Lausanne ofertë Canës, por mbrojtësi synon Amerikën

31 Maj 2016, 15:35Sport TEMA

Edhe pse e ka thënë qartë prej ditës së parë të grumbullimit me Kombëtaren, se synon një aventurë jashtë Europës, për Lorik Canën nuk mungojnë alternativat në kontinent.

Për kuqeziun interes ka shfaqur klubi i Lausanne, që sapo u kthye në Superligën zvicerane. Interesimi duket se është konkret, sepse pas mediave lokale, tashmë rreth kësaj çështje flet edhe prestigjozia, Blick.

Gazeta më e madhe helvete analizonte deklaratat e Alain Joseph, presidentit të klubit, ku Loriku hodhi hapat e parë të karrierës si futbollist.

Drejtuesi më i lartë i Lausanne ishte shprehur se afrimi i kapitenit të Shqipërisë, që numëron rreth 300 ndeshje në ligat elitare në Angli, Itali, Francë dhe Turqi është thuajse i pamundur. Por, nëse Cana do të ndryshonte mendje, ai do ta kishte derën të hapur në skuadër.

Sipas Blick, megjithë dëshirën e madhe për të rikthyer në ekip futbollistin që mban rekordin e përfaqësimeve me Kombëtaren e Shqipërisë, zviceranët duhet të kenë parasysh faktin që buxheti i klubit flet kundër transferimit, sepse te Lausanne nuk e përballojnë dot pagën e mbrojtësit.

Pasi mbylli sezonin me Nantes, Lorik Cana pret të mësojë më tepër rreth të ardhmes. Dëshira e lojtarit është që ta vazhdojë karrierën, në Major League Soçer. Pikërisht kampionati amerikan i futbollit, ku luajnë shumë yje të futbollit europian, mes tyre edhe kuqeziu Shkëlzen Gashi, mbetet pikësynimi i 32-vjeçarit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje