Radiohead me “A Moon Shaped Pool”- Një album që thyen heshtjen

9 Maj 2016, 21:17Lifestyle TEMA
Radiohead me “A Moon Shaped Pool”- Një album që thyen

Nga Elvin Nuri

Të dielën, ora 20:00, banda muzikore “Radiohead” mbajti premtimin e dhënë pak ditë më parë dhe publikoi në të gjitha dyqanet dixhitale albumin e ri, “A Moon Shaped Pool”. Ky album vjen pas publikimit, brenda pak ditëve të dy klipeve, si “Burn The Witch” dhe “Daydreaming”, këto të fundit ngritën një pluhur mediatik rreth grupit, që për nostalgjikët e viteve zero të mijëvjeçarit të ri ngjasonte si një “u rikthyen”. Në fakt, pas suksesit të vitit 2011 me “The King of Limbs”, Radiohead është rikthyer për të nëntën herë politikisht i fortë, me poezi, me muzikë “hënore” dhe sërish me një strategji marketingu që “thyhen heshtjen” duke rrëfyer përmbajtje.

Të thyesh heshtjen pa bezdisur

Gjatë javëve të kaluara shumë prej fansave të Radiohead mprehën veshët, diçka po ndodhte, banda nga Oxfordi po fshinte të gjitha postimet në rrjetet sociale duke precipituar në “heshtje mediatike”. Strategjia duket se funksionoi më së miri pasi presioni u rrit dhe të gjithë ishin gati kur më 3 maj, pa paralajmërim, pas publikimit të teaser-it, grupi postoi në rrjetet sociale “Burn The Witch”, një këngë që pasqyron (edhe vizualisht) paranojën dhe bindjet e verbra të shoqërisë kontemporane. Rilindja e publikes ndëshkuese, me persekutorë publikë për “shpirt gare”, ku faji është i tjetrit-ndryshe, ku forma e denoncimit dhe penalizimi janë të lehtë për t’u kapërdirë, minimalist, si një film për fëmijë: Seksizëm, homofobi, islamofobi, gardhe, peshkaqenë të moderuar dhe me “ose konsensus ose asgjë”.

Burn The Witch

Lajmi për ardhjen në jetë të “A Moon Shaped Pool” u shoqërua me publikimin e një tjetër klipi, “Daydreaming”, me regji të një prej autorëve (të paktë) origjinalë, Paul Thomas Anderson. Në “Daydreaming” shohim një Thom Yorke (vokal, kitarë dhe tastierë) që “shëtit”, ndoshta në kërkim të diçkaje, mes korridoreve të spitaleve, lavanderive, por edhe në sallonet e shtëpive të “shtresave të ulëta të shoqërisë”, në një udhëtim që hap dyer edhe për natyrën, deri kur gjen strehë dhe çlodhje në brendësi të një guve. A është kjo një pjesë për ëndërrimtarët? Mund të themi, po.

Daydreaming

Por gjëja që po bën të diskutojë më shumë fan-sat, të apasionuarit e mediave të reja dhe profesionistët e komunikimit është mënyra se si Radiohead thyen heshtjen. Pas vetëcensurimit dhe zhdukjes nga rrjetet sociale, aty ku kërkohemi dhe kërkojmë nga industria kulturore, grupi nga Oxfordshire përfitoi nga lodhja që ka sjellë mbingarkesa informative e së përditshmes dhe na fali vetëm produktin (dixhital), kjo falë një stili minimalist, me pak mister dhe tani-shpejt (punë ditësh). A funksionoi? Mund të themi, po. Në fakt kjo nuk është një metodë inovative e të tërhequrit vëmendje; cilësohet si tradicionale madje, me heshtje që herët ose vonë duhet thyer. Heshtje që nuk respekton demagogjirat, përurimin e shumëfishtë të veprave publike, shembujt foto – video “si ne” dhe suksesin që vetëm përsërit vetveten, por formë delikate paralajmërimi me “zhurmë të bardhë” të unicitetit të një vepre arti. Gjithashtu ajo që fillimisht u konsiderua si një revoltë e Radiohead ndaj mediave të reja rezultoi (kujtojmë këtu In Rainbows, 2007) si provë tjetër e intuitës, shfrytëzimit të potencialeve mediatike pa bezdisur dhe e forcës novatore që përmban ky projekt muzikor. Rizbulim i etikës së suspansës.

A Moon Shaped Pool

“A Moon Shaped Pool” përbëhet nga 11 pjesë, ku përtej të sipërpërmëndurave “Burn The Witch” dhe “Daydreaming”, për admiruesit më të vjetër bie kollaj në sy “True Love Waits”, një këngë që grupi ka performuar për dy dekada por që nuk ishte përfshirë ende në një album. “True Love Waits” këtë radhë është regjistruar me komponentë të fortë nostalgjie dhe ëmbëlsie gati-gati si nën ujë, ndoshta për të bërë me dije se për Radiohead, ende pas shumë viteve, dashuria e vërtetë di të presë. Gjithashtu “Ful Stop”, “Present Tense” dhe “Identikit” ishin dëgjuar më parë gjatë performancave të grupit por këtë radhë janë të pasuruara me ngjyrime të panumërta. Për shembull ritmi origjinal, bosa-nova, tek “Present Tense”. “Desert Island Disk” një baladë me kitarë akustike dhe me zë e cila të kujton projektet para albumit ”Kid A”. Tek “The Numbers” ndihet pesha orkestruese e Jonny Greenwood, një mash-up ku harqe drithëruese vijnë në momentin e duhur, dhe hymni ambientalist i Thom Yorke: “We are of the earth / to her we do return”. Harqet mbizotërojnë tek “Glass Eyes”, kjo pjesë duket si kolazh i ëmbël i asaj që mbetet realisht pas një historie të vërtet dashurie. “Tinker Tailor Soldier Sailor Rich Man Poor Man Beggar Man Thief” është dëshmi e përthyerjes së elektronikës që Radiohead ka ditur më së miri të zotërojë si mjeshtëri për të krijuar ambient.

Këtu duhet veçuar “Decks Dark”, një pjesë që të bën të reflektosh mbi dobishmërinë e ritmit të përshpejtuar me të cilin jemi mësuar të përballemi me të vërtetën e dhënë. “Decks Dark” është kolona zanore për ata që dinë të mbyllin sytë, atëherë kur auto-justifikimet mbarojnë dhe përshfaqet e rrejshmja. Një lloj përballje me dështimin. Ajo gjëja që nuk shet.

Kritikë ndaj establishmentit të radikalëve të moderuar në garë imazhinaresh, humanizëm që mbyt përçarjet, me dashuri që di të dështojë dhe duke hapur një derë nga artifica drejt natyrës “A Moon Shaped Pool” tingëllon si kryevepër. Por natyrisht që të notosh lirshëm në një pishinë me formën e Hënës më parë duhet të zhvishesh.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje