Organet hetimore greke në Igumenicë kanë marrë në pyetje një shtetas shqiptar që është arrestuar disa ditë më parë në lidhje me krimin e ndodhur në një stan pranë Janinës, ku është vrarë në mënyrë barbare shtetasi Terpollari, të cilit i është prerë edhe koka.
Sipas dëshmisë së 28-vjeçarit shqiptar në hetuesi, ai ka qenë i pranishëm në vrasjen e Terpollarit. Ai ka pohuar se 3 persona të armatosur, edhe ata shqiptarë, e kanë detyruar me forcë t’u tregojë se ku ndohej stani, e kanë marrë me vete dhe ka parë nga afër skenën e vrasjes, madje edhe prerjen e kokës.
Burime policore bëjnë me dije se ai u ka treguar edhe vendin ku e kanë groposur. I arrestuari ka dëshmuar gjithashtu se, vrasja është kryer për çështje trafikimi të lëndëve narkotike dhe se vrasësit janë larguar nga vendngjarja me makinë drejt kufirit shqiptar.
Policia greke vazhdon hetimet për gjetjen e tyre.