Zv.ministri Mete: Ja avantazhet e zonës ekonomike të Spitallës

26 Maj 2016, 16:00Ekonomia TEMA

Intervistë e Zëvendësministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ervin Mete, për gazetarin e “Top Channel”, Klodian Tomorri

 Pyetje: z. zëvendësministër, çfarë është duke ndodhur me projektin për zonën e lirë ekonomike të Spitallës?

Zv. Ministri Mete: Jo vetëm Spitalla, por edhe Kopliku, Vlora dhe disa zona të tjera po studiohen nga ne për tu shpallur si zona të zhvillimit ekonomik, në bazë të ligjit të ri që ne kemi miratuar vitin e kaluar në Parlament. E para do të jetë Spitalla, që pritet të rishpallet brenda muajit qershor, tashmë e riformatuar në një sipërfaqe më të vogël prej rreth 100 hektarësh, çka do ta bënte më të shpejtë realizimin e këtij investimi dhe vënien në operim të zonës.

Pyetje: Çfarë garancish do të ketë që këtë herë ky  proces do të ketë sukses?

Zv. Ministri Mete: Siç ju e dini, ne kemi punuar një kuadër rregullator shumë të mirë dhe shumë të vlerësuar dhe nga operatorët që janë njohur me të. Kuadri është punuar ngushtësisht me Qendrën për Zhvillim të Universitetit të Harvardit dhe përfshin incentiva tejet të targetuara që jo vetëm janë mirëpritur por edhe kanë gjetur interesin e  investitorëve, siç na janë paraqitur nga ambasadat e një sërë vendeve. Dhe, me këtë rast ne do të përfshijmë edhe në marketimin e shpalljes së tenderit dhe të termave të tij përsëri skuadrën e Harvardit, pra do të bashkëpunojmë me ta për të vënë në dijeni dhe për të ftuar ndër operatorët më të suksesshëm në këtë fushë. Gjithashtu, riformatimi i zonës në një sipërfaqe më të vogël e bën edhe më atraktive sepse realizimi i investimit mund të bëhet në një kohë më të shpejtë dhe të sigurojë mundësinë që jetë efektiv.

Pyetje: A kanë ndryshuar termat apo kriteret, qoftë të incentivave apo të referencave?

Zv.Ministri Mete: Termat nuk kanë ndryshuar, por është riformatuar sipërfaqja dhe theksi gjithmonë vihet tek ato kompani që do të shërbejnë si zhvillues dhe do të arrijnë të thithin industri të reja inovative, teknologji të pastra, të cilat të plotësojnë bazën e bizneseve që ne kemi, jo duke qenë në konkurrencë me to, por duke shtuar gamën e prodhimeve apo të shërbimeve që ofrohen në Shqipëri dhe duke dhënë mundësinë edhe për eksporte të shtuara.

Pyetje: Z. Zëvendësministër, a keni interes nga operatorë, pasi Shqipëria prej vitesh tenton në zonë të lirë ekonomike dhe deri tani ka dështuar? Pra, çfarë ka ndodhur dhe si mund të funksionojë?

Zv.Ministri Mete: Incentivat fiskale që parashikon kuadri rregullator janë me shumë interes për një sërë investitorësh. Ne jemi në kontakte të vazhdueshme me atashetë tregtarë të ambasadave në vend të cilat na kanë përcjellë interes nga operatorë të caktuar dhe kemi interes të vazhdueshëm për momentin e hapjes të tenderit. Në këtë rast parashikojmë që të lëmë një periudhë disi edhe më të gjatë se sa shpallja e parë, në mënyrë që të mund të jepet më tepër kohë për tu përgatitur. Por, pozicionin gjeografik i Shqipërisë, pozicioni i Spitallës në afërsi të portit, kushtet që ofrohen, incentivat fiskale, por edhe krahu i punës, shihen si faktorët kryesorë për të nxitur këtë zonë ekonomike.

Pyetje: Jo thoni se shpallja do të bëhet në qershor. Po afati për ofertat?

Zv.Ministri Mete: Do të lihet një afat më i gjatë se sa afati i radhës së parë që ishte 60 ditor, në mënyrë që të presim oferta sa më të plota dhe sa më të kualifikuara për zonën.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje