Forcat e Armatosura vijojnë ndihmën për komunitetin e zonës së Mirditës dhe Matit, në kuadër të stërvitjes “Mirdita 16”.
Zëvendësministri i Mbrojtjes z. Petro Koçi inspektoi nga afër punimet e forcave xheniere të Komandës Mbështetëse për hapjen e një rruge 16 km për banorët e kësaj zone. Hapja e rrugës, pjesë e stërvitjes “Mirdita 16”, do të lidhë Mirditën me Ulzën dhe pritet të lehtësojë dhe shkurtojë ndjeshëm lëvizjen e mijëra banorëve. Punimet për këtë rrugë vijnë pas ndërtimit nga Forcat e Armatosura të një ure “bailey” 27 metër në Katund të Vjetër.
Gjithashtu efektivët e Komandës Mbështetëse në bashkëpunim me bizneset dhe donatorë lokalë, dhuruan ndihma për institucionet arsimore dhe komunitetin në nevojë të kësaj zone.Në fjalën e tij përshëndetëse zëvendësministri Koçi falenderoi efektivët e Komandës Mbështetëse për punën në ndihmë të komunitetit, kryetarin e Bashkisë Mirditë z. Ndrec Dedaj për bashkëpunimin, si dhe bizneset dhe donatorët privatë për ndihmën e ofruar.”
Kryetari i Bashkisë së Mirditës z. Ndrec Dedaj dhe komandanti i Komandës Mbështetëse kolonel Fatmir Lokaj vlerësuan bashkëpunimin mes dy institucioneve që ata drejtojnë, për realizimin e kësaj stërvitjeje.
Stërvitja “Mirdita 16” synon rritjen e nivelit operacional dhe bashkëveprimin ndërmjet strukturave të Komandës Mbështetëse, konsolidimin e procesit të vendimmarrjes, planëzimit, organizimit të stërvitjes sipas procedurave standarde si dhe mbështetjen e FA dhe autoritetevecivile me kapacitetet operacionale të disponueshme.