Reforma në Drejtësi, ambasadorët dhe i kujt është turpi?

10 Maj 2016, 13:09Blog TEMA

Nga Ardit Rada

Ndërkohë që pak orë na ndajnë nga ‘qoka’ e ambasadorëve Lu dhe Vlahutin parti më parti, pikëpyetjet se çfarë do të ndodhë shtohen ora-orës. Në fakt, është e kotë të presësh diçka prej dy emisarëve politikë të Amerikës dhe Evropës përveçse mesazheve të koduara diplomatike. Ka qenë dhe mbetet e tillë Shqipëria, vendi ku çdo i huaj që përfaqëson kancelarinë respektive, ta shohë si një kavalishencë pse jo edhe për të kaluar edhe pleqërinë. Shembujt janë të shumtë, por rasti nuk na e lejon t’i përmendim me emra ambasadorët që kanë marrë dhjetëra dynym tokë ose ish-gjeneralë që drejtuan NATO-n në çlirimin e Kosovës dhe morën nga Shqipëria kontrata kazinosh. Apo ish-sekretarë shteti, që në Kosovë mprehën kthetrat për privatizime.

Ditët e miratimit të Reformës në Drejtës numërohen tashmë me gishtat  e dorës. Shqipëria ditët, apo orët e fundit, po i ngjan gjithmonë e më shumë një vendi që po i nënshtrohet një protektorati euro-atlantik. Ka qenë një dëshirë e heshtur e shqiptarëve kjo, e nisur ndoshta para viteve 90 kur, herë me zë e herë pa zë, shprehnin duke shfryrë togfjalëshin ‘si nuk na mori gjermani’, referuar Luftës së Dytë Botërore. E pra, dëshira po bëhet realitet. EULEX po vjen dhe në Shqipëri, ndërsa ata që dridhen më shumë prej këtij fakti mbeten ata që çirren e çjerrin më tepër për drejtësinë e munguar prej kohësh.

E bërë tashmë fakt, skena politike po kërkon të gjejë kompromisin mes vetes nën telefonatat dhe takimet që ne nuk mund t’i shohim, por i marrim me mend… Ndërsa mazhoranca e ka dhënë ‘OK’ e saj që prej vitit 2013 duke e përfshirë Reformën në Drejtësi si një premtim elektoral, opozita e mbetur ngushtë po kërkon që Lu dhe Vlahutin t’i thotë një fjalë të mirë publikisht në tavolinë qoftë dhe sa për sy e faqe, por që ta përdorë si bashkëautorësi në suksesin e ardhshëm. Damkosjen me turp para shqiptarëve edhe mund ta pranojnë sepse me popullin e saj klasa politike e ka regjur lëkurën me kohë, por një turp i paralajmëruar me SHBA-të, zor se e kapërdin.

E gjithë atmosfera të jep përshtypjen se llogaritë çalojnë diku, ose janë bërë aq mirë saqë Strasburgu nuk do t’i sjellë sërish letra shtetit për likuidimin e faturave disamilionëshe për pronat. I zhgënjyer nga situata politike, që do të shënonte më pas ngjarje të dhimshme për fatin e shqiptarëve, At Gjergj Fishta lëshonte dëshpërimisht vargjet ‘Uh Evropë, ti kurva e motit, Qi i rae mohit bese t’Zotit’… Sot, asaj pjese të Evropës dhe të botës që i ka mbetur një fije shpresë se Shqipëria do të bëhet, i rrotullohet në mendje një pikëpyetje e madhe për ne.

Kush do ta tradhtojë kauzën e madhe të bashkimit të Shqipërisë me Perëndimin? Uroj që shkaktarët të mos jemi ne. Sepse në të kundërt, bota dashamirëse apo hileqare nuk ka më nge për ne, qoftë dhe të na thurë 4 vargje. / JavaNews

5 komente në “Reforma në Drejtësi, ambasadorët dhe i kujt është turpi?”

  1. emigrant says:

    Z.Autor
    Ne shqiptaret e kemi zakon qe te shikojme ne cdo gje komplote dhe intriga nga te huajt. Por i ke “plasur syte mor autor i ketij shkrimi” qe asnje lloj klase poltike nuk eshte ne gjendje ti dale per zot ketij vendi. Dhe ka nje arsye madhore sepse klase politike shqiptare asnjehere nuk ka dashur kete vend por e ka pare si lope per ta vjedhur dhe mjelur sa me shume te jete e mundur. Klasa politike shqiptare dhe mund te them gjithe shqiptaret duan te njerrin dollare dhe euro ne shqiperi dhe pastaj te bejne “qef” jashte shtetit

    1. Dy emigrant says:

      Nuk mund ti shtohet asgje komenti i perkryer.

    2. Kadri Veseli says:

      Po pse ku tha autori qe partite jane dashamirese? Perkundrazi, meza kuptova une perfshin edhe nderkombetaret si perfitues nga torta e korrupsionit tone. Dhe kjo eshte tragjike!

  2. Fred says:

    Me bukur as vete Luja nuk e thote dot! Ngjan super e verteta kur perplaset fytyres!

    1. neda says:

      Ne shekuj armiku me i madh i shqiptareve kane qene vete shqiptaret dhe kjo ka vazhduar edhe gjate 25 viteve te tranzicinit, ku nje klase politike e korruptuar e hajdute vecese e ka vjedhur kete popull dhe e ka shtypur, dhe kjo besoje nuk ka nevoje per argumente, duke arritur deri aty sa deputetet i caktonte kryetari partise ,me zgjedhje formale,te vjedhura, duke e mbushur parlamentin edhe me njerz te krimit, keshtu qe bota boll beri seir, sepse nuk mund te fut nje vend qe bashkimin europian me nje klase politike te korruptuar dhe nje sistem te tere partiak qe kane ndertuar ne cdo qelize te jetes se vendit.Por eshte nje fat i madh qe ambasador me peshe ne bote si ai amerikane ,gjerman,bashkimi europian etj.po i thone ndal ketij kriminalizimi shteteror,duke dale ne krahe te popullit shqiptar.Kjo eshte nje fitore e jashtezakonshme, por edhe me e madhe do jete fitorja kur te dalen ne banken e te akuzuareve politikanet e ketij vedi qe kane bere si kane dashur, ne kundershtim me interesat kombetare,kane vjedhur sa kane dashur, jane tallur me shqiptaret,,kane futur ne sistem korrupsionin dhe mosndshkueshmerine,ku sote praktikisht gjykatat jane leva te partise,etj,etj.Lavdi Amerikes dhe Europes qe po luftojne jo pa veshtiresi per ta kthyer kete vend ne normalitet dhe ketu nje merite te diskutueshme kane ambasadoret e saj ne Tirane

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje