26 maj 1996: 20 vjet më parë vrasja kolektive në Tiranë

26 Maj 2016, 21:27Blog TEMA

Nga Lorenc Vangjeli

Në Kuvendin e Shqipërisë, në seancën e 26 majit 2016 shkëlqeu batuta e ministrit të mjedisit Lefter Koka. “Unë e di që në një kohë kur flitet për dekriminalizimin, për reformën në drejtësi, për reformën zgjedhore apo Shukriun, të flasësh për zogjtë shtegtarë dhe ariun, është luks i madh”. Ligji për moratoriumin e gjuetisë që kishte hyrë për votim në seancë, vërtet dukej jashtë kohe në përpjekjen e tij për të dëshmuar një Shqipëri normale. Pak a shumë si Shqipëria televizive, të cilën deputeti socuialist, Eduard Shalsi e lidhte dhe me faktin se tani, për shkak të moratoriumit të gjuetisë, zogjtë shtegtarë në Kune, Tale, Vainë apo dhe gjetkë në Shqipëri, kanë më pranë frikë dhe afrohen në takimin “e pamundur deri dje dhe pa krisma” mes natyrës dhe qënies njerëzore.

Edhe batuta e ministrit, edhe shpjegimi i ligjit nga deputeti, me gjasë do të kenë pak vend në në kujtesën e publikut. “Nëse në një kompani ushtarësh që marshon, vetëm një ushtar mban ritmin e duhur, çfarë duhet bërë?”, pyet Shalsi duke u përgjigjur po vetë: “Duhet të ndryshojë ritmin ushtari i mirë!”. Dhe kompania parlamentare nuk e ndryshoi ritmin e saj të zakonshëm.

Po në Kuvendin e Shqipërisë, në seancën e 26 majit 2016, ish-kryeministri Berisha shkëlqeu me oratorinë e tij të errët e të egër ndaj pasardhësit të tij. Ai e konsideroi Ramën si kriminel me emër të ndryshuar, e quajti racist që bën ndarjen Veri-Jug të vendit dhe që ka rekrutuar kriminelë si antarë të parlamentit dhe të administratës së lartë publike në vend. Dhe, edhe pse edhe këtë herë ishte dhe do të jetë si përherë, në vëmendjen e publikut do të mbetet gjatë në kujtesë tirada e zakonshme e ish-kryeministrit, të cilit i dhanë të drejtë të pjesshme në akuzat e tij edhe formularët e dekriminalizimit. Që tashmë janë publikuar dhe mund të shihen nga kushdo duke zbuluar emra për deputetë me hije e të hetuar, gjykuar dhe vazhdimisht të dyshuar si dhe për të zgjedhur vendorë apo zyrtarë të lartë të të njëjtit batak. Për të tjerë, rreth 50 të tillë, që as nuk kanë dorëzuar formularin dhe që praktikisht do të largohen nga detyrat e tyre, historia me aksidente të së shkuarës, do t’i mbetet të shkuarës. Dhe ata do të ikin.

Në të njëjtën seancë të së enjtes, socialisti i përhershëm Gramoz Ruçi kërkoi ndërprerjen e saj, kurse Balla edhe më ashpër kërkoi largimin e “kriminelit” Berisha që fyeu pasardhësin e tij Rama.

Idrizi i PDIU-së si drejtues i seancës e ndërpreu atë në pamundësi për të vazhduar më tej.

Kjo ishte pamja e seancës parlamentare në datën 26 maj 2016. Një datë për të cilën kalendari kërkon një çast kujtese për një përvjetor të harruar.

Më të errtin.

Më të dëmshmin.

Më të tmerrshmin.

Startin ende pa finish të gjithë dramave, traumave dhe tragjedive që ka pësuar Shqipëria moderne postkomuniste.

Fiks 20 vjet më parë, të parat zgjedhje politike në vend mbas instalimit si formë, por jo si projekt të pluralizmit dhe demokracisë në vend, u vranë nga segmente të qeverisë së PD-së, drejtuar nga ish-presidenti Berisha. Kronika e kohës dëshmon se socialistët u tërhoqën nga një garë që e konsideruan ata fillimisht të manipuluar dhe më pas, u quajt e tillë me “konsensus” tragjik nga gjithkush. Edhe nga ndërkombëtarët. Dhe nga këtu nisi rrokopuja. Dy ditë më pas, në 28 maj ish-opozita u rrah publikisht në sheshin Skënderbej. Më pas, amerikanët tentuan një kompromis pa ndryshuar ngjyrën e fituesit: kërkuan përsëritjen e votimeve në 40 zona, por u refuzuan. Deri në tetor të të njëjtit në zgjedhjet lokale, u bë çdo hap për hir të votave, domethënë pushtetit. U toleruan banditët e përdorur për majin dhe mbi të gjitha, u lanë të lira piramidat financiare. Në harkun e pak muajve, qershor-tetor, ato u shumëfishuan në përmasa duke shtuar në progresion gjeometrik listën e shqiptarëve që u zhytën dhe mbytën në atë spekulim të pastër politiko-financiaro-kriminal. Deri në dhjetor të 1996 kur situata u bë thjesht e pamenaxhueshme dhe vendi u zhyt në kaosin e 97-ës, duke u “pushtuar” në pranverë me konsensus nga një trupë ushtarake ndërkombëtare; nga ushtarakë me mjete të blinduara që u pritën si çlirimtarë të shqiptarëve nga marrëzia shqiptare e shqiptarëve që qeverisnin Shqipërinë.

Ai kaos 20 vjeçar, i ndryshëm në formë, por i ngjashëm në përmbajtje, vazhdon deri sot. Vrasja e zgjedhjeve ishte dhe mbetet dhe sot rrënja e helmuar që po zgjat pafund tranzicionin e pabesueshëm shqiptar. Shqipëria mbetet për t’u shënuar si vendi i fundit ish-komunist që ndryshoi sistemin dhe po vendi i fundit që rropatet në një tranzicion të tejzgjatur për shkak të zgjedhjeve të gabuara politike. Ndaj qoftë batuta e Kokës, qoftë diskutimi i Shalsit për zogjtë shtegtarë do të duhej të ishin shqetësimi normal i një vendi normal. Ato ngjajnë të panatyrshme sepse Shqipëria normale është qëlluar që 20 vjet më parë, në 26 maj 1996 dhe ende nuk është shëruar e rilindur!

Javanews.al

2 komente në “26 maj 1996: 20 vjet më parë vrasja kolektive në Tiranë”

  1. taso kume says:

    SHQIPERIA eshte vrare qe femi e posalindur ne1944 ,jo 20 vjet para , dhe keto jane simtomat e nje femije te ushqyer keq ,sdo mente po te harosh Spaçin ,Qafen e barit ,Burelin etj te ncjeresh fotografin e DULLES per riabilitim çfare pret nga SHPELLARI sekretar i partise se punes ishdoktore ne bllok dhe kryekriminel pas 1990,dhe mua nuk me vjen keq per asnje se eshte lufte klanesh te gjithe te ish partise se punes ose bijte e tyre bijte e karjeristeve dhe servileve jane sot ne politiken SHQIPTARE qe kemi ngelur kaq mbrapa .Mos u beni gazetare te njeanshem .

  2. Lpl. says:

    Sju ka bere asnje gje ju cfare na keni bere ne 50 vjete me burgje e internime vrasje varje dhune psikologjike mjaft qe keni heqe fene e persekutuar prifterinje e laike e popullin Katolik , jeni fare e keqe jeni si grami ne are rreziku i popullit me ju komuniste zemerzi e kriminele .Ju ankoheni per nje rrahje kurse ne ju falem cfare na bete dhe sjemi penduar per kete , por ju eshte duke ju bere shembull Zoti qe femijet tane mos te behen si ju per kete falenderoj Zotin qe na hapi syte e mendjen qe mos tjua kemi lakmi punen e postin tuaj ne asnje moment dhe nuk e deshiroj qe femija im te behet si nje nga ju .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje