Besnik Gjongecaj sulmon Xhufin: Një “esadist” në kërkimin shkencor

18 Maj 2016, 07:43Blog TEMA

Nga Besnik Gjongecaj

Ashtu si ndodh shpesh, madje edhe me një det të qetë e të pastër, në brigjet e tij herë pas here përplasen sende që nuk kanë asgjë të përbashkët me të. Ngadalë, por pa pushim, deti vjell, nxjerr jasht vetes pjesë të huaja, që i janë ngjitur atij diku, dikur, padrejtësisht. Duke u ndarë me të huajën, deti konservon vlerat, kaltërsinë e tij. Jo rrallë, vetë shoqëria sillet si deti. Herë pas here nxjerr të keqen dhe e përplas diku jasht vetes. Nga ky moment e tutje, për shoqërinë gjërat bëhen më të ndërlikuara se deti, sepse njerëzit, sigurisht, sillen më ndërlikueshëm se një tretësirë kripe. Ndërlikimi më i madh, gjithsesi, vjen nga fakti që shoqëria mund të mbajë të keqen brenda saj shumë më gjatë se deti e mban. E keqja e panxjerrë jasht e shëmton shoqërinë, fshehtësisht. Aq sa vetë ajo, shoqëria, megjithë përpjekjet, nuk arrin ta vë re sa e shëmtuar bëhet, madje edhe pas një kohë të gjatë shëmtimi të pandërprerë. Brenda shoqërisë së këtij vendi “gurohen” fëlliqësira të pafund: Komunistë të vjetër ende në pushtet edhe një çerek shekulli pas rrëzimit të sistemit të tyre, kriminelë që ndërtojnë kështjella paralele me shtetin, imoralë që paraqiten të virtytshëm, pseudoshkencëtarë që bërtasin për reformimin e shkencës, universitete të rrënuara nga politika neokomuniste, institucione inekzistente për shkak të kohës së gjatë të mosreformimit, denonciatorë që e ruajnë edhe sot e kësaj dite aktualitetin, politika izoluese si vazhdim i internimeve komuniste… Sende, njerëz, moda të shkuara, manjera neokomuniste të dala boje…; pra, gjithçka me statusin e një trupi të huaj, të një mbeturine që një ditë priten të përplasen diku, në breg, jasht shoqërisë. Midis tyre edhe hidalgo mjeran i shoqërisë shqiptare: E dikurshmja Akademi e Shkencave. Jo e vetme, por edhe me mbështetësit e saj. Po aq hidalgo sa edhe vetë kjo akademi.

Nuk ishte rihapja në vetëvete e debatit mbi Akademinë e Shkencave në gazetën Dita që më shtyu t’i rikthehem edhe njëherë kësaj teme pas një kohe relativisht të gjatë. Për mua, por edhe për ata që kuptojnë nga ndërtimi i institucioneve, kjo është një çështje tashmë pa asnjë enigmë, përfundimisht e qartë në pikpamjen e statusit të këtij institucioni në raport me sistemin e kërkimit shkencor në Shqipëri. Akoma më shumë: idhtarët apo nostaligjikët, po aq sa edhe urryesit e saj, nuk më bëjnë më kurrëfarë përshtypje, gjithashtu. Megjithëse me qëndrime të ndryshme, ata prodhojnë të njëjtën mërzi, aq sa do të isha vërtet i palumtur po të ndodhesha, edhe rastësisht, në qendër të saj. Megjithatë, midis tyre është edhe një njeri i çuditshëm, një idhtar-nostalgjik i të dikurshmes Akademi e Shkencave. Ekzaktësisht i asaj Akademie që doli nga pëllëmbët e Hoxhës, pra nga pëllëmbët e “skulptorit – diktator” pas gatimit të baltës që vinte nga Lindja. Në kundërshtim me dëshirën për të mos përdorur emra konkretë në shkrimet e mija, më duhet të them që në fillim se ky është P. Xhufi. Ai ka rreth dhjetë vjet që sa herë pyetet për Akademinë, madje edhe kur nuk pyetet, thotë të njëjtën gjë: e para, me krijimin a një akademije me status honorifik, pa institutet kërkimore, politika shkatërroi kërkimin shkencor në Shqipëri dhe e dyta, Akademia e Shkencave nuk ishte një dhuratë e Lindjes, përkundrazi, ajo ishte perëndimore, megjithëse u ideua dhe u përdor nga E. Hoxha! Në mbështetje të këtij qëndrimi ai nuk jep asnjë argument të natyrës institucionale, megjithëse ka patur kohën e mjaftueshme të një recitimi dhjetëvjeçar për të gjetur ndonjë të tillë. Nuk e ka bërë këtë, ndoshta edhe pse është e pamundur. Por, një shembull dhe një argument janë gjithmonë aty prej tij: ai përmend Institutin Max Planck (tërësinë e instituteve) si shembull i ekzistencës së kërkimit shkencor jasht universiteteve, për të thënë që s’ka pse të mos jetë edhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë e tillë; dhe si argument përmend studjues me kulturë perëndimore që kanë punuar në kohën e diktaturës në këtë Akademi, për të thënë se prandaj, kjo Akademi nuk mund të ishte dhuratë e Lindjes, apo nuk mund të ishte sovjetike. Gjithsesi, përpara se të merrem me asgjënë që ndodhet në qendër të këtij shembulli dhe të këtij argumenti, më duhet të kthehem prapa në kohë për të spjeguar edhe njëherë se çfarë ndodhi në vitin 2005-2007 lidhur me Akademinë e Shkencave.

Në dhjetor të 2005, një grup profesorësh nga universitetet publike shqiptare, pjesë e të cilit ishte dhe autori i këtij shkrimi, u thirr nga Kryeministri i vendit për të përgatitur platformën e reformimit të Akademisë së Shkencave. Ishte një takim i shkurtër në të cilin Kryeministri i vendit kërkoi që ky reformim jo vetëm të përgatitej, por edhe realizohej sa më shpejt. E kuptova menjëherë se mënyra si u shtrua detyra ishte e gabuar. Një përpjekje e ngjashme kishte ndodhur edhe më parë, në vitin 1996, kur në një raport të përgatitur nga Ministria e Arsimit të Lartë dhe Shkencës me një ekip të Këshillit të Europës u shpreh qartë se nevoja për reformim nuk mund t’i takonte vetëm Akademisë së Shkencave, por krejt sistemit universitar dhe kërkimit shkencor në Shqipëri. Sepse, në të gjitha kuptimet, veçanërisht në pikpamjen istitucionale, reformimi i Akademisë së Shkencave në vetëvete, i shkëputur nga realiteti kërkimor i vendit, rezulton të jetë i pakuptimtë. Çfarë do të ndodhte nëse në fokusin e reformimit do të ishte vetëm Akademia?! Ç’problem, ç’hall na kishte zënë që reformimi i saj do të ishte i domosdoshëm? Ndryshim numri punonjësish?! Ndryshim financimi?! Statusi?! Çfarë pra? Nëse do të niseshim nga reformimi i vetë Akademisë së Shkencave, reforma do të ishte, prandaj, e pakuptimtë, bosh, dhe rezultatet do të ishin thjesht të stisura dhe jasht interesit real të vendit. Ndryshe do të ndodhte nëse sistemi në fokusin e reformës zgjerohej, nëse brenda tij përfshiheshin të gjithë komponentët që kanë “sipërfaqe kontakti” me kërkimin shkencor në nivel shtetëror. Po të ndodhte kështu, atëhere menjëherë dalloje ekzistencën e dy problemeve shumë esenciale: sëpari, përjashtimin e burimeve “të kyçura” apo të izoluara materiale dhe njerëzore në fushën shkencore nga procesi i formimit shkencor të rinisë universitare; sëdyti, ndarja e universiteteve nga kërkimi shkencor. Problemi i parë e kishte shndërruar sistemin e kërkimit shkencor në nivel vendi në një sistem ilegjitim, sepse përjashtonte rininë universitare prej tij. Problemi i dytë, për shkak të ndarjes së mësimit nga kërkimi shkencor, qoftë për shkak të mungesës së sinergjizmit, qoftë për shkak të mbivendosjes së burimeve njerëzore, laboratorike, infrastrukturës, në të gjitha rastet kishte çuar në një efektivitet shumë të ulët të krejt sistemit, pra, në një efektivitet shumë të ulët të përdorimit të burimeve njerëzore dhe materiale brenda tij dhe në nivel shtetëror. Sistemi, si një i tërë, kishte humbur në të dy treguesit që përdoren për ta vlersuar atë institucionalisht: legjitimitetin dhe rendimentin (efektivitetin). Zgjidhja e të dy problemeve ishte imperative dhe prandaj, nuk mund të mos nënkuptonte një reformë thelbësore, me interes jetik për Shqipërinë. Që në mbledhjen e parë të Grupit, pas takimit me Kryeministrin, kërkova të ndryshojë fokusi i reformës: nga reformimi i Akademisë së Shkencave në reformimin e krejt sistemit kërkimor brenda kufijve të shtetit. Këshilltari i Kryeministrit, i ngarkuar për drejtimin e Grupit, nuk dha shenja kundërshtimi dhe më vonë të gjithë e kuptuam që kishte marrë miratimin e Kryeministrit. Procesi i përgatitjes së dokumentit bazë të reformës zgjati rreth një vit dhe u shoqërua me diskutime të shumta publike dhe jo publike. Më në fund arritëm në formën përfundimtare të dokumentit. Zgjidhja e dy problemeve të mëdha sillte domosdoshmërisht rivendosjen e statusit të Akademisë: institucionet kërkimore bëheshin pjesë e një sistemi të integruar mësim-kërkim shkencor dhe vetë Akademia shndërrohej në një institucion që promovonte shkencën shqiptare. Ajo që pritej pas kësaj ishte zbatimi i dokumentit të reformës.

Këtu po ndalem, por i gatshëm për të vazhduar më tej nëse më kërkohet. Dokumenti i përgatitur nga Grupi ishte thellësisht profesional dhe i mbështetur mbi parime moderne të institucionalizimit të kërkimit shkencor të një vendi. Më pas ai u çorr, u copëtua, u shkel me këmbë, u mbllaçit me gojë, aq sa nuk i ngjante më atij që u përgatit prej nesh. Unë dhashë menjëherë dorëheqjen dhe u distancova publikisht prej tij. Ajo që ndodhi më pas, pra ajo pjesë e procesit që u quajt zbatim i reformës, ishte një nga masakrat institucionale më të turpshme të ndodhura ndonjëherë në këtë vend.

E mbaj mënd ekzaktësisht që L. Omari, në një debat televiziv te TVSH midis përfaqësuesve të Grupit dhe Akademisë, pas përpjekjeve të sforcuara dhe sigurisht të pasuksesshme për të gjetur argumente që të mund të kundërshtonin reformën e kërkimit shkencor të propozuar, u kap te shembulli i Institutit Max Planck. Si për të thënë që ja, edhe Gjermania, vendi ku lindi sistemi von Humboldt, dmth vendi ku mësimi në universitete kryhet nëpërmjet kërkimit shkencor, pra, vetë ai vend që e projektoi shkencën brenda mureve të universitetit, tani, më në fund, po e nxjerr atë jasht tyre, po e grumbullon në qendra të vetmuara, pa asnjë lidhje me universitetet, tamam ashtu si vetë shkencës, për shkak të natyrës sublime…afërisë me qiellin… i ka hije. Shkenca e kryen misionin e saj po të jetë e vetmuar…duket sikur thoshte L. Omari atë ditë në debatin televiziv dhe përsërit sot, pas dhjetë vitesh, P. Xhufi.

Nëse do të duhet të lihej mënjanë një shembull, ai do të ishte shembulli i Institutit Max Planck. Përdorimi i një shembulli të tillë në funksion të modelit të Akademisë me institute kërkimorë tregon për mungesë alarmante mjetesh në debat. Instituti Max Planck (një numër institutesh) ka si mision të kryejë kërkim fondamental në shkencat e natyrës, jetës dhe në shkencat shoqërore. A mund të jetë ky rast për Akademinë?! Për të përmbushur këtë mision, ky Institut ka një buxhet vjetor prej 1.7 miliard eurosh. A mund të jetë ky rast për Akademinë?! Në thelbin e vet, lidhja e natyrës fondamentale të kërkimit me buxhetin e vënë në dispozicion të tij është një lidhje proporcionale dhe shkakësore. Në botën e sotme është e pamundur që kërkimi fondamental të mos përfshijë buxhete të jashtëzakonshme. A mund të jetë ky rast për Akademinë?! Në universitetet gjermane mësimi kryhet nëpërmjet kërkimit shkencor, pra, pikërisht për këtë arsye ky i fundit është legjitim. A është ky rast për Shqipërinë?! Vetëm në rastin e kërkimeve shumë të shtrenjta (fondamentale), kërkimi, për të ruajtur një efektivitet të lartë të tij, nxirret nga universitetet; rasti i Institutit Max Planck por jo i Universitetit Harvard që rankohet para tij, psh. A mund të jetë ky rast për Shqipërinë?! Max Planck ka një mandat të tillë që kryen kërkime shkencore me natyrë interdisiplinare dhe transdisiplinare, gjë që është e vështirë të përputhet (fit) me strukturat universitare. Është ky rast për Akademinë?! Gjermania ka ndërtuar struktura shkencore që origjinojnë natyrshëm nga historia e saj, por përputhen edhe me interesat globale që ka. A mund të jetë ky rast për Shqipërinë?!

Në fund, a mund të jetë e vërtetë që meqënëse në Akademinë e Shkencave kanë punuar shkencëtarë të njohur dhe të edukuar në perëndim si Çabej, atëhere Akademia nuk mund të ketë patur organizim lindor, sovjetik? Të gjesh një lidhje midis nivelit të shkencëtarit dhe formës së organizimit të Akademisë është njësoj si të gjesh se kur ka vdekur pronari i një hoteli kur dihet numri i dhomave të këtij të fundit! E njohur, apo jo?

Për shkak se më është dashur të bashkëpunoj shumë herë me institucionalistë të njohur në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, kam arritur të kuptoj dimensionet më esenciale të shkencës që merret me dizenjimin dhe analizën e institucioneve. Është një shkencë që ka përpunuar mrekullisht mjetet dhe metodat e saj. Të flasësh e të punosh për reformim institucionesh pa njohur të paktën hyrjen në këtë shkencë, në rastin më të mirë bën nga ato budallallëqe që nuk kalojnë pa zarare vështirësisht të riparueshme. Janë të gjitha të dhënat që, megjithëse flet prej dhjetë vitesh për reformimin e Akademisë së Shkencave, P. Xhufi nuk kupton asgjë në pikvështrimin institucional. Kaq është pak, megjithatë. P. Xhufi, në kundërshtim edhe me instinktin e një historiani, flet për një reformë që nuk ka ekzistuar si e tillë. Ai nuk flet për reformën e shkruar, dokumentin e saj. Si të ishte një reformë e ndodhur këtu e një gjysëm mijëvjeçari më parë, ai fillon e mbledh përshtypje, gojëdhana, ngjarje, dhe me to ndërton perceptimin e një reforme që nuk është projektuar kurrë si e tillë. Pastaj, fajëson anëtarët e Grupit (e karakterizon si “një grup komisarësh pëdëistë”) për një reformë që ky grup nuk e ka kryer kurrë. Unë e di, për hir të së vërtetës, që midis anëtarëve të këtij Grupi kishte ndonjë që vinte kot, apo akoma më keq, ndonjë shpirtzi që kishte ardhë vetëm për të parë shkatërrim me sy. Por këta nuk ndikuan te produkti, reforma e shkruar. Akoma më shumë. Përmes deduksioneve shumë të thjeshta mund të kuptosh që P. Xhufi, kur flet për Akademinë, më shumë se për çdo arsye tjetër, flet ideollogjikisht. Duke e fshehur me kujdes atë mall për të dikurshmen Akademi të Shkencave. Për ata shkencëtarë po aq hije rëndë sa edhe udhëheqësit politikë në shërbim të partisë të të cilëve kishin vënë edhe shkencën e tyre. Duke bërë të gjitha përpjekjet, sigurisht, për të mos u dukur një hidalgo, apo një esadist. Shpik Vjenën si origjinë të Akademisë; fabrikon statusin “e pamundësisë” së bashkëjetesës midis shkencëtarëve me një shkollim perëndimor dhe një akademie lindore; gjen alibinë e Institutit Max Planck. Nuk lë gjë pa thënë për të mos u dukur se ai vetë, në fakt, nuk është gjë tjetër veçse një esadist i vetmuar në sistemin e kërkimit shkencor të këtij vendi.

8 komente në “Besnik Gjongecaj sulmon Xhufin: Një “esadist” në kërkimin shkencor”

  1. robert says:

    nuk mbahet malokeria …….

  2. Inxhinieri says:

    Nuk e di me se merret ky lloj studiuesi dhe cfare ka bere, por vetem gjuha dhe fjalori qe perdor me mjafton qe ta quaj PERVERS. Eshte nje gjuhe shume e ulet qe nuk duhet tja lejoje vetes askush e per me teper dikush qe pretendon se flet per shkence e ne emet te saj. Nga ana tjeter, perpara se te villte vrer per kedo qe i del perpara ne menyren e tij te ulet, do te ishte mire te na tregonte per veprat e tij, pervecse i emeruar politikisht per reforma, hajrin e te cilave kemi pasur mundesine ta shijojme ne te gjithe spektrin e saj.
    Ky me ngjan me nje lloj qeni qe e kane perzene nga cdo dere dhe qe te duket qe eshte gjalle kafshon cdo njeri qe kalon ne rruge ne pune te tij. Pis dhe Plehre!!!!!!!!!

    1. Naseri says:

      Fjalia juaj e fundit bie ndesh katerciperisht me te paren! Ciles t’i besojme ne tani?!

  3. Safo says:

    Ne fakt nuk morem vesh ndonje gje thelbesore nga ky artikull qe me se shumti merret me Xhufin (kush eshte ky Xhuf qe i ka nxjerre gjumin autorit?). Do te prisja qe autori te shtjellonte thelbin e reformes qe propozoi dhe cilat ishin pikat qe sipas tij u deformuan. Lexuesi mandej nxjerr vete konkluzionet. Nje shkencetar duhet te jete bindes ne logjike duke shmagur efektet gazetareske. Sigurisht totalitarizmi ka pasur efektet e veta negative edhe ne shkence, por deshmia e deritanishme e sistemit arsimor e shkencor te pas 90 duket se rrenoi vlerat e krijuara te deriatehereshme, pa mundur te rikrijoje prestigjin qe kishin te tilla institucione si Akademia dhe qendrat kerkimore dikur apo universitetet. Ne kohen qe merren diploma universiteti pa frekuentuar fare leksionet apo prodhohen doktorata pa asnje publikim ne revista nderkombetare, kjo shpreh situaten ende kaotike te sistemit akademik shqiptar qe eshte pak a shume pasqyre e situates kaotike politike. Eshte detyre dhe ne nderin e intelektualeve per te kontribuar ne ndryshimin e kesaj gjendjeje, po ashtu edhe e politikes qe duhet te harmonizoje zhvillimin shkenor me ate ekonomik.
    Politika e kuadrit e zbatur ne institucionet shkencore dhe universitetet para viteve 90, vecanerisht ato te shkencave egzakte ka pasur efektet e veta negative, sepse e kufizonte kuadrin shkencor ne nje rreth te ngushte te cilet ishin “me te barabarte se te tjeret” sic shprehet Orvell. Por nuk mund te mos admirohet arritjet e pajisjes me baze laboratorike madje dhe ne zona te largeta (sot pas 26 vjetesh trazicion nuk egziston asnje baze laboratorike ne zona te tilla). Nuk mund te mos admirohet qe te merrje nje dipllome univeristare para viteve 90 duhej shume mund e djerse (kurse sot vazhdojne studimet ne disa dege te ndryshme njkohesisht!!!-ky eshte serioziteti i sistemit arsimor shqiptar). Egzistonin nje numur institucionesh kerkimore prane akademise se shkencave me nje baze moderne laboratorike. Cu be kjo baze laboratorike sot, a ka update te kesaj baze apo eshte aplikuar edhe ne shkence teroia e fameshme e fillimit nga zero e Pashkos
    Ceshtja ne se keto insitucione do varen nga akademia e shkencave apo do jene ne varesi te universiteteve eshte ceshtje konvente, dmth se cilin model do te pranoje shoqeria shqiptare si me te pershtatshem per kushtet e saj. Eshte nje ceshtje konceptimi dhe e tille duhet te mbetet dhe nuk shoh ndonje arsye qe tu sulemi “kundershtareve”, dmth atyre qe mendojne ndryshe, per ti asgjesuar! Te perdoresh si argument qe modeli i shqiperise ishte ai lindor per te refuzuar arritjet e dikureshme eshte naivitet . Edhe ne perendim cdo 20-25 jane ndryshuar modelet. Psh ne Itali egzistonin qendrat e pavarura kerkimore para 1995, mandej keto qendra kane ndryshuar administrim duke kaluar ne varesi te universiteteve, por duke ruajtur entitetin e vet dhe harmonizuar punen me universitet per ti dhene stimul zhvillimi .

  4. Shqipe says:

    Kur lexon shkrime te tilla, gjeja e pare qe te vjen nder mend eshte Teto Ollga tek filmi ”Zonja nga Qyteti”: -Kane shitur gomeret, kane blere biçikleta dhe kushedi ç’ju duket vetja.

    Ne rastin tuaj, megjithe se filmi akoma nuk eshte xhiruar, me sakte do te ishte: -Kane shitur dhite, kane blere nga nje Benz dhe ju duket vetja si ne europe.

    “Standardet” e injorances, hipokrizizë dhe “lecca-culo”-ve nuk paskan kufi…….. , por jane rasti tipik per misherimin e nje shprehjeje te Einstein-it:

    ”Dy gjera jane te pafundme, universi dhe budallalleku i njeriut(shenim i autorit: e ka fjalen per injorantet), bile per te paren nuk jam shume i sigurte”.

    Ke perdorur ne kete shkrim terminologjine: ”esadist”, ”hidalgo”, etj. qe me sa shihet nuk ja u di specifiken dhe i perdor jashte kontekstit apo edhe neologjizma si ”gurohen”, te cilen eshte e udhes ta shoqerosh me nje shpjegim per te kuptuar ku e ke fjalen, mbasi kjo fjale nuk perdoret ne politike dhe pasazhi yt (si me poshte) mund te keqkuptohet nga ndonje ”mareshall”(si Tito) apo ”kavalier” (si Berluskoni):

    Brenda shoqërisë së këtij vendi “gurohen” fëlliqësira të pafund: Komunistë të vjetër ende në pushtet edhe një çerek shekulli pas rrëzimit të sistemit të tyre, kriminelë që ndërtojnë kështjella paralele me shtetin, imoralë që paraqiten të virtytshëm, pseudoshkencëtarë që bërtasin për reformimin e shkencës, universitete të rrënuara nga politika neokomuniste, institucione inekzistente për shkak të kohës së gjatë të mosreformimit…

    E vetmja vlere e shkrimit, per te cilen habitem se si mund te rrije prane me “budallaleqet” e pafund ne te, eshte ky percaktim, qe duket i dyshimte te jete pjelle e mendimit te autorit te shkrimit:

    ”Jo rrallë, vetë shoqëria sillet si deti. Herë pas here nxjerr të keqen dhe e përplas diku jasht vetes”.

    Per kete te pergezoj, sepse si do qe te jete, edhe pa vetedije, ke goditur ne shenje. Te gjithe e dine se kush eshte e keqja e shqiptareve, mbas diktatures komuniste.

    Per dijeni per ”kollovare politike”, si autori i shkrimit dhe per ata qe s’kane as sy, as veshe dhe as tru:

    -Së pari, njeriu që u përdor si “mishi i dhisë” në lëvizjen studentore dhe më pas në partine demokratike, u kthye më pas në “ustai i mishit të dhise” në demokracinë shqiptare, ka një ngjashmëri të çuditëshme me personazhin më negativ të Charles Dickens-it në novelën e tij David Copperfield(1849)-Uriah Heep, të cilin “mishi i dhisë” duhet ta këtë lexuar, si tifoz i letërsisë që prezantohet sa herë ka rast.

    Uriah Heep – Është Arkitipi i hipokritit, fillimisht një njeri i përkushtuar deri në pështirosje, si sekretari i Z.Wickfield dhe dalë nga dalë ortak i tij, ai gradualisht zbulon karakterin e tij të dobet dhe të dyfishtë të një njeriu të paskrupullt, arrogant dhe shpirtzi, deri sa mbasi falsifikon dokumentat, përvetëson pasurinë e tij dhe familjes së tij. Përfundimi? Shumë i thjeshtë. Mbasi zbulohen fallsifikimet, ai përfundon në burg.

    -Së dyti këtu është me vend referimi tek një pasazh nga nga fjalimi i Fan Nolit për moralin dhe patriotizmin, në Parlamentin e Shqipërisë(1923):

    Anarkia morale: Këtu qeni nuk e njeh të zonë, këtu karakteret dobësohen, qullosen dhe ndërrojnë formë e ngjyrë dita me ditë si në kaleidoskop. Këtu ambicjet janë pa fre e pa kufi, këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.

    Anarkia patriotike: Këtu brenda një dite si me magji tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor. Këtu shohim përpara syve tanë të kapërdisen si patriotë të mëdhej ata që kanë luftuar për harfet dhe për flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme ose ata që janë puthur me andartet e i kanë ndihmuar te shenjtërojnë anë e mbanë Toskërinë. Këtu si më thoshte një mik është më mirë që njeriu të jetë tradhëtore të shikojë interesat e tij sepse kështu do të jetë i sigurtë që të nesërmen do të prokllamohet patriot i madh.

    -Së treti, me “bëmat” e tij, “qëni që të ha tinës”, justifikon edhe përcaktimin e Fan Nolit(1924), dhe eshte perfaqesuesi tipik i pjeses me te padenje te asaj krahine, sikurse ndodh ne çdo krahine tjeter :

    A të duhen sharlatanë,
    Që të lëpihen në çdo anë,
    Që të përçajnë vatanë,
    Ke sa të duash Tropojanë.

    Noli kete percaktim nuk e ka per te gjithe tropojanet, mbasi ai ka shkruar edhe Elegji per tropojanin Bajram Curri, Dragoin e Dragobise-trim tribun i vegjelise, qe u vra nga forcat zogiste dhe agjentet serbe te prire nga Ceno beg Kryeziu, ne vitin 1925 ne Dragobi.

    Litari po mblidhet, ngadale-ngadale por pa ndaluar. Drejtesia vonon por nuk harron. Minjte po dalin nga “galeria”-jeni ne kohe te shpetoni fytyren! I uroj “mareshallit” te jetoje sa me gjate qe te provoje 313.

  5. Angjelo says:

    pirdh pirdh se lirohesh

  6. Shqiptar says:

    Ju z.GjonDhia nuk i afroheni as tek maja e thoit,Profesorit,Pateriot,parimorit, Pellumb Xhufi..Megjithate,marrezia jote,kompleksi i inferioritetit,sindroma e erresires se Guvave dhe Shpellave te erreson arsyen dhe te njollos ndergjegjen.Do sqarohen qe te gjitha.Mos u shqeteso z.GjonDhia qe fara jote e keqe ka ndotur kudo Shqiperine me injorance,urrejtje,perversitet,debilosje dhe Malokeri.

  7. artan says:

    Se pari autori I ketij shkrimi ka publikuar vetem ca sharje ne gazeta, dhe nuk e dime nga e merr autoritetin akademik per te dhene opinione mbi reformen.
    Se dyti, dihet shume mire nga te gjithe si I ka bere reformat Berisha -mbledh ca skllever ideologjike qe kane vetem meriten ti sherbejne dhe u ve emrin specialist/intellektuale dhe pastaj i pagun mire te ‘reformojne’ historine.
    Resultatet e reformes ku akademia dhe akademiket e emeruar shtremberojne historine sipas qefit te Berishes I dine te gjithe. Prandaj ky kokemadhi intellectual qe ka vetem meriten ti kete sherbyer PD-se dhe maskarenjve qe jane fshehur aty duhet te bojkotohet si nje sherrbudalla qe keqinformon per te mbrojtur plehin e vet ne rradhe te pare dhe te PD-se ne rradhe te dyte.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje