Pas reagimit të kryeministrit Edi Rama në lidhje me pezullimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Haki Çako dhe ndjesës që ka kërkuar për palën italiane, PD në një deklaratë për median ka akuzuar kryeministrin se u vetëdenoncua në krye të përgjimeve.
“Edi Rama ka sulmuar sot Prokurorinë me një letër tipike nga ato që bën për Elvis Rroshin, pikërisht pasi drejtësia kapi në shkelje të ligjit Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe disa vartës të tij, për përgjimet e paligjshme.
Edi Rama duhej sot ti kërkonte ndjesë popullit të tij, qytetarëve, sepse u vërtetua që pajisja e përgjimit është futur në mënyrë të paligjshme dhe është përdorur në mënyrë të paligjshme. E në vend të kësaj, ai i kërkon një falje të pakërkuar, të panevojshme qeverisë italiane, duke e kërkuar me zor ta beje edhe atë palë në këtë krim shtetëror.
Edi Rama duhej sot të dorëzonte Saimir Tahirin, e të hiqte kështu pengesën që ka drejtësia për të bërë hetim të plotë e të gjithanshëm për këtë skandal mbi skandalet.
Por ai bën krejt të kundërtën. Sulmon institucionin e prokurorisë, sulmon drejtësinë, vetëm e vetëm për të mbrojtur paligjshmërinë dhe krimin shtetëror. Edi Rama u vetëdenoncua se është ai në krye të përgjimeve të paligjshme. Dhe prandaj kërkon ta mbrojë krimin deri në fund”, shprehet PD në reagimin e saj.