Të shtëna pranë Pallatit Presidencial në Mexico City, një i vdekur dhe dy të plagosur

28 Korrik 2026, 10:00Bota TEMA
Të shtëna pranë Pallatit Presidencial në Mexico City,

Një person humbi jetën dhe dy të tjerë mbetën të plagosur pas një sulmi me armë zjarri të ndodhur të hënën pranë Pallatit Presidencial në Mexico City, njoftuan autoritetet meksikane.

Sipas Ministrisë së Sigurisë, viktima ishte një 42-vjeçar, i cili u vu në shënjestër në atë që autoritetet e cilësuan si një “sulm të drejtpërdrejtë” ndërsa të plagosurit janë dy burra 39-vjeçarë.

Ngjarja ndodhi në sheshin Santo Domingo, një zonë që sipas policisë njihet për aktivitetet e paligjshme, përfshirë trafikun e drogës dhe falsifikimin e dokumenteve.

Edhe pse Meksika vijon të përballet me një valë të lartë dhune, kryesisht në zonat pranë kufirit me SHBA-në dhe në territoret ku veprojnë kartelet e drogës, incidente të tilla janë të rralla në kryeqytet. Megjithatë, autoritetet kanë bërë të ditur se në Mexico City operojnë grupe kriminale rivale, mes tyre Unión Tepito dhe Fuerza Anti-Unión.

Pallati Presidencial ndodhet vetëm pak distancë nga vendi i ngjarjes, ndërsa presidentja Claudia Sheinbaum banon në një zonë pranë saj.

Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorit ose autorëve të sulmit.

Lini një Përgjigje