Parlamenti miraton një tjetër lehtësim për biznesin

3 Qershor 2016, 14:19Ekonomia TEMA

Në seancën e fundit plenare Parlamenti miratoi  Projektligjin “Për ratifikimin e vendimit të komisionit të përbashkët të marrëveshjes së tregtisë së lirë të Evropës qendrore nr. 3/2015, për ndryshimin e vendimit të komisionit të përbashkët të marrëveshjes së tregtisë së lirë të Evropës qendrore 3/2013, në lidhje me aneksin 4, të marrëveshjes së tregtisë së lirë të Evropës qendrore (CEFTA 2006).

Protokolli për përkufizimin e konceptit të “Produkteve të origjinës” dhe metodave të bashkëpunimit administrativ, të referuara në nenin 14, paragrafët 1 e 3”.

Ministrja Ekonomi pas miratimit të këtij projekt ligji tha:

“Ky rregullim në marrëveshjen CEFTA, e çon këtë marrëveshje në një stad  të ri që kalon përtej lehtësimit tarifor, në bashkëpunim përpunimi produktesh dhe forcohet ndërveprimi i tregjeve rajonale.

Gjithashtu, ky rregullim lejon përjashtimi  të tarifave edhe për produkte jo-origjinuese, duke synuar lehtësimin e një sërë faktorësh veçanërisht të sektorit FASON për të kërkuar tregje të reja dhe më të favorshme për lëndët e para”.

Përfitimet nga ndryshimi i Protokollit për përkufizimin e konceptit të “produkteve të origjinës” dhe metodave të bashkëpunimit administrativ në CEFTA

Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA 2006) ka hyrë në fuqi me 27 korrik 2007 dhe ka shënuar një hap përpara në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mundësive për prodhuesit shqiptarë që të eksportojnë drejt vendeve të rajonit. Tregtia me vendet e CEFTA, si për produktet industriale ashtu dhe ato bujqësore të freskëta dhe të përpunuara, kryhet pa tarifa doganore.

Eksportet shqiptare nuk mund të përfitojnë nga ky rrëgjim preferencial nëse nuk plotësojnë rregullat e origjinës preferenciale, sipas të cilave çdo produkt i përpunuar në Shqipëri duhet t’i nënshtrohet një shkalle të caktuar përpunimi në mënyrë që të përfitojë nga eliminimi i tarifave doganore kur eksportohet në një vend të CEFTA.

Ndryshimi i protokollit të rregullave të origjinës së CEFTA, miratuar sot nga Kuvendi, ka prezantuar konceptimin e kumulimit të plotë të origjinës dhe lejimin e rikthimit të pagesës së tarifës doganore ose çlirimit nga detyrimet doganore. Ky ndryshim do të sjellë përfitime të reja dhe mundësi më të mëdha për prodhuesit shqiptarë që eksportojnë në vendet e rajonit.

Po cilat janë këto ndryshime dhe çfarë ndikimi do të kenë ato tek eksportuesit shqiptarë.

Regjimi aktual i CEFTA kërkon që i gjithë procesi i përpunimit të një produkti, proces i cili kërkon shkallë të caktuar përpunimi në varësi të produktit, të kryhet tërësisht në Shqipëri në mënyrë që produkti i eksportuar të përfitojë nga reduktimi tarifor. Me ndryshimin e miratuar sot procesi i përpunimit mund të ndahet midis vendeve të ndryshme të CEFTA dhe produkti final përfiton nga eliminimi tarifor në vendin destinacion të eksportit. Kështu, lëndët e para të importuara mund të përpunohen pjesërisht në Shqipëri, të vijojnë përpunimin në Kosovë dhe produkti final, i cili ka arritur shkallën e përpunimit sipas rregullit përkatës të origjinës për produktin, të eksportohet në një vend tjetër të CEFTA pa paguar tarifa doganore në vendin ku eksportohet.

Nga ky ndryshim do të përfitojnë të gjitha produktet, duke rritur shkallën e bashkëpunimit midis operatorëve ekonomikë në CEFTA për të gjitha produktet proceset e përpunimit të të cilave deri sot nuk janë kryer dot tërësisht vetëm në një vend. Rasti më klasik i përfitimit nga ky rregull janë produktet e përpunimit aktiv si tekstilet, këpucët dhe çdo produkt tjetër nën këtë regjim doganor.

Ndryshimi tjetër i rregullave të deritanishme në CEFTA lidhet me lejimin e rikthimit të pagesës së tarifës doganore ose çlirimit nga detyrimet doganore për mallrat nën regjimin e përpunimit aktiv. Sipas rregullit në fuqi, lëndët e para të importuara në Shqipëri, të cilat nuk gëzojnë statusin  e produktit origjinues dhe aktualisht paguajnë tarifë doganore, pasi përpunimit të mëtejshëm në vend dhe eksportit në një vend të CEFTA e shoqëruar me provën e origjinës, nuk gëzojnë të drejtën e rimbursimit të tarifës doganore të paguar.

Ndryshimi i miratuar  nga Kuvendi i Shqipërisë do të lejojë që produktet jo origjinuese të importuara me synim përpunimin e mëtejshëm në Shqipëri të përjashtohen nga pagesa e detyrimeve doganore në të gjitha rastet kur produkti final i përpunuar, pasi përmbush rregullin e origjinës preferenciale për produktin, eksportohet në një nga vendet e CEFTA.

Këto ndryshime do të fillojnë zbatimin nga data 1 dhjetor 2016, për t’i lënë kohën e nevojshme administratës doganore në të gjitha vendet e CEFTA për të zbatuar rregullat e reja.

1 komente në “Parlamenti miraton një tjetër lehtësim për biznesin”

  1. Vladimir says:

    U bete copa per boset e fazoneve, qe jane ortaket e klanit te Berishes dhe ortaket tuaj. 89% te bizneseve qe importojne dhe eksportojne ne sasi te vogla ju keni vene perpara traun e turpeshem te “skanimeve” te Peçinit, kolaudimin e makinave çdo vit (kur bota e ben çdo 2 vjet) dhe te tahometrave te Haxhinastos dhe sa e sa hangari.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje