"Süddeutsche Zeitung": Një krizë e trefishtë po e trondit Europën

24 Maj 2016, 19:03Blog TEMA

«Ju nuk po gëzoheni me këtë bollëk të gjërave». Me këtë fjali, për të cilën ishte inspiruar nga Libri i Pestë i Mojsiut, psikoanalitiku Erich Fromm e ballafaqoi shoqërinë moderne. Rrallë ka qenë më e saktë se sot kjo fjali në këtë Europë.

Në BE qëmoti mbretëron paqja, shumica e qytetarëve jetojnë bajagi mirë, nëse matemi me rajonet e tjera të botës. Jetëgjatësia është më e lartë se kurrë. Dhe problemet, që nga shpëtimi i euros deri te ndihma për refugjatë, do të mund të zgjidheshin së bashku nëse do të kishte vullnet të mirë. Por, europianët kanë harruar të gëzohen për këtë. Ata e perceptojnë pozitiven si diçka të vetëkuptueshme – dhe negativen si katastrofë.

Prej vitesh dëshpërimi po gërryen siç gërryen krimbi trarët e pullazit. Partitë euroskeptike dhe armiqësore po ushqehen nga ky dëshpërim. Në Poloni dhe Hungari ato përbëjnë qeverinë. Në Itali mezi presin ta rrëzojnë kryeministrin proeuropian Matteo Renzi. Në Britaninë e Madhe mund të votojnë për të braktisur BE-në. Dhe në Austri çdo i dyti zgjedhës votoi për një popullist të djathtë për president. Mllefi kundër «elitave» dhe «sistemit» për pak e vërshoi edhe Vjenën, ku kandidati i gjelbër Alexander Van der Bellen fitoi për një qime floku.

Zgjedhjet si këto janë shenjë e një krize të trefishtë – të Bashkimit Europian, të demokracisë dhe të drejtësisë. BE mund të llogariste në përkrahjen e qytetarëve të saj kur ekonomia lulëzonte. Mirëqenia në rritje dhe siguria më e madhe krijonin konsenzus. Por, ato nuk ndikuan që njerëzit të identifikohen me Europën ashtu siç bëjnë me shtetin e tyre kombëtar. Tani, kur ekonomia s’po lulëzon dhe shumë njerëz frikësohen nga regresi, po shihet se ndaj kujt qytetarët janë lojalë. Gjithnjë e më shumë qytetarë po kërkojnë shpëtim te kombi. BE-ja atyre po u duket xhaketë e ngushtë.

Këtë përfytyrim që gati mbërrin në kufijtë e çmendurisë Europa do të mund ta korrigjojë vetëm nëse përmirëson mangësitë e saj. Këtu kërkohet demokratizimi i mëtutjeshëm i BE-së dhe mbrojtja më e mirë e modelit social europian kundër të këqijave të kapitalizmit global. Rendi i vlerave – shteti i së drejtës, pluralizmi, të drejtat e njeriut – duhet të mbrohet në mënyrë më ofensive kundër qeverive gjysmëdiktatoriale si në Turqi apo kundër tendencave autokratike në BE, për shembull në Poloni dhe Hungari. Një Europë e sigurt në vetvete është më atraktive se një që nuk bëzan.

Kriza e dytë ka të bëjë me demokracinë. Dekada pas kolapsit të nazizmit, fashizmit dhe komunizmit sovjetik shumë njerëz duan sërish rrethana të qarta, të cilat demokracitë zakonisht nuk mund t’i ofrojnë. Një qeveri autoritare, një lider i fuqishëm, një komb unik që shpëtojnë qytetarët e brengosur.

Është detyrë e të gjithë demokratëve të veprojnë kundër këtij iluzioni fatal – duke luftuar politikanë dhe parti autoritare dhe njëkohësisht duke respektuar shqetësimet e zgjedhësve të tyre. Disa janë shqetësime të drejta, për shembull zemërimi mbi korrupsionin e ish-partive popullore në Austri apo frika përballë politikës nganjëherë kaotike ndaj refugjatëve.

Pas zemërimit mbi korrupsionin dhe gjoja vërshimit të të huajve shihet kriza e tretë: ajo e drejtësisë. Polakët, francezët apo austriakët besojnë se po japin shumë dhe po marrin pak. Kjo e helmon atmosferën, mes shteteve dhe brenda tyre.

Të gjithë e kanë përshtypjen se janë humbës: gjermanët pranojnë më shumë refugjatë se të tjerët. Pensionistët grekë dhe nëpunësit duhet të paguajnë çmim të lartë për gabimet e politikanëve të tyre dhe kontrollin e mangët të tyre nga ana e BE-së. Miliona të rinj të papunë në Itali, Portugali apo Spanjë po shohin se si po lulëzon Gjermania dhe vendet e tyre po i obligon të kursejnë edhe më shumë.

Njëkohësisht të gjithë europianët po vuajnë nga pasojat e një krize financiare, të cilën e kanë shkaktuar bankierë grabitqar dhe menaxherë e politikanë të pakujdesshëm. Kur Letrat e Panamasë tregojnë se si shumë të pasur nuk japin kontributin e tyre për mirëqenien e përgjithshme, kur menaxherë të paaftë marrin miliona nga fitimet, atëherë dëshpërimi shndërrohet në mllef – dhe në atmosferë në favor të partive që duan ta zhdukin «sistemin».

Në mënyrë që Europa të jetë më e drejtë, BE duhet të shpërndajë më fer barrën dhe fitimet mes shteteve anëtare dhe vendosmërisht të luftojë kundër oazave fiskale dhe eksceseve të sektorit financiar; dhe shtetet duhet t’i reformojnë sistemet e tyre fiskale në atë mënyrë që qytetari i zakonshëm të mos ndihet i trajtuar si budalla. Nëse arrihet kjo, popullistët e djathtë sërish duhet të mësojnë të humbin; dhe europianët mund të pranojnë se përkundër të gjithave kanë të gjitha arsyet për të qenë të lumtur.

4 komente në ““Süddeutsche Zeitung”: Një krizë e trefishtë po e trondit Europën”

  1. masar llukushtuja says:

    europjant e shofin shpetimin nga krizat tek kombi I tyre,pra jasht Europe,kurse t cuditshmit shqiptar e shofin shpetimin ke Europa!

  2. Projekti says:

    BE nuk mund te shperndaje “me drejt barren dhe fitimet mes shteteve anetare”. BE ka pasur vetem nje gje ne dore, nje mekanizem qe tani nuk pi me uje. Qe ne fillim BE duhet te kishte vendosur kushte me te forta dhe me realiste per vendet kandidate, sidomos ne drejtim te ekonomise. BE duhej te kerkonte ndaj vendeve me te vertete te interesuara per integrim standarde me te larta ekonomike, pra vendet qe hynin ne BE duhet te kishin me shume barazi ne shperndarjen e te ardhurave (nga kjo vuan Italia), papunesi me te ulet ( rasti i Spanjes), strukture ekonomike me te qendrueshme ( rasti i Greqise, megjithese po ta mendosh thelle-thelle greku nuk ka fare strukture ekonomike) apo te ardhura per fryme me te larta (si Bullgaria me qindarkat e veta). Keto pune duhej te ishin bere me kohe, tani “Europa e bashkuar” eshte bere nje lemsh qe vetem nje gjeni mund ta zgjidhe

  3. ts says:

    Ky bashkim Europian ish nje bashkim me gisht ne byth te voglit nga i madhi ! Vetem nje shperberje per nje ribashkim ne nje te ardhme ndryshon kte diferenc qe smund te korigjohet ! Lakmia e shqiptareve te futet ne kte bashkim, me kta qeveritar te demonizuar, do i kushtoj me shum se greqis, qe ju zbathen breket fare e po marin ruget e mergimit brezi i ri, qe paguan mekatet e politikaneve te saj !

  4. Naim Curri says:

    Mos e futni Turqine ne Europe.Anglia mos te dale nga Europa.Ndryshe do forcohet lindja.Komunizmi eshte gati.Amerika te ndihmoje per refugjatet ne zgjidhjen e problemeve ne Siri. ISIS eshte i nevojshem per kapitalizmin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje