Ish-këshilltari amerikan i Zhulalit: Zgjedhjet e 26 majit dhe përgjakja e opozitës nga Berisha

17 Maj 2016, 10:53Dossier TEMA

Nga Ylli Molla

Denny Lane, këshilltari amerikan i ish-ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë në vitet 1992-1997, Safet Zhulali, ishte ndër të vetmit amerikanë që u shpall “non grata” nga qeveria e djathtë e ish-presidentit Berisha në dhjetor 1996. Kishin kaluar vetëm pak muaj nga fitorja “plebishitare” e PD-së në zgjedhjet parlamentare të 26 majit, të cilat nuk ishin njohur nga shumica e kancelarive të huaja dhe ishin cilësuar si të manipuluara nga misioni i OSBE/ODIHR-it. Berisha dhe pasuesit e tij kishin festuar dhe formuan qeverinë e re, me kryeministër sërish Aleksandër Meksin, por komuniteti ndërkombëtar i kishte vënë vizën, edhe pse për ta konsoliduar demokracinë, aty ishte investuar shumë me burime materiale dhe njerëzore. Siç ishte rasti i amerikanit Lane, këshilltarit që pa me sy Shqipërinë e atyreve viteve, njohu dhe i deshi shqiptarët dhe që parashikoi se ku do ta çonte vendin politika e mbrapshtë e Sali Berishës në vitet 1994-1996, te kaosi dhe dhuna e vitit 1997. Ai i kishte paralajmëruar eprorët e tij që më parë, edhe përpara se të dëbohej nga Shqipëria, duke raportuar për gjithçka ndodhte në ministri, qeveria, në popull, si manipuloheshin zgjedhjet dhe se si vendi po shkonte drejt konfliktit. Libri “Këshilltari Amerikan “non grata” në Tiranë” sjell këtë atmosferë të parë një një amerikan që e donte Shqipërinë dhe shqiptarët. Raportimet e Lane për zgjedhjet e 26 majit, festën e demokratëve dhe protestën e opozitës që u dhunua nga policia, janë pjesë e atij mozaiku që plotëson panoramën e një pushteti autoritar, ku parësor ishte mbajtja e pushtetit me çdo kusht.

RAPORT 97

ATMOSFERA E ZGJEDHJEVE

Ishte sugjeruar që pas zgjedhjeve të 26 majit 1996 do të kishte një qeveri koalicioni, megjithatë zgjedhjet u cilësuan të parregullta. Në panoramën e përgjithshme të parregullsive të shumta të vërejtura gjatë gjithë fushatës së zgjedhjeve ishte dhe korpusi i oficerëve, të cilët, në kundërshtim me rregullin, dërgoheshin me shërbime në zona elektorale për të ndihmuar krahun e Partisë Demokratike për të fituar në këto zgjedhje. Në mes tyre ishte dhe asistenti im, nënkolonel Asllani, i cili u dërgua në zonën e tij me të afërm e të tjerë që akuzoheshin se kishin mbetur në kampin socialist. Zëvendësministri Luan Lazimi kandidonte në zonën e Peshkopisë. Flitej se suksesi i tij ishte i dyshimtë. Ministër Zhulali kandidonte në zonën e Bulqizës dhe të Gollobordës. Shanset e ministrit për të fituar gjithashtu ishin të kufizuara. Për këtë ju kushtua një vëmendje e madhe ekonomisë në zonën e Peshkopisë, kështu që nuk mungoi edhe pjesëmarrja ushtarake.

Unë kisha planifikuar të shkoja në Bizë këto ditë, por nuk ishte e mundur, mungonin makinat (shevroletet) pasi të gjitha ishin nisur në Veri të vendit për të mbështetur zgjedhjet.

Fjalimet e ministrit Zhulalit gjatë fushatës elektorale ishin klasike. Diku ai shprehet se kundërshtari i tij socialist ishte ndoshta më i mirë se ai, por është e rëndësishme që vota të jepej për Zhulalin, sepse ai i përkiste Partisë Demokratike, e cila kërkonte ndryshime dhe bashkëpunim të ngushtë me Perëndimin. Pas rrënjosjes së demokracisë, atëherë mund të votohet vetëm për individin.

Në maj 1996, gjatë një udhëtimi me Shkollën Ndërkombëtare, pata rastin të vizitoj Karpenin, një fshat bregdetar në rrethin e Kavajës. Me çfarë vura re atje është se demokratët duhet të kenë probleme me këtë fshat. Kjo bazuar në pretendimet e tyre se demokratët nuk kishin realizuar asnjë nga premtimet e bëra në fushatën paraardhëse kur ata morën votën. Si në Karpen ashtu dhe në zona të tjera ishin premtuar rrugë, telefona dhe shkolla dhe asnjë nga ato nuk ishte realizuar. Edhe pse periudhë vere shumë zona ishin pa energji elektrike. Unë mendoj, se pavarësisht nëse këto probleme do të ndikojnë në kutinë e votimit, e përgjithshmja është se populli është i zhgënjyer nga demokratët.

RAPORT 102

ZGJEDHJET – PËRSHTYPJET E PARA

Një valë euforie kishte mbërthyer Ministrinë e Mbrojtjes pas zgjedhjeve. Pretendimet e kampit socialist për parregullsi në zgjedhje ishin hedhur poshtë me bindjen se realizimi i demokracisë është urgjent për zhvillimin e mëtejshëm të vendit. Është pasdite e 27 majit 1996. Brohoritje dhe kakofoni dëgjohen papushim jashtë në rrugët e Tiranës. Një arkivol i kuq, që simbolizon vdekjen e komunizmit, i vendosur mbi një makinë dhe i shoqëruar nga një turmë funerali, kalonte përmes bulevardit kryesor. Të shtëna armësh, borie dhe britma dëgjohen herë pas here. Shikohen të rinj hipur lart mbi makina, duke tundur flamuj shqiptarë, flamuj blu të Partisë Demokratike dhe tek-tuk shikon dhe flamuj të Komunitetit Europian dhe Bashkimit Europian me një yll më shumë. Kishte gjithashtu flamuj amerikanë dhe rrallë ndonjë flamur gjerman. Brenda Ministrisë së Mbrojtjes ndihet një eufori dhe ngazëllim për fitoren dhe konsumohet shumë raki, kjo kryesisht nga korpusi i oficerëve, të cilët ndihen të rrezikuar në qoftë se socialistët vijnë në pushtet. Individët nga Peshkopia, të cilët ishin të emëruar në Ministrinë e Mbrojtjes sot po kthehen nga Peshkopia për në Tiranë. Festa vazhdon gjatë gjithë natës.

Të shtunën në mbrëmje në Pallatin e Kulturës po shfaqej premiera e filmit “Kolonel Bunker”, në të cilën merrte pjesë dhe Presidenti i vendit. Mesazhi i filmit ishte se kthimi prapa duhej të shmangej me çdo kusht. Ishte një film shumë provokues me një muzikë shumë të bukur, kryesisht Frederik Shopen. Unë do të siguroj një video për Komandën Amerikane në Europë. Ismail Kadare, ndoshta autori më i famshëm në Shqipëri, aktualisht me rezidencë në Francë, ishte në radio të shtunën në darkë. Mesazhi i tij ishte se edhe pse Partia Demokratike kishte gabimet e saj dhe për këtë duhet të reformohej e tëra, ajo ishte përsëri e domosdoshme për demokratizimin dhe frymën perëndimore të Shqipërisë. Më në fund, Berisha deklaroi publikisht se do të zëvendësonte çdo njërin në qeveri (kjo sigurisht nuk përjashton thjesht ndërrimin e posteve, kështu ministër Zhulali flitej se do të bëhej Kryeministër dhe zëvendësi i tij, Lazimi, ministër i Mbrojtjes).

Komente: Pritet një konferencë për shtyp në pasditen e sotme, ku do të prezantohet dhe monitorimi i bërë nga Bashkimi Europian dhe OSBE për zgjedhjet. Natyrisht që ka shumë vështirësi përpara që duhen zgjidhur, por Këshilltari Uushtarak vëren se askush nuk po mendon se çfarë ka pas kësaj.

RAPORT 104

ATMOSFERA PAS ZGJEDHJEVE

Mitingu i planifikuar nga Partia Socialiste të martën, më 28 maj, u pengua nga policia. Ai u shpërnda dhe lideri i saj, Servet Pëllumbi u rrah nga policia. Shumë oficerë, të verifikuar nga Partia Socialiste, kishin thyer rregullat, duke marrë pjesë në procesin e zgjedhjeve. Pavarësisht nga parregullsitë gjendja e përgjithshme në Ministrinë e Mbrojtjes ishte e gëzuar, pasi demokratët mbijetuan. Megjithëse të zhgënjyer nga mënyra se si u zhvilluan zgjedhjet, ata përsëri ishin të bindur se po të zhvillohej çdo gjë në mënyrë të rregullt demokratët përsëri do të fitonin. Besohej gjithashtu se dhe në qoftë se zgjedhjet do të përsëriteshin demokratët do të fitonin përsëri.

Ndoshta lajmi i mirë për ditën e martë, datë 28 maj, ishte se moti do të ishte me shi të rrëmbyeshëm. Dhe pikërisht rrebeshi filloi aty nga ora 11:30, i cili duhet të ndikonte në entuziazmin e ndokujt për të marrë pjesë në mitingun e socialistëve.

Socialistët kishin kërkuar leje për të zhvilluar këtë miting, por Ministria e Brendshme i lejonte ato vetëm 2 ditë pas zgjedhjeve, kështu ata mund të zhvillonin miting vetëm të mërkurën (29 maj). Socialistët u informuan nga Ministria e Brendshme se edhe në qoftë se ata do të insistonin të bënin miting të martën përsëri nuk do të lejoheshin. Më 28 maj, rreth orës 11:30, forca të policisë dolën nëpër rrugë dhe në sheshin qendror ku do të mbahej mitingu. Disa prej tyre ishin të veshur me pajisje të rënda të policisë me skafandra, armë etj., si dhe dy autoblinda u parkuan para Ministrisë së Brendshme. Në lajmet e pasdites së 28 majit u dha një njoftim në hollin e hotel “Tiranës” për të huajt, ku thuhej se gjatë mitingut nuk kishte pasur asnjë të dëmtuar dhe se asnjë nuk ishte arrestuar. Njoftimi shoqërohej edhe me fotografi, për të qenë sa më bindës.

Mësuesja ime e gjuhës shqipe më informoi se një nga miqtë e saj profesor, i cili gjatë gjithë jetës kishte qenë një antikomunist i zjarrtë, ishte arrestuar.

Disa emra ushtarakësh, përfshirë komandantin e divizionit të 8-të të Tiranës, e të tjerë përmendeshin në gazetën “Zëri i Popullit” për pjesëmarrje në procesin elektoral në kundërshtim me urdhrat e lëshuara për këtë qëllim për personelin ushtarak. Për z. Luan Lazimi u konfirmua se si kandidat në Peshkopi kishte fituar me mbi 65% të votave. Për Luan Lazimin do të jap një CV të plotë më vonë. Monitoruesit e OSBE-së raportojnë se në zonën ku kandidonte ministër Zhulali nuk kishte pasur asnjë problem.

Po në mbrëmjen e 28 majit u raportua se një i ri 24-vjeçar, truprojë i liderit socialist Angjeli u qëllua për vdekje gjatë rrugës kur po kthehej nga mitingu për në shtëpi. Një person u arrestua për këtë. I njëjti person kishte qenë arrestuar për vjedhje 9 muaj më parë. Dukej që vrasja nuk ishte bërë për motive politike. Në bisedë me një socialdemokrat, i cili kandidonte në zonën e Durrësit, më tha se megjithëse u vërejtjen disa parregullsi në Durrës, atje Partia Demokratike fitoi. Ai gjithashtu tha se pavarësisht se ai ishte socialdemokrat, demokratët do të fitojnë.

Komente: Në mëngjesin e 30 majit pyeta një nga kolegët shqiptarë se çfarë mendonte ai për këto zgjedhje. Ai ishte krejt euforik dhe kur unë i theksoj se monitoruesit e Bashkimit Europian mendojnë se ka pasur shumë parregullsi, ai u përgjigj se europianët kanë qenë gjithnjë kundër Shqipërisë, por Amerika do ta ndihmojë Shqipërinë. Unë i them se ndoshta ky nuk është rasti dhe se këto zgjedhje mund të ndikojnë jo mirë për futjen e Shqipërisë në NATO dhe Komunitetin Europian. Gjendja në Ministrinë e Mbrojtjes është e kënaqshme, pasi demokratët ia dolën. Megjithëse në përgjithësi të dëshpëruar për parregullsitë, përsëri thoshin se demokratët duhej të fitonin me çdo mënyrë.

Unë fola në hollësi me shefin e Akademisë së Mbrojtjes mbi raportin e OSBE-së për zgjedhjet në Kuçovë. Kuçova, tha kolegu, quhet “Qyteti i Kuq”. Socialistët kanë bërë një organizim të përsosur, duke e mbështetur atë në të gjitha drejtimet, sidomos në anën financiare, por ata nuk mund të fitojnë. Demokracia, tha ai, filloi të hedhë rrënjë vetëm pas kthimit të studentëve shqiptarë nga studimet në Amerikë.

U takova me një nga monitoruesit e Komunitetit Europian, i cili ishte i mirinformuar dhe tha se parregullsitë ishin të dukshme dhe foshnjarake. Një profesor i filozofisë tha se demokracia në Shqipëri sapo ka filluar të mbijë dhe duhet kohë për këtë për t’u bërë të tillë. Problemi është se toleranca dhe vizioni alternativ nuk janë inkurajuar shumë gjatë periudhës së Enver Hoxhës.

Parashikimi i kaosit

Fillimdhjetori i vitit të trazuar 1996. Këshilltari i ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer në SHBA, kur një zile e zgjatur trazoi qetësinë e apartamentit 141 Eleventh Street, South East Uashington DC. Telefonata vinte nga Shtëpia e Bardhë. Denny nuk e njohu zërin e Richard Schifter- it, këshilltarit të Presidentit Klinton për Sigurinë, i cili u detyrua të prezantohej. Ai iu drejtua Denny- t me fjalët: “Are you crazy?” “No!” iu përgjigj thjesht dhe shkurt ish-këshilltari amerikan në Tiranë. Pyetja e çuditshme e Schifter-it buronte prej deklaratës tronditëse të Denny-t disa ditë para largimit nga Shqipëria, kur ishte shprehur se shumë shpejt Ushtria Shqiptare do të shkatërrohej dhe vendi do të zhytej në kaos.

Këto fjalë kishin shkaktuar pështjellim në Shtëpinë e Bardhë dhe Schifter e kishte më të thjeshtë që ta kërkonte përgjegjësinë te deklarata e papërmbajtur dhe jodiplomatike e ish-përfaqësuesit amerikan në Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë. Për një çast ai u step nga përgjigjja e ftohtë dhe e prerë e Denny-t, që vijoi shpjegimin: “Unë isha luga brenda gjellës që po gatuhej atje…”. Biseda e tyre u mbyll shpejt, ashtu siç po rrokulliseshin ngjarjet dramatike në Shqipëri. Nuk kishin kaluar veçse dy muaj dhe Shqipëria ishte përfshirë nga flakët e armëve, kur në shtëpinë e Denny-t mbërriti telefonata e dytë e këshilltarit Schifter. Kësaj radhe, zëri dukej më i zbutur: “A mund të pimë një kafe?…”, e ftoi ai ish-këshilltarin e ministrit Zhulali, parashikimi i të cilit kishte rezultuar profetik. “Yes” ishte përgjigjja sërish e prerë e Denny-t…

3 komente në “Ish-këshilltari amerikan i Zhulalit: Zgjedhjet e 26 majit dhe përgjakja e opozitës nga Berisha”

  1. Kujtim says:

    Berisha me plerat qe ka mbrapa edhe sot gjak duan nuk eshte ngopur akoma . O POPULL NUK U NGOPET ME BERISHEN QE LEH CDO DIT PO NUK KA NJERI TA NDJEKI ATE TE CMENDUR. LARGOU O LIGESIR TE SHPETOI SHQIPERIA IK………

  2. Edkari says:

    ”te pergjakur”
    me boje,qe pa piken e turpit
    u lyen e ngjyen te humburit
    e zgjedhjeve 96.

  3. albani says:

    Sa fajtor eshte Berisha per katandisjen e Shqiperise ne kaos,po aq dhe ne mos me shume eshte dhe Edi Rama per pazotesine e tij te beje drejtesi (me Berishen)dhe per qeverisjen e dyshimte te tij dhe lidhjet me boten e mafies,krimit dhe korrupsionit

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje