“…Një Shqipëri diktatoriale do të shndërrohej në vatër turbullirash për krejt rajonin. Sepse diktatura në kushtet e një kapitalizmi të varfër, pa burime të mjaftueshme financiare, gjeneron trafikun e zi të armëve, të drogës apo çdo lloj trafiku tjetër të paligjshëm, gjë që tashmë i ka dhënë shenjat në Shqipëri, e cila rrezikon të bëhet kësisoj në të ardhmen një nyje e rëndësishme e kriminalitetit ndërkombëtar…”.
Dhe më tej:
“…Një Shqipëri e lirë që shkon drejt Europës mund të realizohet vetëm nëpërmjet integrimit demokratik të të gjitha forcave politike ekzistuese të vendit dhe jo nëpërmjet getoizimit të tyre sipas një mentaliteti të Luftës së Ftohtë, i cili u bie ndesh proceseve integruese evropiane duke mbajtur gjallë fantazmat e së kaluarës. Ajo për të cilën shoqëria post-komuniste ka kaq shumë nevojë është paqja, mirëkuptimi dhe dialogu ndërmjet të gjitha forcave politike, dhe jo aparteidi politik…”.
Janë dy paragrafë tronditës të një letre tronditëse, shkruar në një kohë më shumë se tronditëse. Eshtë shkruar menjëherë mbas ditëve që e rindanë edhe njëherë në dysh historinë e pluralizmit të brishtë shqiptar, tejzgjatën pa kthim tranzicionin dhe shënuan rifillimin e një kalvari të pabesueshëm vuajtjesh masive të të gjithë shqiptarëve. Që e rikthyen vendin në kohën e ankthit, depresionit, mjerimit, që shkatërruan ekonominë dhe prodhuan mijëra e mijëra drama personale në portretin dramatik të të gjithë shoqërisë shqiptare, që pësoi një nga aksidentet më të rënda historike të kohës.
Këto dy paragrafë janë shkëputur nga një Promemorie që i drejtohej faktorit ndërkombëtar menjëherë pas zgjedhjeve të vrara të 26 majit 1996.
Mban datën 9 qershor 1996 dhe është një dokument që mund të gjendet në shtypin opozitar të kohës.
Kishin përfunduar zgjedhjet e 26 majit. Opozita socialiste dhe Poli i Qendrës, PAD & PSD kishin braktisur procesin e votimit dhe të numërimit. PD kishte “marrë” mbi 100 e ca vende në parlamentin me 140 deputetë. Dy ditë më pas, në 28 maj opozita demonstron në sheshin Skënderbej, por protesta shtypet dhunshëm dhe drejtues të saj rrihen publikisht nga forca të policisë të dala nga kontrolli dhe SHIK-u famëkeq i kohës.
Dhuna ju atribuua ish-presidentit Berisha.
Situata ishte më e paqartë se kurrë.
PS, si partia më e madhe e opozitës, por që vuante trashëgiminë komuniste, ishte ende e pabesueshme në Perëndim. Me kryetarin e saj në burg dhe nën një represion të thellë nga kundështarët, ajo ishte e paartikuluar mirë, pa një vizion të qartë dhe përfshirë në lojëra pushteti brenda pushtetit që afronte vetë opozita.
Mendimi opozitar, në mënyrë të pabesueshme për mendësinë e sotme, ishte i përqëndruar tek dy parti të vogla të opozitës, Aleanca Demokratike & PSD si dhe një grusht gazetarësh të pavarur dhe artistë, shkrimtarë, piktorë, përkthyes.
Vetëm më pak se një vit më pas, me rrëzimin e piramidave financiare, vendi u rrëzua. Arkitektura shtetërore u shkërmoq dhe pushteti i kaloi anarkisë. Një marrëveshje shumë e diskutuar e marsit 1997 i hapi rrugën zgjedhjeve të parakohshme, por ishte shumë vonë për një zgjidhje politike. U hapën depot ushtarake, u krijuan banda të kriminelëve, u shënuan mijëra të vrarë dhe me pasoja edhe sot, u rrënua ekonomia, u larguan shumica e investitorëve të huaj. Të gjitha proceset integruese të vendit u stopuan. Dhe mbi të gjitha, pasojat psikologjike dhe kulturore janë ende sot shumë të pranishme në të gjithë jetën e vendit.
Askush nuk është ndëshkuar penalisht apo dhe moralisht për këtë dramë që prodhoi etja për pushtet dhe mungesa e kulturës së dialogut politik në vend.
Në qershor 1997 PS erdhi në pushtet në krye të një koalicioni të gjerë politik.
