Takimi i papritur Majko-Basha një ditë më parë, ka bërë që në shtypin shqiptar të ngrihen shumë teori për motivet e tij.
Vetë Basha dhe Majko thanë se ata u takuan për Samitin e NATO-s që do të mbahet në Tiranë.
Por, duket se askush nuk e ka besuar këtë gjë.
Disa media shkruajnë se Majko po përgatitet të kadidojë si president dhe për këtë arsye kërkon edhe mbështetjen e opozitës.
Ndërsa disa të tjera, si “Koha Jonë”, shkojnë më larg.
Kjo e fundit shkruan se ky ishte një takim presioni për Metën.
Kjo gazetë i rikthehet historisë që nxorri disa muaj më parë, ku thoshte se Rama dhe Basha ishin takuar në Vjenë për të rrëzuar Metën.
Sipas kësaj gazette, dje ka qenë vazhdimi i atij takimi.
“Nuk dihet se cila ka qenë përgjigja e Bashës pas mesazhit të Ramës me korrierin Majko, porse dihet e saktë se Basha ka ngjitur me vrap shkallët për tek ish-lideri Berisha, pa lejen e të cilit nuk merr frymë asnjeri në PD. Duket se po luhet pjesa e dytë e seranatës vjeneze Rama-Basha, e cila filloi në fundgushti në Vjenë nën dirigjimin e Zamir Manes dhe po përfundon në Tiranë nën dirigjimin e “partizanit” Majko”, shkruan “Koha Jonë”.
Ndërsa një gazetë tjetër shkruante se Majko ishte takuar për rreth 30 minuta me Ramën, një ditë para se të takohej me Bashën.
Në një vend ku takime të tille konsiderohen jo normale, është e kuptueshme në fakt që do të lindin shumë teori konspirative.