Udhëtimi i gjeniut, që nisi nga “Sokaku i të Marrëve”

31 Maj 2016, 11:39Blog TEMA

Nga Dritan Hila

Tashmë Ismail Kadare është Komandant i Legjonit të Nderit. Përveç Nobelit, nuk i ka mbetur gjë tjetër për të arshivuarnga çmimet që ka bota, por ngjan se nuk ka më rëndësi për të. Ka shumë shkrimtarë të mëdhenj që nuk e kanë marrë Nobelin, ashtu siç ka që e kanë marrë dhe nuk u mbahet mend emri.

Aq sa jetë shkrimtari, udhëtimi mbi tokë i Kadaresë është një jetë aventuroze në gjithë peripecitë e saj, mes një identiteti të shumëfishtë në një nga diktaturat më dyshuese dhe alergjike ndaj kundërshtive, të gjithë lindjes komuniste. Megjithëse vetëm shkrimtar, e megjithëse sundonte vetëm në mbretërinë e tij e cila nuk i zinte hapësirën askujt e shtrihej vetëm brenda kafkës së tij, ka qenë ndër më të sulmuarit. I sulmuar për shpërfilljen ndaj mediokritetit, përbuzjen ndaj banalitetit, për sensin aristokratik, për zgjuarsinë në mbrojtje të lirisë së vet.

Shumë shqiptarëve duket se u bënte hije në kotësinë e tyre marroke, emri i dikuj që nuk i futej as në sinorë dhe as në jetët e tyre. I nevrikoste liria e tij, ashtu si edhe zgjuarësia që nuk e la veten asnjëherë të binte pre e shpatës së diktaturës apo e rulit depersonalizues të injorancës. Njeriu që ju dha punë më shumë se gjithkush dhjetra shqiptarëve që të mbronin dizertacione me veprën e tij, po aq ka bërë armiq që kanë nxirë letër kundër tij. Armiq të cilët nuk dinë pse e urrejnë me një urrejtje e cila nuk ka asgjë racionale.

Nëse Kadareja do të kishte jetuar në Shqipëri, nëse do të kishte pasur fatkeqësinë që të ishte i varur ekonomikisht nga shteti shqiptar, do ta kishin shtypur me këmbë. Askush nga politikanët mediokër të tranzicionit nuk mund ta linin t’iu ikte shansi që të bënin të tërhiqej zvarrë përpara tyre një njeri i talentuar. E dimë të gjithë se njerëz me më pak talent se Kadareja, që nuk kanë fatin e tij të jetojnë në perëndim dhe të jenë ekonomikisht të pavarur, pa të cilët kombi ynë do të ishte një boshllëk i madh, janë në kufijtë e varfërisë. E kotë të përmendësh emra. Në 25 vjet, janë kujdesur që çmimet dhe paratë tu shpërndahen vlerave të dyshimta. E fundit, ku çmimi i jepet një vepre banale të titulluar “Vrima”, është niveli i respektit që pushteti ka ndaj atyre që janë dashnorë të penës dhe skllevër të pasionit të shkrimit. Me siguri mendojnë se asgjë e prodhuar në çerekshekullin e fundit nga ky vend, nuk vlen sa fletërrufetë parlamentare të Berishës, sparkatat logjike të Nanos apo logoretë filipike të Ramës. Përndryshe asgjë nuk do ju kushtonte që 200, vetëm 200 njerëzve të shquar të shkrimeve, këngës, baletit apo teatrit shqiptar, t’i lidhnin 1.5 mijë, vetëm 1.5 mijë euro pension mujor, që të kishin një jetë me dinjitet. Do t’i kushtonte vetëm 3.6 milion në vit buxhetit të shtetit shqiptar, buxhetit që plaçkitet nga gjithfarë hajdutësh pa emër. Vetëm 3.6 milion euro, për të lënë një shenjë se ky komb dikur ka ekzistuar dhe nuk ka qenë vetëm frymorë që shëtisnin në një siujdhesë, nga lindja deri në vdekje, kohë gjatë së cilës plehëronin tokën dhe shumonin rracën e tyre që nuk bënte asgjë.

Sot një shqiptar u bë komandant i Legjeonit të Nderit. Mbase është shkëndija e fundit e letërsisë së një vendi të pafat më shumë për faj të vet se të të tjerëve, por që në shtërzimet e tij, prodhoi diçka të madhe: Ismail Kadarenë./dritare.net

Lini një Përgjigje