Një vit më pas, vendi përfshihet nga akuzat për keqqeverisje e korrupsion dhe në shtator, me armët e 97-ës, tanket kinezë të ish-miqësisë me Kinën e largët, funerali i Azem Hajdarit, vrarë në atentat, u shndërruan në një grusht të mirëfilltë shteti.
1997, por dhe 1998 është çmimi pafund i lartë që Shqipëria ka paguar, fatkeqësisht, pa mësuar asgjë!
Krimi i organizuar u bë realitet dominues në Shqipëri. Më shumë se me kallashnikov në rrugët e vendit, ai binte në sy me kostum e kravatë në politikën arkaike e parapolitike që drejtonte në Tiranë segmente të rëndësishëm të pozitave dhe të opozitave të rradhës.
Në 1999 drejtimin e vendit e morri dyshja Majko-Meta, dy të rinj që nuk kishin të bënin me trashëgiminë e komunizmit të partisë së tyre dhe kishin qenë aktivë në rrëzimin e sistemit. Ai vit ishte dhjetë minutëshi i lavdisë në histori i një kombi të vogël, që u rreshtua në krah të Aleancës më të madhe politike e ushtarake të botës, NATO-s, në luftën e Kosovës.
Duke ju rikthyer dhe njëherë paralajmërimit të bërë në Promemorien e 25 qytetarëve të angazhuar shqiptarë. Ajo kishte disa bashkautorë; ishte formuluar më së shumti nga Fatos Lubonja e Bashkim Shehu, Edi Rama e Ardian Klosi, Fron Nazi e të tjerë që dhanë mendime, ide apo dhe shtuan e refuzuan ndonjë të tillë, letra është një parashikim ogurzi se çfarë do të ndodhte me Shqipërinë mbas zgjedhjeve të manipuluara të 26 majit. Fatkeqësisht, realiteti që projektohej në të ardhme nga fantazia politike e nënshkruesve të Promemories, ishte madje shumë më rozë në krahasim me tragjedinë kombëtare që pasoi në vitin 97’.
Promemoria është firmosur nga vetëm 25 vetë dhe marrja e firmave atëherë ishte një kalvar i vërtetë, që dëshmon kohën tërësisht atipike që jetonte vendi që po rrëshkiste nën diktaturën e një partie të vetme të ardhur në pushtet me flamurin e luftës kundër diktaturës dhe po rifutej nën pushtetin e anarkisë. Edhe pse në momentin e parë mendohej se lista do të ishte e pafundme, njëlloj siç mendohej se ishin kundërshtarët racionalë e logjikë të ish-presidentit berisha, më e shumtë ishte frika që frymëzonte regjimi që bënte që firmëtarët potencialë të stepeshin. Dhe që ishin në atë kohë, pothuaj të gjithë, klientët e barit të famshëm të gazetarëve “Bar West”, apo siç njihej më shumë me emrin e pronarit, Fidelit.
Eshtë interesante të shihet fati personal i të gjithë personave që firmosën promemorien.
Njëri nga ta, Edi Rama është kryeministër i vendit dhe kryetar i PS-së.
Ben Blushi, deputet socialist dhe kritiku më i ashpër dhe i vetëm në PS, i kryeministrit Rama.
Fatos Lubonja, Andi Bejtja e Armand Shkullaku, kritikë të paepur të kryeministrit Rama,
Ardian Klosi, Jorgo Bulo, vdekur,
Daut Gumeni, Virgjil Muçi, Ilirian Zhupa, diplomatë,
Mirela Furxhi, ministre kulture,
Petrit Ruka, i papunë prej më shumë se dhjetë vjetësh,
Bashkim Shehu, në profesionin e tij si shkrimtar, jeton jashtë Shqipërisë, në Spanjë,
Fatos Baxhaku, Lorenc Vangjeli, gazetar,
Delina Fico, Brikena Çabej, Pëllumb Xhufi, Gjergj Peçi, Vladimir Myrtezai, Artan Imami, Arben Kumbaro, Luan Rama, Vjollca Mici, në aktivitetetet e tyre vetjake, në profesionet që kanë pasur.
Fron Nazi, në SHBA,
Javanews.al
Hey bre Lenci, Godoleci, Varangjeli, Metaqeni je i papam per keto analiza, te cilat ia kalojne edhe asaj te cmendures N te dikurshme te kryeqytetit. Je cosmopolit, je gjeni, njesoj si Baba Likja i Cepanit, por ti meqe nuk ke pire kurre raki Skrapari, ke mbetur qofte e shtypur per ate lavatricen Kol Balla bytheqirin e Majk Kamanit te Laknasit.
dhe per zgjedhjet ne Amerike ka parashikime
shume serioze nga kryeministri Edvin Rama qe
ka parashikuar se dite te keqija per Ameriken
ne se fiton Trump.