Gjykata e Apelit të Posaçëm ka rrëzuar këtë të martë ankimin e Argita Berishës dhe Jamarbër Malltezit për heqjen e masës së sekuestros ndaj 25 pasurive të paluajtshme.
Vendimi i Apelit lë në fuqi masën e vendosur më herët nga Gjykata e Posaçme, e cila kishte urdhëruar mbajtjen nën sekuestro të pasurive në kuadër të hetimeve të SPAK për dosjen “Partizani”.
Sipas vendimit, kërkesa e çiftit Malltezi për heqjen e sekuestros nuk është pranuar nga trupa gjykuese, duke lënë në fuqi kufizimin mbi pasuritë e paluajtshme.
Për sekuestrimin e 25 pasurive të Jamarbër Malltezit është shprehur më herët edhe Gjykata e Lartë, e cila ka konfirmuar masën e vendosur nga shkallët e mëparshme të gjyqësorit.
Pasuritë u vendosën nën sekuestro gjatë fazës së hetimeve paraprake nga Prokuroria e Posaçme, në kuadër të çështjes së njohur si dosja “Partizani”, hetim që lidhet me privatizimin e ish-kompleksit sportiv dhe transaksionet e kryera rreth tij.
Vendimi i Apelit të Posaçëm konfirmon vijimin e masës së sekuestros deri në një vendimmarrje të mëtejshme në procesin gjyqësor.
Lini një Përgjigje