Gjykata e Posaçme vijoi të martën të dëgjojë dëshmitarët e SPAK në procesin gjyqësor ndaj Laert Haxhiut.
Dëshmitari Xhuliano Xhaferraj, mbërriti në sallë i prangosur e i shoqëruar nga policia, për shkak se është i paraburgosur për llogari të një procedimi tjetër penal.
Xhaferraj është vëllai i Fridman Xhaferrajt, për vrasjen e të cilit akuzohet Haxhiu dhe grupi i tij.
“Kam qenë në burg kur u vra vëllai. Më morën në komisariat dhe më pyetën, sepse vëllain nuk po e njihnin ngaqë ishte gjetur në ujë. Unë ato ditë mbarova dënimin. Kur dola shkova në shtëpinë e vjehrrës, se kisha nusen atje. Gjeta policë që po kontrollonin. Më shoqëruan. Atje më thanë që është gjetur në rezervuar në Drenovë. Kur fola njëherë me vëllain, kur isha në burg, ai më tha që do ikte jashtë shtetit, në Itali. Vëllait tjetër, të voglit, ata çunat i kishin prerë biletë dhe e kishin nisur në Greqi. Lul Spahiu e kishte marrë e çuar në Elbasan. Aty i kanë prerë biletë e pastaj Lul Spahiu dhe Kristi Bixheku ka marrë Fridmanin. Vëllai i vogël u kthye në Lushnjë e pas dy ditësh iku në Greqi. Luli dhe Bixheku i kishin thënë se bashkë me Fridmanin do iknin në Greqi e se do i binin nga Korça”, tregon Xhaferraj.
Më tej, dëshmitari shtoi: “Unë e pyeta babain e Laert Haxhiut a dinte gjë. Flitej në Lushnje që vëllai kishte qenë me Laertin dhe që ka dhënë urdhër Laerti për ta vrarë, ngaqë ka folur. Nuk jam i sigurtë, por kështu flitej. Babai i Laertit tha që djali im nuk ka gisht në këtë punë. Unë atë kohë qëndrova 1 muaj në burg. Nuk më ka ardhur ndonjë nga vëllezërit të më takonte. Fridmani nuk më tregonte asnjëherë se çfarë bënte. Shoqërinë nuk ia kam njohur. Nuk rrinte fare me mua, se unë rrija me familjen time. Ai ka konsumuar lëndë narkotike, hashash dhe kokainë”.
Lini një Përgjigje