sistemit osman të kadinjve.

Kanuni i Jurisë përmbante në strukturën e tij parathënien me gjashtë pjesë si dhe 30-të nene.

Në 30-të nenet e Kanunit të Jurisë janë formuluar me një teknikë ligjore të lartë, që do t’ia kishin zili kodet e tanishme, e sidomos disa nga nenet e Kodit Penal.

Në parathënie jepet nocioni i veprës penale si veprim që prek të drejtat e njeriut, jetën, lirinë dhe pronën e tij. Me rëndësi është ndarja e fajeve (kupto – veprave penale) në tri kategori sipas modelit të kodeve penale perëndimore:

a. në dëme (kundërvajtje);

b. faje të vështira (delikte)

si dhe

c. faje të shëmtimeve (krime).

Përsa i përket dënimeve për veprat penale, Kuvendi i Vlorës, adoptoi përkohësisht ligjin penal osman, derisa të hynte në fuqi Kodi Penal i shtetit shqiptar më 1928-tën.

Në Kanunin e Jurisë realizohet lidhja organike e kuptimit të fajit (veprës penale) me mënyrën e gjykimit të tij.

Një vend kryesor në Kanun zë organizimi gjyqësor me pranimin e sistemit të jurisë.

Ndër masat e para të shtetit të ri shqiptar ishte organizimi i gjyqeve (1913), sipas të cilave u krijuan gjykatat e shkallës së parë të nënprefekturave, që ishin kompetente për gjykimin e çështjeve civile dhe kundërvajtjeve e delikteve, ndërsa krimet gjykoheshin nga juria.

Kjo u zbatua vetëm një herë për një çështje në Elbasan dhe më vonë juria u suprimua, për shkak se populli ynë ishte i papërgatitur për të plotësuar qëllimet e gjyqit me juri.

Sigurisht, në ato rrethana historike në të cilat ndodhej vendi, kur nuk mund të sigurohej zbatimi i plotë i Kanunit të Jurisë, ishte i përligjur edhe veprimi i së drejtës zakonore tradicionale për konflikte civile e penale.

Gjithsesi, Kanuni i Jurisë, si akti i parë juridik i shtetit të pavarur shqiptar është me rëndësi historike për sistemin e drejtësisë penale, në veçanti, si dhe për organizimin, funksionimin dhe procedurën gjyqësore të gjykatave shqiptare në tërësi.

Në Kanun i kushtohet vëmendje edhe prokurorisë e avokatisë.

Po me kaq rëndësi historike në fushën e administratës së shtetit të ri shqiptar, vjen edhe “Kanuni i Përtashëm i Administratës Civile të Shqipnies” më 22 nëntor 1913 (botuar në “Përlindja e Shqipnies”, Vlorë 25-30 nëntor 1913).

Duke u udhëhequr nga idetë e Pashko Vasës për një administratë gjithëpërfshirëse, në këtë akt juridik u hodhën themelet e administratës së re civile dhe të organizimit të saj në shtetin shqiptar të sapokrijuar, sipas modelit të administratës së shteteve perëndimore, bazuar në parime demokratike.

Kanuni quhej i “Përtashëm” (kupto i përkohshëm) për arsye se do të vepronte për një kohë të caktuar derisa të stabilizohej shteti dhe të miratohej një ligj i ri nga organi kompetent që do të vendosej.

Në kanun përcaktohej struktura e administratës civile:

“Shqipëria asht e ndarë në një a më shumë qarqe katundare dhe cilido qark numërohet një krahinë (art.1)”.

Më tutje flitet për kufijtë ku vepronte prefekturat dhe qendrat qeveritare. Me hollësi shpjegohen kompetencat e Këshillit të Prefekturës, të administratës së prefekturës e të prefektit.

Me rëndësi të veçantë është sanksionimi në Kanun i parimit filozofik të Monteskies, parimit të ndarjes së pushteteve, ku thuhet se:

“Prefekti asndonjëherë nuk do të mund të përzihet në punët e drejtësisë dhe të përdorë influencën e tij mbi gjyqet, që po shqyrtohen nga gjykatorët, po, në qoftë se trajton ndonjë paudhësi në sjelljen dhe veprimin e gjykatësve ose kupton pavleftësinë e keqpërdorimet e nëpunësve të drejtësisë, atëherë me anën e Drejtorit të Drejtësisë, a të inspektorit ose drejtpërdrejt lajmëron Ministrinë e Drejtësisë” (Art.16).

Siç shihet, Kanuni vendos në baza parimore juridike ndarjen e pushteteve, raportet e prefektit (administratës civile) dhe më tutje edhe të nënprefektit me organet e drejtësisë, me pushtetin gjyqësor e prokurorinë.

Në Kanun përcaktohen qartë statusi juridik i administratës civile të shtetit, përbërja dhe kompetencat e saj për çdo organ në veçanti.

Gjithashtu aty flitet edhe për sistemin e zgjedhjeve.

Qeveria e Ismail Qemalit, menjëherë për krijimin e shtetit të pavarur, mori disa masa për të ndërtuar një administratë civile të re, të shkëputur nga ajo e perandorisë osmane.

Meritë tjetër e madhe e Qeverisë së Vlorës, ishte vendosja e raporteve të drejta mbi baza parimore e ndarjes së pushteteve, duke siguruar pavarësinë e pushtetit gjyqësor nga ndërhyrjet e ekzekutivit.

Këto vlera kulturore juridike të Kanunit të Përtashëm ruajnë aktualitetin e tyre përsa i përket respektimit të parimit kushtetues të ndarjes e balancimit të pushteteve, ndërmjet pushtetit legjislativ, ekzekutiv e gjyqësor, që po përbëjnë problem shqetësues edhe në kohën e sotme.

Ky Kanun së bashku me Kanunin e Jurisë, mbeten si monumente të trashëgimisë kulturore juridike të qeverisë së Ismail Qemalit dhe ruajnë jo vetëm vlera historike por edhe aktuale për drejtësinë shqiptare si dhe për administratën ende të re.

Kjo trashëgimi kulturore juridike që vjen nga shteti i pavarur shqiptar, në kushtet e sotme të pluralizmit ka arritur nivele të pakrahasueshme me të kaluarën dhe synon të kapërcejë sfidat që ka përpara duke synuar e arritur standardet europiane.

Në 10 maj të 1913-tës Shqipëria ishte e sulmuar, rrethuar dhe e copëtuar, nga armiqtë e shtetit shqiptar.

Me dashurinë a pamatë për atdhenë, politikanë e juristë u bënë bashkë, për të ndërtuar shtetin dhe të drejtën dhe…….e shpëtuan me aq sa mundën Shqipërinë.

Në 10 maj të 2016-tës Shqipëria ndihet nga brenda, e sulmuar dhe e rrethuar nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, ku shteti dhe drejtësia duhet të standartizohen europianisht shumë më ndryshe, për të shpëtuar ardhmërinë e shqiptarëve.

10 maji është dita e Drejtësisë.

Në cdo 10 maj, përulemi me shumë respekt përpara veprës së Ismail Qemalit e bashkëpuntorëve të tij, si dhe cdo pasardhësi që bëri aq sa mundi për forcimin e shtetit dhe drejtësisë shqiptare.

Pas 103 vitesh, vetëm të ndihmuar dhe jo të rrethuar e sulmuar nga jashtë, përbrenda rrezikohemi nga korrupsioni, krimi dhe pandëshkueshmëria ndaj tyre.

Shqiptarët sot duan shtetin dhe drejtësinë që meritojnë, për tu europianizuar edhe “de jure”.

Ndaj ata po presin “përtashëm” burrat dhe juristët e majit të 2016-tës…..

2 komente në “Nga Kanuni i Jurisë, tek Reforma e Drejtësisë”

  1. sit... back..and relaks →→→ says:

    Si e kemi shokun Fatos shoku Ben Isaraj? Po me Dulaket ca behet?

  2. Alaudini says:

    Bythelepires I saliut cfare mbllacit. Si ka mundesite je ne PS dhe per me teper zv/minister?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje