Gjovalin Kola
Gazeta Tema, Bruksel
Në Luksemburg po mbahet konferenca e kryetarëve të parlamenteve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, ku merr pjesë edhe Shqipëria si vend kandidat. Ajo u kushtohet çështjeve të aktualitetit, siç janë kriza e refugjatëve, forcimi i BE-së, bashkëpunimi ndërparlamentar, si dhe siguria e qytetarëve dhe respektimi i lirive themelore të tyre. Në sesionin mbi administrimin e krizës së emigrantëve foli edhe kryetari i Parlamentit shqiptar, Ilir Meta, i cili u shpreh se Shqipëria do të kontribuojë me kapacitetet e saj dhe në bashkëpunim me vendet fqinje, Greqinë e Italinë. Sikurse vendet e tjera të Evropës, edhe autoritetet e shtetit shqiptar duken të bindura për të mbrojtur solidaritetin, që është një nga parimet themeluese të BE-së, si dhe angazhimin ndaj Kartës Universale të të Drejtave të Njeriut, konventave ndërkombëtare, të Gjenevës për të drejtën e azilit për refugjatët e luftës etj. Ata kanë edhe mbështetjen e një mase njerëzish, që, sipas sondazheve në media i janë përigjigjur pozitivisht pritjes së refugjatëve sirianë. Megjithatë, problemi i emigracionit është i ri në shoqërinë tonë. Për këtë le të na shërbejë shembulli i vendeve të BE-së, ku do të bëhet pjesë edhe Shqipëria.
Dihet tashmë se kriza e refugjatëve e fundivitit 2015, e panjohur më parë në këto përmasa, e ka vënë në vështirësi BE-në, duke zbuluar dobësitë dhe interesat e ndryshme, shpesh të papajtueshme, të vendeve bllokut. Kjo mungesë uniteti ka bërë që të flitet « për ndarje Lindje-Perëndim” : Evropa Perëndimore (sidomos Gjermani-Francë) që dikton e respekton kuotat e Brukselit për pritjen e refugjatëve, dhe shtetet e Lindjes, që i refuzojnë ato për arsye kulturore, sociale, ekonomike etj. Por edhe në vetë shoqëritë perëndimore duket se po thellohet hendeku midis elitave drejtuese, mondialiste e multikulturaliste, dhe popullit, sidomos klasave të mesme. Partitë tradicionale të majta e të djathta po humbin elektoratin. Nga sondazhet e fundit del se popullariteti i kancelares Merkel dhe presidentit Holande ka rënë ndjeshëm pikërisht për shkak të emigracionit. I kthyer në temë kryesore, emigracioni ka zbuluar edhe probleme të tjera të karakterit social, kulturor e filozofik, që tashmë janë grumbulluar prej dekadash në Perëndim. Kështu, flitet për krizë bashkëjete, për mungesën e integrimit të emigrantëve, për komunitarizëm etnik e fetar, shoqëri paralele, për « rrezikun e zëvendësimit të popujve evropianë » nga popullsi që vijnë kryesisht nga vendet e Lindjes së Mesme, të Magrebit apo të Afrikës etj, me kulturë, mënyrë jetese e zakone krejt të ndryshme nga ato të evropianëve. Kjo situatë tronditjeje sociale po shoqërohet me rritjen e partive populiste e të ekstremit të djathtë antiemigracion, me shtimin e racizmit e të ksonofobisë, me debate e botime që kanë gjetur një pubik gjithnjë e më të gjerë. Sigurisht, këtë frikë nga emigracioni nuk e pranojnë të gjithë. Por ka shumë nga ata që ndjehen të pasigurt për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Këtë frikë e pesimizëm shprehin edhe botime të ndryshme, të konsideruara, megjithatë, si bestseller të kësaj dekade. Të tilla janë, për shembull, « Gjermania po zhduket » (Deutschland schafft sich ab, 2010) e Thilo Sarrazin-it, «Identiteti fatkeq », (L’identité malheurese, 2013) e Alain Finkielkraut-it, « Vetëvrasja franceze » (Le Suicide français, 2014) e Eric Zemmour-it etj. Pavarësisht këtyre efekteve afatgjata, BE-ja ndjek, sikurse SHBA-ja, modelin multikuralist të shoqërisë. Kjo do të thotë se qeveritë, të majta apo liberale qofshin, e përdorin emigracionin si të vetmin mjet për të mbushur tregun e punës dhe për të përballuar plakjen e popullsisë. Por jo të gjitha vendet demokratike zbatojnë të njëjtën politikë demografike. Për shembull, nëse Gjermania priti vitin e kaluar më shumë se një milion refugjatë, Japonia me 127.3 milionë banorë u dha azil vetëm 27 emigrantëve, duke hedhur poshtë 99% të kërkesave të tyre dhe duke u refuzuar qëndrimin në territorin e saj 7586 azilkërkuesve, të ardhur kryesisht nga zonat e luftës të Lindja e Mesme. Megjithëse shoqatat për të drejtat e njeriut kanë bërë vazhdimisht presion që të pranohen më shumë refugjatë, qeveritë e këtij vendi ndjekin në mënyrë konstante modelin e një shoqërie homogjene, që i pengon të huajt të depërtojnë në këtë vend. Një politikë e tillë ndiqet edhe në Korenë e Jugut, që ka një popullsi nga më homogjenet në botë.
Në një të ardhme të afërt, edhe Shqipëria do të preket nga pasojat e emigracionit dhe të multikulturalizmit. Tani për tani ajo nuk ka kapacitete pritëse e integruese, por me zhvillimin ekonomik e social dhe pranimin në BE, ajo do të zbatojë detyrimet e saj edhe në këtë fushë. Sigurisht, ne jemi një vend shumë i vogël dhe s’mund të ndjekim një politikë të pavarur si Japonia, Koreja e Jugut etj. Por, pikërisht, se jemi të vegjël është më legjitime të vetëmbrohemi. Prandaj lind pyetja : Çfarë modeli do të ndjekim ne për shoqërinë ? Për të ardhmen e fëmijëve e të brezave të ardhshëm? Edhe stërgjyshërit dhe etërit tanë kanë qenë, po ashtu si ne sot, shumë të paktë në numër, por na kanë lënë, megjithatë, këtë vend, këtë identitet, këtë gjuhë. Pra, le të mësojmë nga problemet dhe pësimet e të tjerëve, sa nuk është vonë. Është koha për të reflektuar që tani…
zoteria artikullshkrues duhet ta dije besoj ate tregimin me derrin dhe shqiptarin te mbyllur te dy ne nje kasolle. edhe puna e emigranteve te huaj ne shqiperi do perfundoje si puna e derrit qe shpertheu kasollen dhe iku duke thene: ku rrihet mo vlla me shqiptarin.