Një punishte në rrugën “Mihal Grameno” në Tiranë prodhon dhe shet jufka Dibre me një etike të pamiratuar nga AKU-ja. Në etiketë, vendi i prodhimit është Dibër, ndërkohë që punishtja ndodhet në katin e parë të një pallati në kryeqytet.
Rasti i bërë publik nga emisioni “Fiks Fare” tregon sa i pasigurt është konsumatori shqiptar përballë produkteve ushqimore.
Zbulimi i “fabrikës së jufkave” është bërë pas ankesës se një subjekt prodhonte një produkt të tillë në kushte të papërshtatshme higjienike. Sipas denoncuesit, ky subjekt punonte vetëm pas orës 3:00 pasdite për shkak se ishte i palicencuar.
Pas vënies në dijeni të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, dega Tiranë, ka ardhur përgjigja se ky subjekt kishte aplikuar për miratimin e etiketës, por në të nuk ishte ushtruar asnjëherë kontroll sepse gjithmonë ishte gjetur mbyllur.
Pas kontrollit të ushtruar në mjediset e prodhimit, të cilat shërbenin njëkohësisht edhe si shtëpi banimi, u konstatua se infrastruktura nuk është e përshtatshme pasi nuk kishte ndarje të ambienteve, tharjes dhe prodhimit. Makaronat (jufkat) thaheshin nëpër kasketa, të cilat vendoseshin në një ambient afër derës, ku kishte kontakt me pluhurin që ngihej në rrugë. Ky ishte i vetmi aspirim që i bëhej punishtes. Nga kontrolli u pa se në punishte kishte këpucë të vjetra të vendosura afër tavolinës së përgatitjes së jufkave. Në dhomë gjendej edhe një divan druri dhe lavatriçe.
Pronarja tregon që miellin e blinin tek shumica dhe që vjen nga Mali i Zi. Ky subjekt kishte punuar në këto kushte që nga janari i vitit 2016, kohë kur figuron i regjistruar edhe pranë QKR-së. Regjistrimi në QKR është i detyrueshëm dhe më pas fillojnë procedurat si për miratimin e etiketës, ashtu edhe për licencimin e këtij subjekti në momentin që plotëson kushtet.
Grupi i AKU-së pas kontrollit deklaroi se kushtet ishin jashtë standardeve të kërkuara. Sipas inspektorëve të AKU-së, ky subjekt kishte kërkuar çregjistrim pranë QKR-së që në muajin mars, por edhe pse pa asnjë lloj dokumentacioni, ata ushtronin aktivitetin në mënyrë të paligjshme.
Pas inspektimit në bazë të ligjit “Për sigurinë Ushqimore” është marrë masa e ndërprerjes së aktivitetit.